Në kohën e qarkullimit të shpejtë të informacionit, kufiri ndërmjet kritikës legjitime dhe sulmeve personale është bërë gjithnjë e më i paqartë. Në rastin e politikanëve dhe figurave të larta shtetërore, debati shpesh largohet nga vlerësimi i vendimeve, politikave dhe veprimeve të tyre, duke u zhvendosur drejt pretendimeve, etiketimeve dhe akuzave që synojnë të cenojnë integritetin, reputacionin dhe besueshmërinë e tyre.
Një shembull është video-materiali i publikuar më 2 korrik me mbishkrimin “Rakia i bën keq kryeministrit!“, ku shfaqej kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke humbur për një moment ekuilibrin gjatë ecjes (shih here). Mbishkrimi sugjeronte se shkaku i këtij incidenti ishte konsumimi i alkoolit.
Videoja u shpërnda në rrjetet sociale dhe, nga komentet e përdoruesve, vërehej se një pjesë e audiencës e kishte pranuar këtë pretendim si të besueshëm. Rasti u komentua gjerësisht në opinionin publik (shih here), duke nxitur edhe reagimin e zëdhënësit të Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, i cili e përgënjeshtroi pretendimin (shih here). Në postimin e tij u publikua edhe një video e filmuar nga një kënd tjetër, ku shfaqej e njëjta ngjarje. Sipas tij, Kurti në ato momente ishte ndalur për t’u fotografuar me disa qytetarë.
Bazuar vetëm në këto video-materiale, nuk është e mundur të konfirmohet nëse kryeministri ishte apo jo nën ndikimin e alkoolit. Megjithatë, kërkimi në internet me fjalët “Albin Kurti i dehur”,përveç këtij video-materiali, shfaq edhe publikime e deklarime të tjera ku pretendohet se ai është paraqitur publikisht nën ndikimin e alkoolit në raste të ndryshme (shih here, here and here ). Megjithatë, në asnjërin prej këtyre rasteve nuk paraqiten prova apo fakte që mbështesin pretendimet.

Një formë tjetër e sulmeve ndaj figurave publike shfaqet në përplasjet verbale në skenën politike, ku përveç kritikave ndaj vendimeve apo veprimeve publike përdoren edhe etiketime dhe akuza që synojnë karakterin e individit.
Në dy reagime të publikuara më 15 dhe 25 qershor ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, përdori gjuhë denigruese dhe ngriti akuza për lidhje me krimin e organizuar dhe keqmenaxhim, pa paraqitur prova që do t’i mbështesnin këto pretendime (shih here and here). Përveç pretendimeve për çështje publike, reagimet përmbanin edhe etiketime që synonin figurën personale të Ramës, duke e paraqitur atë në mënyrë negative para opinionit publik.

Raste të tilla tregojnë se si debati publik mund të zhvendoset nga kritika ndaj veprimeve apo politikave të një figure publike, drejt sulmeve ndaj karakterit, reputacionit dhe identitetit të saj.
Përsëritja e vazhdueshme e pretendimeve dhe akuzave të pabazuara ndaj një figure publike ngre pyetje mbi arsyet e përdorimit të narrativave të tilla dhe ndikimin që ato mund të kenë në perceptimin e publikut.
Gjatë hulumtimit për këtë fenomen u has në termin anglisht “Character Assassination”, i njohur në shqip si “vrasja e karakterit”.
Çka është “vrasja e karakterit”?
Sipas fjalorit të Merriam-Webster, termi “Character Assassination” (“vrasja e karakterit”) nënkupton shpifjen ndaj një personi, zakonisht me qëllim të shkatërrimit të besimit të publikut ndaj tij (shih here).
Ndërkaq, grupi kërkimor akademik CARP (Character Assassination and Reputation Politics) e përkufizon këtë fenomen si shkatërrimin e qëllimshëm të reputacionit ose besueshmërisë së një individi përmes sulmeve ndaj integritetit të tij. Sipas këtij grupi, prej shekujsh, “vrasja e karakterit” ka qenë një metodë e përhapur gjerësisht në luftën për pushtet dhe se teknikat e kësaj dukurie përfshijnë fushatat negative, përhapjen e thashethemeve, shpifjet anonime në rrjetet sociale e platformat online, si dhe shumë taktika të tjera. Të gjitha këto thuhet se janë praktika të zakonshme në politikën bashkëkohore, mirëpo sulmet ndaj karakterit mund të përdoren edhe kundër personave të famshëm, sportistëve, shkencëtarëve dhe individëve të tjerë me profil të lartë publik. Grupi shpjegon se sulmuesit shënjestrojnë jetën private, vlerat dhe identitetin e viktimave të tyre, me qëllim që t’i diskreditojnë ata dhe t’i bëjnë pre të përbuzjes dhe talljes publike.
Dy rastet e paraqitura më sipër ilustrojnë forma të ndryshme përmes të cilave mund të ndikohet në perceptimin e publikut ndaj një figure politike. Në njërin rast, pretendimi u ndërtua mbi interpretimin e një materiali vizual, ndërsa në tjetrin përmes etiketimit dhe akuzave të pambështetura. Megjithatë, vetëm këto raste nuk mjaftojnë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një përpjekje të organizuar për “vrasje të karakterit”, pasi një vlerësim i tillë kërkon analizë më të gjerë të kontekstit, burimeve, qëllimit dhe koordinimit të narrativave.
Për të kuptuar më mirë se si shfaqet ky fenomen në praktikë, Hibrid.info shqyrtoi shembuj të dokumentuar nga organizata të verifikimit të fakteve dhe studiues të dezinformimit, të cilët kanë analizuar sulmet ndaj figurave publike si pjesë e strategjive për dëmtimin e reputacionit të tyre (shih here).
Rasti i Zelenskyt si shembull
Sipas EDMO, rrjetit evropian të organizatave të verifikimit të fakteve, një nga rastet më të dokumentuara të sulmeve ndaj reputacionit të një figure politike është ai ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, ai është bërë objekt i një numri të madh pretendimesh të rreme që synojnë ta paraqesin në mënyrë negative para opinionit publik.
Pretendimet e shpërndara ndaj Zelenskyt kanë variuar nga akuza ekstreme dhe absurde, deri te pretendime që në pamje të parë duken më të besueshme, si ato për korrupsion apo pasurim të paligjshëm. Ndër to kanë qarkulluar edhe pretendime se ai dhe bashkëshortja e tij kanë blerë prona luksoze, automjete të shtrenjta dhe objekte me vlerë të lartë, pa u paraqitur prova që t’i mbështesnin këto pretendime.
Ky rast tregon se “vrasja e karakterit” nuk mbështetet domosdoshmërisht në një pretendim të vetëm, por shpesh ndërtohet përmes përsëritjes së vazhdueshme të akuzave dhe narrativave negative. Edhe kur pretendimet individuale përgënjeshtrohen, përsëritja e tyre dhe qarkullimi në kanale të ndryshme mund të ndikojë që te një pjesë e audiencës të mbetet një perceptim negativ për figurën e sulmuar.
Kjo nënkupton se sulmet ndaj reputacionit të figurave publike nuk synojnë vetëm përhapjen e një informacioni të rremë, por edhe krijimin e një perceptimi afatgjatë për një individ. Qëllimi nuk është gjithmonë që publiku të besojë një pretendim të vetëm, por të mbetet në dyshim të vazhdueshëm për integritetin dhe besueshmërinë e figurës së sulmuar.
In conclusion
Rastet e paraqitura në këtë artikull ilustrojnë mënyra të ndryshme përmes të cilave mund të ndikohet në perceptimin publik ndaj një figure politike. Në rastin e Albin Kurtit, një video e shoqëruar me një mbishkrim interpretues krijoi një pretendim për sjelljen e tij, ndërsa në rastin e Përparim Ramës, sulmet u fokusuan drejtpërdrejt në karakterin dhe reputacionin e tij përmes etiketimeve dhe akuzave.
Megjithëse këto raste, të marra veçmas, nuk mjaftojnë për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një përpjekje të organizuar për “vrasje të karakterit”, ato tregojnë se si debati publik mund të zhvendoset nga shqyrtimi i veprimeve dhe politikave të një figure publike drejt krijimit të perceptimeve negative për vetë personin. Siç tregojnë edhe shembujt e dokumentuar ndërkombëtarë, ndikimi në reputacion shpesh nuk ndërtohet nga një pretendim i vetëm, por nga përsëritja e vazhdueshme e narrativave negative.
Përballë përmbajtjeve të tilla, është e rëndësishme që publiku të vlerësojë në mënyrë kritike pretendimet që synojnë të ndikojnë në perceptimin ndaj një figure publike, veçanërisht kur ato mbështeten në interpretime, etiketime ose akuza të pambështetura me prova. Verifikimi i burimit të informacionit, kërkimi i fakteve të dokumentuara dhe dallimi ndërmjet opinionit dhe pretendimit faktik janë hapa të rëndësishëm për të shmangur ndikimin e narrativave manipuluese. Po ashtu, duhet pasur parasysh se përsëritja e një pretendimi nuk e bën atë të vërtetë.