[email protected]
Haradinaj nuk ka propozuar që Lista Serbe ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës për një vit
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një vit une, një LDK e një PDK, një vit Lista Serbe”, shkruan në mbishkrimin e një imazhi që shfaq portretin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ky postim u publikua në TikTok nga llogaria “folejadardanis” me datë 15 nëntor.

E vërteta?

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se deklarata e Haradinajt është ndryshuar. Imazhi i përdorur nga llogaria “folejadardanis”, është marrë nga faqja e televizionit ATV në Facebook. (këtu)


Çka tha Haradinaj?

Hibrid.info ka gjetur deklaratën e plotë të Haradinajt dhënë për RTV21. Në një intervistë për këtë medium, kryetari i AAK-së ka propozuar që pas zgjedhjeve të përgjithshme të bëjnë bashkëpunim me PDK-në dhe LDK-në për postin e kryeministrit. (shih këtu)

Haradinaj ka thënë se kërkon udhëheqjen e Qeverisë, qoftë edhe me rotacion që tre opozitarët të merren vesh njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit. Pra, ai asnjëherë nuk ka përmendur Listën Serbe, siç pretendohet në mbishkrimin e postimit të llogarisë “folejadardanis” në TikTok.

‘’Kurti nuk është më kryeministër. Ju kam thënë edhe më herët kështu. Nuk do të jetë më kryeministër Albin Kurti, nuk qeverisë Vetëvendosje më. Me qenë në vend të tij e kisha shkruar qysh tash një fjalim të opozitarit të ardhshëm. Kisha dërgua sinjale që nuk do ta mbaj vendin peng më. Ju po e shihni se si po ndodhin ndryshimet aq të shpejta në Gjermani. Brenda 24 orëve ka tronditje në Qeverinë Gjermane. Nuk është mirë Kurti me vonuar vetën e vet. Ka pasoja dhe thellon pasojat. Ne nuk kem qare pa i sanuar këto pasoja. Për këtë arsye unë e kërkojë udhëheqjen e Qeverisë, qoftë me rotacion që tre opozitarët të merren vesh njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit. Unë kërkojë udhëheqjen e Qeverisë në fillimin e qeverisjes me qëllim që me i kthye këto marrëdhënie të besueshme, kontraktuale me SHBA-në dhe aleatët e tjerë. Me i krye disa punë të vështira  që pastaj qeverisja me qenë e zakonshme, e zhvillimit ekonomik. Por, vazhdimi i mbetjes në pushtet i Kurtit nuk është opsion është e kryne kjo pjesë”, tha Haradinaj për rtv21.


Analiza:

Përmes një postimi, u pretendua se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar që udhëheqja e Qeverisë të bëhet me rotacion, një vit AAK, një LDK, një PDK dhe një tjetër Lista Serbe.

Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë dhe se Haradinaj nuk e ka dhënë këtë propozim.

Kryetari i AAK-së, në një intervistë dhënë për RTV21, ka thënë se kërkon udhëheqjen e Qeverisë, qoftë edhe me rotacion që tre opozitarët të merren vesh njëri një vit, tjetri një vit, tjetri një vit. Pra, ai asnjëherë nuk ka përmendur Listën Serbe.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Mashtrim” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »