Përgatiti: Fatbardh Dema
Armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte njëra ndër temat që më së shumti u përdor për të krijuar keqinformata në vitin 2024.
Hibrid.info gjatë monitorimit ditor të përmbajtjeve ka trajtuar një numër të madh të keqinformatave që për temë kishin armatosjen e FSK-së.
Duke u bazuar në raportet mujore monitoruese të keqinformimit të publikuara nga hibrid.info, vërehet se për tre muaj gjatë vitit 2024, “armatosja e FSK-së” ishte tema më e përdorur për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve keqinformuese, ndërsa për një muaj ishte renditur si e dyta.
Në muajin maj, armatosja e FSK-së ishte tema kryesore që u përdor për krijimin e përmbajtjeve keqinformuese. (shih këtu raportin monitorues të keqinformimit për muajin maj)
Pas zyrtarizmit të blerjes së dronëve “Bayraktar” nga Turqia, në media sociale filluan të qarkullojnë spekulime të ndryshme për furnizime me armatime të tjera, përfshirë këtu edhe artileri të rëndë (helikopterë, tanke, aeroplanë). Publikimi i keqinformatave lidhur me pretendime të pabaza për furnizim me armatim të FSK-së, ka bërë që kjo temë të dominojë gjatë muajit maj në kategorizimin e temave për të cilat u keqinformua.
Lajme të rreme u vlerësuan pretendimet se Turqia i ka dhuruar FSK-së 10 helikopterë luftarakë “Apache”, dhe se Italia i ka ofruar FSKsë helikopterë për blerje. Përmbajtje e paverifikuar u vlerësuan pretendimet se FSK-ja është furnizuar me 33 automjete “BMC Vuran” dhe pajisje të tjera ushtarake.
Në muajin qershor tema “armatosja e FSK-së” u rendit si e dyta. (shih këtu raportin monitorues të keqinformimit për muajin qershor)
Keqinformata lidhur me spekulime të ndryshme pa fakte për furnizime me armatime të FSK-së, përfshirë këtu edhe artileri të rëndë (helikopter, tank, aeroplan) janë përfshirë në temat për të cilat më së shumti u keqinformua gjatë qershorit. Edhe gjatë këtij muaji janë publikuar disa dezinformata dhe lajme të rreme lidhur me armatosjen, duke e bërë këtë temë të radhitet si e dyta për nga numri i keqinformimeve.
Pothuajse të gjitha përmbajtjet që ndërlidhen me armatosjen e FSK-së janë publikuar në media sociale. Këto përmbajtjet u vlerësuan si lajm i rremë dhe dezinformatë. Lajm i rremë u vlerësuan pretendimet e publikuara në media sociale se Turqia i ka dhuruar automjete ushtarake Kosovës, se do ta furnizojë Kosovën me helikopterë “T129 ATAK”, se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje për fluturaken luftarake, Kizilelma. Ndërsa dezinformatë u vlerësuan pretendimet se “ushtria e Kosovës do të forcohet deri në shtator me 10 mijë trupa e me sisteme anti-raketore”, se Kosova në vitin 2026 do të marrë donacion dy helikopterë nga SHBA-të.
Në muajin gusht “armatosja e FSK-së” u rikthye si tema kryesore që u përdor për krijimin e përmbajtjeve keqinformuese. (shih këtu raportin monitorues të keqinformimit për muajin gusht)
Diskutimi rreth çështjeve të sigurisë dhe luftës në sferën politike çoi në një shpërthim të përmbajtjeve keqinformuese në mediat sociale, veçanërisht në lidhje me armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Të gjitha keqinformata lidhur me armatosjen e FSK-së janë publikuar në media sociale (Facebook dhe TikTok). Këto përmbajtje keqinformuese nga fusha e sigurisë kryesisht janë vlerësuar si lajm i rremë. Në media sociale kanë qarkulluar pretendime të rreme për pajisjen e FSK-së me artileri të rëndë, si tanke, helikopter etj.
Edhë në muajin shtator “armatosja e FSK-së” ishte tema kryesore që u përdor për krijimin e përmbajtjeve keqinformuese. (shih këtu raportin monitorues të keqinformimit për muajin shtator)
Të gjitha keqinformatat lidhur me armatosjen e FSK-së janë shpërndarë përmes platformave të mediave sociale, si Facebook dhe TikTok. Këto përmbajtje të pasakta nga fusha e sigurisë kryesisht janë klasifikuar si lajme të rreme. Kishte disa pretendime të rreme lidhur me pajisjet ushtarake dhe sigurinë në Kosovë. Njëra nga këto është se përgatitjet për parakalimin ushtarak në Sllovaki paraqiten si pajisje që po vijnë nga Amerika në Kosovë. Po ashtu, nuk ka konfirmim se Kosova do të pajiset me automjetin e blinduar “Shota” dhe se Kosova ka siguruar tanke nga Turqia. U pretendua gjithashtu se FSK-së i janë shtuar 60 tanke AVC-15, si dhe se Turqia do t’ia dhurojë Kosovës 5 pajisje ushtarake “Korhan”. Për më tepër, Kosova nuk ka blerë pajisjet ushtarake “KORKUT 8×8” nga Turqia, dhe një imazh i montuar sugjeron rrejshëm se Turqia do t’i dhurojë helikopter Kosovës.