info@hibrid.info
Abdixhiku nuk ka kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar për zhbllokim të situatës politike në vend
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull me titull “Abdixhiku ankohet te ambasadori italian: Vendi i bllokuar politikisht – kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar”.

Përmbajtja është publikuar sot (20 maj) nga mediumi “kosovanews.net”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Hibrid.info ka gjetur se informacioni i pretenduar në titull nuk përputhet me atë çka përmban brendësia e lajmit dhe se pretendimi nuk konfirmohet as nga njoftimet tjera zyrtare.

Artikulli raporton për një takim të Lumir Abdixhikut, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me Maurizio Antoninin, ambasadorin e ri Italian në Prishtinë.

Titulli pretendon se Abdixhiku është ankuar të ambasadori italian. Pas këtij informacioni, në titull është vendosur shenja e pikësimit “:” pas së cilës jepet fjalia “Vendi i bllokuar politikisht – kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar”.

Pjesa pas pikësimit me “:” në tituj të tillë nënkupton zakonisht një deklaratë të personit të përmendur, në këtë rast – Abdixhikut, që në titull është paraqitur si kryefjalë. (këtu)

Hibrid.info ka kontrolluar përmbajtjen dhe ka gjetur se ndryshe nga titulli, në tekst nuk përmendet se Abdixhiku ka përdorur formulimin “kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar“.

Artikulli ka përdorur pjesë nga deklarata e Abdixhikut, të cilat jo vetëm që nuk e dëshmojnë se ai ka shprehur një kërkesë të tillë, por as në interpretimin e autorit të këtij teksti të trajtuar, nuk sugjerohet që kryetari i LDK-së ka kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar për situatën në vend.

Një gjë e tillë vërtetohet nga postimi i Abdixhikut në Facebook, i cili ka shërbyer si burim për informacionin e raportuar dhe është vendosur në tekst (shih këtu).

Hibrid.info ka gjetur edhe një njoftim të faqes së LDK-së për këtë takim (shih këtu). Njoftimi ka dhënë informacione më shumë për takimin, duke treguar se Abdixhiku ka paraqitur para ambasadorit Italian, propozimin për një zgjidhje, që nënkupton qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare për zhbllokim të situatës sa i përket formimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare.

Por, në këtë njoftim nuk thuhet shprehimisht se Abdixhiku ka kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar.

Po ashtu, edhe postimi i Ambasadës italiane në faqen zyrtare në Facebook, ku informohet për takimin me Abdixhikun, nuk konfirmon që gjatë këtij takimi është diskutuar për ndonjë kërkesë për ndërmjetësim ndërkombëtar lidhur me situatën e fundit politike në vend (shih këtu).


Analiza

Titulli i përmbajtjes së trajtuar pretendon se kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku në takimin me ambasadorin italian Maurizio Antonini ka kërkuar ndërmjetësim ndërkombëtar për zhbllokim të situatës politike në vend.

Por, përmbajtja e të njëjtit artikull dhe njoftimet zyrtare të palëve pjesëmarrëse në takim, nuk konfirmojnë atë.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson përmbajtjen si “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others