Të fundit | Osmani nuk e përmendi Radoiçiqin në deklaratën për Hotin Të fundit | Titull çorientues: Pretendohet se Kosova do të mbetet pa rrymë në një datë… Të fundit | Nurmagomedov nuk ka deklaruar se është shqiptar, “Albania Kaukaziane” nuk k… Të fundit | Adriatik Kelmendi nuk është arrestuar Të fundit | Në imazhin e gjeneruar me IA, Kurti paraqitet në një ngjarje ku nuk mori pj… Të fundit | Hibrid.info pjesë e diskutimeve për integritetin e informacionit dhe zbatim… Të fundit | Fotografia e një ushtari estonez është përdorur për ta paraqitur si pjesëta… Të fundit | Mediumi rus pretendon rrejshëm se në Kosovë po bëhet rekrutim masiv i terro… Të fundit | Titulli nuk e specifikon shtetin, ndërsa artikulli pretendon pa fakte se Ho… Të fundit | Interneti po mbushet me përmbajtje të pavlerë të gjeneruar nga inteligjenca…
[ ARTIKULLI ]

Imazhe të gjeneruara me IA paraqiten rrejshëm si pamje nga protestat në Tiranë

FATBARDH DEMA

VERDIKTI YNË

MASHTRIM

Imazhe të gjeneruara me IA paraqesin Bashkinë e Tiranës në flakë dhe policë duke sulmuar një person gjatë protestave.

Në mediat sociale Facebook dhe TikTok janë publikuar imazhe përmes të cilave pretendohet se paraqiten pamje nga protestat e studentëve të mbajtura më 13 tetor në Tiranë.

Dy prej imazheve paraqesin ndërtesën e Bashkisë së Tiranës të përfshirë nga flakët, ndërsa një tjetër paraqet pjesëtarë të policisë duke sulmuar një person të shtrirë në tokë.

Çka nuk shkon me këto përmbajtje?

Verifikimi i fakteve nga hibrid.info ka vërtetuar se imazhet nuk janë fotografi reale nga protesta, por janë gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (IA).

FAKTET

Dy imazhet që paraqesin ndërtesën e Bashkisë së Tiranës në flakë janë publikuar nga llogari në Facebook dhe TikTok (shih këtu dhe këtu).

Verifikimi i këtyre imazheve përmes platformës për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara me IA, “Hivemoderation.com”, tregon se ato janë krijuar me inteligjencë artificiale (shih fotografitë më poshtë).

Është e vërtetë se gjatë protestës së 13 tetorit në Tiranë, disa protestues hynë në ndërtesën e Bashkisë së Tiranës, pasi thyen derën hyrëse, dhe ndezën flakadanë brenda saj. Kjo dëshmohet edhe nga pamjet e publikuara nga Euroneës Albania (shih këtu). Megjithatë, fotografitë e krijuara me IA paraqesin një skenë të ndryshme nga ajo e dokumentuar, duke krijuar përshtypjen se zjarri ka përfshirë në tërësi ambientet e brendshme të ndërtesës.


Edhe imazhi tjetër i publikuar në Facebook (shih këtu), i cili paraqet pjesëtarë të policisë duke sulmuar një person të shtrirë në tokë, është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Analiza e këtij imazhi përmes platformës “Hivemoderation.com” rezulton me 99% probabilitet që ai të jetë gjeneruar me IA (shih fotografinë më poshtë).


Pak kontekst

Më 13 tetor, studentë dhe qytetarë protestuan në Tiranë, duke kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete, lehtësimin e kostove të studimit dhe dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës. Protesta u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Ajo u ndërthur me lëvizjen “Revolucioni Flamingo”, e cila nisi në shenjë kundërshtimi ndaj projekteve turistike në Zvërnec dhe Sazan, për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe dyshimeve për korrupsion. Më pas, kërkesat e kësaj lëvizjeje u zgjeruan edhe në thirrje për largimin e qeverisë.


Analiza

Në mediat sociale Facebook dhe TikTok janë publikuar imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA), të cilat pretendohet se paraqesin pamje nga protestat e studentëve të mbajtura më 13 tetor në Tiranë.

Dy prej tyre paraqesin ndërtesën e Bashkisë së Tiranës të përfshirë nga flakët, ndërsa një tjetër tregon policë duke sulmuar një person të shtrirë në tokë.

Verifikimi përmes platformës Hivemoderation.com tregon se imazhet janë krijuar me IA.

Ndonëse gjatë protestës disa demonstrues ndezën flakadanë brenda ndërtesës së bashkisë, imazhet e publikuara paraqesin skena që nuk përputhen me pamjet e dokumentuara të ngjarjes.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Mashtrim”.

Arsyetimi

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere