info@hibrid.info
Dezinformohet se Edi Rama u urua për fitore vetëm nga vendet pro-ruse
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull që tregon arsyet pse institucionet zvicerane nuk e kanë uruar ende Edi Ramën, kryeministrin shqiptar, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Artikulli i publikuar dje (15 maj) nga portali informativ në gjuhën shqipe, “lecanton.ch” në Zvicër, në faqen në Facebook mban titullin, “Bernë, Ministria e Punëve te Jashtme e Zvicrës shpjegon pse nuk e urojnë Edi Ramën”,ndërsa në ueb-faqe ka titullin, “Nuk e ka uruar akoma Edi Ramën » / Media zvicerane pyet Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës”.

Çka nuk shkon me artikullin?

Në artikull pretendohet se zyrtarët e shtetit zviceran kanë deklaruar se do ta urojnë shtetin shqiptar vetëm pas zgjedhjes së qeverisë së re, gjë e cila mbetet të shihet në ditët në vijim. Por, artikulli ka disa të pavërteta sa i përket liderëve dhe vendeve që kanë uruar kryeministrin Rama për fitore.


Artikulli citon Elisa Raggin, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila në një përgjigje për këtë medium, ka deklaruar se, Zvicra është e përkushtuar ndaj parimeve demokratike dhe ndaj mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe transparente që përputhen me standardet ndërkombëtare. Ajo ndjek nga afër vlerësimet e misioneve të vëzhgimit, veçanërisht atë të OSBE/ODIHR-it, për më tepër në shtetin shqiptar, aty ku Zvicra ka qenë aktive në për shumë vite. Sipas artikullit, Raggi ka thënë se zakonisht Zvicra uron shtetet pas emërimit të qeverisë (shih këtu).

Në artikull përmendet se Ramën për fitoren, e kanë uruar vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán, kryeministri sllovak Robert Fico dhe kryediplomati rus Sergei Lavrov. Madje artikulli pretendon pa asnjë provë se urimet e Vuçiqit dhe Lavrovit, janë mbajtur të fshehta nga kabineti i kryeministrit Rama.

Hibrid.info ka kontrolluar në llogarinë e kryeministrit Rama në platformën “X”, aty ku ai u ka kthyer përgjigje urimeve të marra nga liderët botërorë. Në këto përgjigje, ashtu siç pretendohet në artikullin e trajtuar, nuk është hasur ndonjë njoftim që Rama të ketë marrë urime për fitoren nga liderë të shtetit zviceran (shih këtu).

Nga liderët e pretenduar, për të cilët artikulli thotë se e kanë uruar liderin socialist, është hasur vetëm urimi i kryeministrit hungarez (shih këtu). Ndërsa nga vendet të cilat nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Rama ka bërë publik vetëm urimin e Pedro Sanchez, kryeministrit spanjoll (shih këtu).

Ndryshe nga çfarë pretendohet në këtë artikull, hibrid.info ka gjetur postimet nga presidenti i Këshillit të Evropës Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski, ku tregohet këta liderë e kanë uruar Ramën për fitore.


Analiza

Pretendimi i artikullit se vetëm liderët e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën e kanë uruar Edi Ramën, nuk qëndron.

Hibrid.info ka identifikuar urime të publikuara nga liderë të vendeve perëndimore që e kanë njohur Kosovën, përfshirë presidentin Macron, kancelarin Merz, kryeministren Meloni dhe presidenten von der Leyen.

Bazuar në metodologjinë e fakteve, ky pretendim vlerësohet si, “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others