info@hibrid.info
Nuk ka konfirmim se Policia e Kosovës do të hapë konkurs për zyrtarë policorë në qershor
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një fotografi ku shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me mbishkrimin që pretendon se “Konkursi për zyrtarë policorë hapet në qershor”.

Kjo përmbajtje u publikua më 18 maj në TikTok nga një llogari me emrin “lajmet_rrethpolicise”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim zyrtar nga ky institucion, që konfirmon pretendimin.

Përmbajtja deri në momentin e trajtimit ka marrë më shumë se 100 mijë shikime.


Për të vërtetuar pretendimin, hibrid.info kontrolloi ueb-faqen e Policisë së Kosovës. Në seksionin e faqes, Shpallje/Mundësi punësimi, nuk është gjetur asnjë informacion që do ë të vërtetonte se në qershor do të hapet konkurs për zyrtarë policorë (shih këtu).

Hibrid.info, po ashtu ka hulumtuar në faqen e këtij institucioni në Facebook. Në njoftimet e ditëve të fundit, nuk figuron asnjë njoftim për shpallje të ndonjë konkursi për muajin qershor (shih këtu).

Ndërsa, pas kërkimit manual në Facebook, me fjalën kyçe “konkurs”, rezulton se konkursi i fundit i shpallur ishte në janar të këtij viti dhe lidhej me pozita si infermierë dhe drejtues të mjeteve të rënda (shih këtu).

Për të konfirmuar edhe më shumë vërtetësinë e këtij pretendimi, hibrid.info ka shfrytëzuar për hulumtim më të thellë edhe motorin e kërkimit “Google”. Duke kërkuar me fjalët kyçe “policia e kosovës konkurs”, për muajin e fundit, përveç disa njoftimeve të mëhershme për konkurse nga ky institucion, nuk është hasur asnjë njoftim zyrtar i cili do të përputhej me pretendimin.


Analiza

Pretendimi për hapjen në qershor të një konkursi për zyrtarë të rinj policorë nga Policia e Kosovës, nuk konfirmohet nga njoftimet e këtij institucioni.

Megjithatë, nuk dihet nëse një konkurs i pretenduar mund të shpallet ditët në vijim.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e paverifikuar”.        

Arsyetimi

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others