info@hibrid.info
Exit poll i pakonfirmuar dhe i parakohshëm për zgjedhjet në Kaçanik
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull i titulluar “Përmbysje historike në Kaçanik – Jeton Raka nga Vetëvendosje drejt fitores sipas exit poll-eve”.

Artikulli është publikuar të dielën (9 nëntor) para mbylljes së vendovotimeve nga një medium online me emrin “pres7.tv”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Ligji dhe praktikat standarde e ndalojnë publikimin e rezultateve të sondazheve të daljes nga vendvotimet para se të mbyllen kutitë e votimit.

Artikulli me të njëjtin pretendim është shpërndarë (ora 16:23) edhe në faqen në Facebook të këtij portali (shih këtu)

Sipas Nenit 88 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, dispozitat e të cilit vlejnë edhe për zgjedhjet lokale, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Ndërsa Neni 52 i këtij ligji, për Ndalimin e Përfshirjes në Media e përcakton se në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon njëzet e katër (24) orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.

Hibrid.info ka gjetur se televizionet publikojnë rezultatet e exit polleve në orën 19:00, kohë kur sipas ligjit parashihet të mbyllen vendvotimet (shih këtu dhe këtu).

Çka tregon se përmbajtja përveç që është publikuar në kohë të ndaluar, është edhe e pakonfirmuar, pasi që mungojnë informacionet për institucionin që mund ta ketë realizuar.

Analiza:

Pretendohet se sipas exit poll-eve, kandidati i Vetëvendosjes, Jeton Raka, është drejt fitores në Kaçanik.

Pretendimi është publikuar para mbylljes së vendvotimeve, gjë që është e ndaluar me ligj, dhe nuk tregohet se cili institucion e ka realizuar exit poll-in, duke e bërë përmbajtjen të pakonfirmuar.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others