Shkroi: Festim Rizanaj
Ditët e fundit, në mediat sociale janë shpërndarë video me pretendimin se Kina ka “thyer” bllokadën izraelite ndaj Gazës në maj të vitit 2025 dhe ka dërguar ndihma humanitare për popullsinë palestineze.
Në videot e publikuara pretendohet se avionë kinezë kanë depërtuar përmes bllokadës dhe kanë hedhur ndihma ushqimore për fëmijët në Gaza. Pamjet janë nga disa regjistrime të ndryshme, ku shfaqen avionë duke fluturuar në formacion ose duke hedhur pako me parashutë. (këtu, këtu, këtu, këtu, këtu)
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se këto pretendime janë të pavërteta. Në realitet, situata humanitare në Rripin e Gazës mbetet kritike dhe nuk ka asnjë dëshmi që konfirmon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Kinës në formën e përshkruar në këto video.
Ky pretendim në mediat sociale filloi të shpërndahej në një kohë kur Izraeli kishte bllokuar çdo ndihmë humanitare që të hynte në Gaza për tre muaj, duke vënë miliona njerëz në rrezik vdekjeje nga uria.
Edhe pse Kina, si shumë vende të tjera, e ka dënuar bllokadën e ndihmës humanitare të Izraelit për Gazën, nuk ka prova se ajo në të vërtetë e ka thyer bllokadën dhe ka ofruar ndihmë humanitare. Institucionet kineze nuk kanë njoftuar se kanë bërë diçka të tillë, ose se kanë ndërmend ta bëjnë këtë, dhe as bota dhe as media palestineze nuk kanë raportuar për këtë. Për më tepër, kur kërkohet në anglisht në Google për pretendimin se Kina ka “thyer” bllokadën e ndihmës izraelite, një numër artikujsh verifikues faktesh që e hedhin poshtë këtë, shfaqen midis rezultateve të para (këtu).
Pavarësisht qëndrimit kritik të Kinës ndaj bllokadës izraelite dhe pengesave për ndihmat humanitare në Gaza, nuk ekzistojnë dëshmi që vërtetojnë se ajo e ka thyer këtë bllokadë apo ka ndërmarrë aksione konkrete për të dërguar ndihma. Autoritetet kineze nuk kanë bërë asnjë njoftim zyrtar për një ndërhyrje të tillë, dhe as media ndërkombëtare apo palestineze nuk kanë raportuar për ndonjë operacion të tillë humanitar nga Kina. Madje, një kërkim i thjeshtë në Google në gjuhën angleze për pretendimet se Kina ka “thyer” bllokadën izraelite sjell në rezultatet e para artikuj verifikimi faktesh që i hedhin poshtë këto pretendime (këtu).
Pas verifikimeve të kryera, rezulton se pamjet e shpërndara në rrjetet sociale me pretendimin se tregojnë “shpërndarje ndihmash nga Kina në Gaza” janë regjistrime të mëhershme që lidhen me ngjarje krejtësisht të tjera. Një prej videove, ku shfaqen avionë duke fluturuar në formacion trekëndësh, dokumenton në fakt një stërvitje ushtarake të përbashkët midis Kinës dhe Egjiptit, e zhvilluar në fillim të majit 2025. Gjatë këtij ushtrimi, avionët e forcave ajrore të të dy vendeve fluturuan mbi qytetin e Gizës në Egjipt. Madje, në disa prej pamjeve të publikuara me pretendimin se Kina ka “thyer” bllokadën izraelite, duken qartë Piramidat e Gizës, gjë që tregon qartë se nuk kanë asnjë lidhje me Gazën apo ndonjë operacion humanitar atje.
Videot që shfaqin pako ndihmash duke u hedhur me parashuta nga aeroplanët nuk janë të reja dhe nuk lidhen me ndonjë operacion të kryer nga Kina në maj 2025. Ato dokumentojnë aksione humanitare të mëparshme në Gaza, të realizuara nga vende të ndryshme gjatë vitit 2024. Në veçanti, një pjesë e madhe e këtyre videove i përket një operacioni të përbashkët të ndihmës ajrore të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Jordania në mars të vitit 2024.
Sipas raportimit të The Guardian, një fletë e gjetur në një nga pakot e ndihmave të hedhura nga ajri kishte të shtypur një mesazh në gjuhën arabe të vendosur mbi sfondin e flamurit amerikan – një tregues i qartë se ndihmat ishin dërguar nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo mund të vërehet si nga pamja vizuale e parashutave dhe paketave të ndihmës, ashtu edhe nga përputhshmëria e disa kuadrove në videon virale në Facebook me pamjet zyrtare të dokumentuara gjatë atij operacioni. (këtu)
Më 2 mars 2025, Izraeli vendosi një bllokadë të plotë ndaj hyrjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, e cila zgjati për tre muaj. Gjatë kësaj periudhe, rreth 2.1 milionë banorë të Gazës – shumica prej tyre fëmijë – u përballën me mungesë ekstreme ushqimi dhe rrezik urie. Vetëm më 19 maj 2025, për herë të parë pas tre muajsh, ndihma humanitare u lejua të hynte në territor, por në mënyrë simbolike: Izraeli lejoi kalimin e vetëm pesë kamionëve me ndihma. Shefi i ndihmës humanitare të Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher, e përshkroi këtë si një “pikë uji në oqean” në krahasim me nevojat e mëdha dhe urgjente të popullsisë, duke theksuar se është jetike të lejohet hyrja e ndihmës në përmasa shumë më të mëdha.
Analiza:
Disa video u shpërndanë me pretendimin se Kina kishte thyer bllokadën izraelite në Gaza dhe kishte dërguar ndihma humanitare.
Në të vërtetë, nuk ekziston asnjë dëshmi që të mbështesë këto pretendime; videot e publikuara janë përmbajnë pamje nga ngjarje të mëparshme që nuk kanë lidhje me ndonjë ndërhyrje të vërtetë humanitare nga Kina në Gaza.
Bazuar në metodologjinë e punës, këto pretendime vlerësohen si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.