Shkroi: Fatbardh Dema
“Tragjedi në kryeqytet/ Vriten 4 persona, arrestohet 41-vjeçari”, mban titullin një artikull i publikuar të dielën (25 maj) nga portali informativ “zyrtare.net”.
Ky artikull u gjet i publikuar edhe në disa faqe në Facebook si “Zyrtare+”, “Skupi.tv”, “Shkupichanel.mk” e “Maska.al”.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Titulli i këtij artikulli të publikuar në gjuhën shqipe është përgjithësues dhe nuk e specifikon se në cilin kryeqytet ka ndodhur ngjarja. Vetëm pas klikimit në vegëz, ku lexohet përmbajtja e plotë, bëhet e qartë se ngjarja ka ndodhur në Londër, kryeqytetin e Anglisë.
Duke qenë se portali publikon artikuj në shqip dhe i drejtohet një audience shqipfolëse, mungesa e sqarimit në titull mund të shkaktojë keqkuptime, duke lënë përshtypjen e gabuar se ngjarja ka ndodhur në një nga kryeqytetet e vendeve shqipfolëse.

Për ta vërtetuar edhe më shumë se kjo ngjarje ka ndodhur në Londër, hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar në mediume të huaja si “BBC” dhe “Sky News”.
Analiza:
Artikulli me titull përgjithësues “Tragjedi në kryeqytet/ Vriten 4 persona, arrestohet 41-vjeçari”, i publikuar nga “zyrtare.net” dhe shpërndarë në disa faqe në Facebook, nuk e specifikon vendndodhjen e ngjarjes, duke lënë hapësirë për keqinformim se ngjarja ka ndodhur në ndonjë kryeqytet shqipfolës.
Vetëm pas hapjes së artikullit kuptohet se bëhet fjalë për Londrën, kryeqytetin e Anglisë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.