Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen (28 qershor) përmbajtje me titullin që pretendon se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gjykata Supreme ndalon librat me përmbajtje LGBTQ në shkolla.
Përmbajtja me këtë titull është gjetur e publikuar në disa media si “Telegrafi”, “Paparaci” dhe “Syri.net”.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Hibrid.info ka gjetur se në përmbajtje thuhet qartë që vendimi i Gjykatës nuk ndalon librat, por u jep prindërve në shtetin e Merilendit, të drejtën të përjashtojnë fëmijët e tyre nga programet që përfshijnë këtë lloj përmbajtjeje, një çështje e të drejtave prindërore dhe fetare.

Pretendimi i paraqitur në këtë titull është publikuar gjithashtu nga disa faqe në Facebook (shih këtu).
Vendimi i këtij institucioni bëhet i qartë kur në kreun e lajmit shkruan: “Një vendim i bujshëm i Gjykatës Supreme në SHBA ka vendosur në anën e prindërve të shtetit të Merilendit, duke i lejuar ata të përjashtojnë fëmijët nga programet shkollore që përfshijnë libra me përmbajtje LGBTQ.”
Çka do të thotë se në këtë shtet të ShBA-së, Gjykata Supreme u ka mundësuar prindërve të përjashtojnë fëmijët nga orët mësimore që përfshijnë përmbajtje LGBTQ, për shkak të bindjeve të tyre fetare.
Për të vërtetuar se pretendimi në titullin e përmbajtjeve të trajtuara në gjuhën shqipe, nuk është i saktë, hibrid.info ka hulumtuar për raportimet e mediave në gjuhën angleze për këtë vendim.
Në titujt e artikujve të mediave si “NewYorkTimes”, “BBC” dhe “AssociatedPress” shkruan se: “Vendimi i Gjykatës u lejon prindërve të përjashtojnë fëmijët nga mësimet me libra LGBTQ”.
Analiza:
Pretendimi në titujt e disa artikujve në gjuhën shqipe se Gjykata Supreme ndalon librat me përmbajtje LGBTQ në shkollat në ShBA, nuk qëndron.
Vendimi i Gjykatës Supreme nuk ndalon librat, por u jep prindërve të drejtën të përjashtojnë fëmijët nga programet që përfshijnë përmbajtje LGBTQ. Vendimi përfshin vetëm shtetin e Merilendit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin në titull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.