info@hibrid.info
Konjufca nuk ka thënë se do të kërkojnë marrëveshje koalicioni me partitë politike
shape
shape
shape

*Artikulli dhe mbishkrimi i videos nga Nacionale.com janë korrigjuar pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin dhe mbishkrimin e videos të korrigjuar këtu dhe këtu). Mediumi në fjalë ka arsyetuar se ka qenë interpretim i gabuar për shkaqe teknike në transmetim.


Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një video-material me mbishkrimin “Duam qeveri afatshkurtër, do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike”, deklaratë e cila pretendohet se është thënë nga mandatari i dytë për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca. 

Kjo përmbajtje është publikuar të martën (4 nëntor) në faqen në Facebook të mediumit “Nacionale.com” (shih mbishkrimin në fotografinë poshtë).

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se Konjufca nuk ka deklaruar se do të kërkojnë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike.

Hibrid.info ka gjetur i njëjti pretendim është publikuar si artikull nga mediat “Nacionale.com”, “Periskopi.com”, “KosovaNews.com” dhe si titull i një video-materiali të publikuar në kanalin në “Youtube” të agjencisë së lajmeve “KosovaPress”. (Titulli në videon e publikuar në Youtube nga KosovaPress u ndryshua me arsyetimin se ishte lëshim teknik)

Titulli fillestar i videos së publikuar në Youtube nga KosovaPress


Hibrid.info ka kontrolluar përmbajtjen e videos së publikuar nga “Nacionale.com” dhe ka gjetur se ajo përputhet me mbishkrimin që ka postimi.

Deklarata e shkëputur nga videoja e “Nacionale.com”:

Ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike. Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një qeveri të re për me i shmang dy gjëra shumë të rëndësishme. E para, zgjedhjet e menjëhershme dhe e dyta është që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për me mujtë me e pas Kosova buxhetin e saj, pë vitin 2026. Nëse këto dyja nuk bëhen, ne ma merr mendja që, nuk është në të mirën e Kosovës dhe pikërisht për këtë arsye Lëvizja Vetëvendosje më propozoi si mandatar sot. Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është që të shohim tash veprimin e presidentes së Republikës”.


Por, hibrid.info gjeti se deklarata e Konjufcës nuk është paraqitur e plotë në këtë video. Pas kontrollit të një video-materiali të publikuar nga media online “Koha.net”, u vërtetua se ish-kryeparlamentari ka thënë se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni me parti të tjera (shih këtu).

Kjo konfirmohet edhe në publikime të disa mediave tjera (shih këtu, këtu dhe këtu).

Deklarata e shkëputur nga videoja e “Koha.net”:

“Unë mendoj se ky nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike. Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një qeveri të re për me i shmang dy gjëra shumë të rëndësishme. E para, zgjedhjet e menjëhershme dhe e dyta është që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për me mujtë me e pas Kosova buxhetin e saj, pë vitin 2026. Nëse këto dyja nuk bëhen, ne ma merr mendja që, nuk është në të mirën e Kosovës dhe pikërisht për këtë arsye Lëvizja Vetëvendosje më propozoi si mandatar sot. Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është që të shohim tash veprimin e presidentes së Republikës”.


Rrjedhimisht, mos paraqitja e plotë e deklaratës së Konjufcës për marrëveshje koalicioni, ka ndryshuar kuptimin e asaj që në të vërtetë ka deklaruar ai.

Ndërsa, deklarata e Konjufcës për qeveri afatshkurtër konfirmohet të jetë e vërtetë.

Analiza:

Pretendimi se Glauk Konjufca ka thënë “do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike” nuk është i saktë.

Përmbajtja e trajtuar ka shkëputur deklaratën e Konjufcës dhe nuk e ka paraqitur pjesën ku ai thotë se nuk do të kërkojë marrëveshje koalicioni me partitë e tjera.

Në videon e plotë konfirmohet se ai ka shprehur qartë se ky proces nuk do të përfshijë kërkimin e marrëveshjeve të koalicionit.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others