info@hibrid.info
Deklarata e Shkëlzen Gashit në mbështetje të Përparim Ramës është e vjetër
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Në TikTok është publikuar një video në të cilën analisti Shkëlzen Gashi dëgjohet teksa thotë në emisionin “Rubikon” në KlanKosova se do ta mbështesë Përparim Ramën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

“Shkelzen Gashi: Do ta votoj Perparim Ramen, me fascionon qe tash kembesori eshte i pari”, thuhet në mbishkrimin e videos në të cilën Gashi thotë se do ta votojë Ramën për kryetar të kryeqytetit. Materiali u publikua të martën (4 nëntor) në TikTok nga llogaria “FaktePlus”.


Pse po trajtohet kjo përmbajtje?

E vërteta është se bëhet fjalë për video-material të vjetër. Shkëlzen Gashi e kishte ofruar mbështetjen për Ramën para katër vjetësh, në kohën kur Rama kandidonte për herë të parë për kryetar të Prishtinës.

Por për shkak se Rama po kandidon edhe për një mandat në zgjedhjet lokale në Prishtinë, videoja e publikuar së fundmi mund të lërë të kuptohet se po bëhet fjalë për mbështetje të Gashit pro Ramës në prag të balotazhit të 9 nëntorit.

Publikimi ka marrë rreth 40 mijë shikime, deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info. Postimi i ka marrë mbi 300 pëlqime dhe i ka 21 komente. Ndër komente ka përdorues që e kanë ditur se bëhet fjalë për përmbajtje të vjetër, por edhe të tillë që e kanë interpretuar si të re deklaratën e Gashit.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka gjetur materialin real të publikuar nga kanali i KlanKosovës më 11 tetor 2021 në YouTube.

Dallimi nga publikimi origjinal i KlanKosovës me postimin në TikTok është se në përmbajtjen që po trajtohet është tërhequr një deklaratë e Gashit që thotë se “vota ime shkon për zotin Rama, e për Asamble për Lëvizjen Vetëvendosje”.


E Gashi në një postim në Facebook më 24 shtator 2025 e ka komentuar këtë videomaterial duke kritikuar veten për mbështetjen e dhënë për Ramën. (shih këtu)


Rreth zgjedhjeve në Prishtinë:

Më 9 nëntor në Prishtinë do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të përballet me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Në raundin e parë, Rama i priu garës me 33.71 për qind të votave, ndërsa Çeku mori 33.21 për qind. (shih këtu)


Analiza:

Një deklaratë e analistit Shkëlzen Gashi në mbështetje të Përparim Ramës në kandidaturën për kryetar të Prishtinës në vitin 2021 është publikuar në TikTok në prag të raundit të dytë zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2025.

Për shkak të publikimit në prag të zgjedhjeve dhe mospërmendjes së datës ose të periudhës së kohës kur është dhënë deklarata, videoja mund të interpretohet si e bërë tash.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others