info@hibrid.info
Ambasada amerikane nuk ka dhënë asnjë vlerësim ndaj Qeverisë Kurti për situatën në veri
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në mediat sociale Facebook dhe TikTok është shpërndarë dje (20 maj) një postim që pretendon se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë ka lavdëruar punën e Qeverisë së Albin Kurtit në veri, duke deklaruar “Vizitë e sigurt dhe shëtitje e lirë për herë të parë pas 25 vitesh”.

Ky pretendim është publikuar nga llogaria “Lule Gjeli” e faqet “Gazeta 17 Shkurti” dhe “Albania USA” në Facebook, si dhe nga llogaria “folejadardanis” në TikTok.

E vërteta?

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë.


Në faqen zyrtare në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, u gjet një postim i publikuar dje (20 maj). E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati dje (20 maj) ka qëndruar në veri ku u takua me përfaqësues politikë si dhe Policinë e Kosovës.

Përmes këtij postimi u njoftua se Prattipati përsëriti qëndrimin e qeverisë së SHBA-së, se stabiliteti dhe siguria janë thelbësore dhe është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të sigurojë që të gjithë qytetarët të mund të jetojnë në një mënyrë paqësore. (këtu)


Hibrid.info ka hulumtuar përmes Google me fjalët kyçe “Vizitë e sigurt dhe shëtitje e lirë për herë të parë pas 25 vitesh”, por rezultatet nuk kanë treguar asnjë raportim apo burim zyrtar që e konfirmon këtë deklaratë. (këtu)

Pra, në asnjë rast Ambasada Amerikane nuk e ka lavdëruar punën e Qeverisë Kurti në veri duke bërë deklaratën “Vizitë e sigurt dhe shëtitje e lirë për herë të parë pas 25 vitesh”.


Analiza:

Një pretendim i shpërndarë më 20 maj në mediat sociale Facebook dhe TikTok, që i atribuon Ambasadës së ShBA-së në Kosovë një deklaratë lavdëruese për Qeverinë Kurti lidhur me sigurinë në veri, rezulton të jetë i pavërtetë.

Pas verifikimit të fakteve u vërtetua se nuk ekziston asnjë deklaratë e tillë nga Ambasada. Postimi zyrtar i Ambasadës përmend vetëm vizitën e përfaqësueses Anu Prattipati në veri dhe thekson rëndësinë e sigurisë dhe përgjegjësinë e Qeverisë për paqe, pa përmendur ndonjë lavdatë specifike.

Bazuar në metodologjinë e punës hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others