Shkroi: Fatbardh Dema
“Amerika s’e ndalë dorën, do ta ndihmojë Ushtrinë e Kosovës edhe me ‘bisha’ të tjera”, mban përshkrimin një postim i publikuar dje (7 nëntor).
Kjo përmbajtje u publikua në TikTok nga llogaria “fskkrenariajone”.
Çka nuk shkon me këtë publikim?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky lajm është i vjetër, i publikuar në vitin 2018.
Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar me titull të njëjtë, me datë 11 dhjetor 2018 në faqen e portalit “Periskopi.com” në Facebook. (këtu)
Në artikullin e publikuar nga Periskopi.com, citohet portali tjetër “lajmi.net”.
Hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar nga “lajmi.net”, data e së cilit tregon 11 dhjetor 2018, atëkohë kur Ibrahim Shala, zëdhënës i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, kishte treguar se në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka ardhur një kontingjent prej 24 automjeteve të blinduara amerikane të tipit “HMMWV”. (këtu)
“Ky kontingjent është nga kontrata e blerjes kurse në fillim të viti të ardhshëm do të vije kontingjenti tjetër prej 27 HMMWV që është donacion nga SHBA-të”, kishte thënë Shala për lajmi.net.
Analiza:
U publikua një postim me pretendimin se Amerika do ta ndihmojë Ushtrinë e Kosovës me autoblinda.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky lajm është i vjetër (2018) dhe i njëjti u paraqit rrejshëm si aktual.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e publikuar në TikTok si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.