[email protected]
Përmbajtja e vitit 2021 paraqitet rrejshëm si aktuale
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“11.9 milionë euro për ushtrinë e Kosovë DRONËT NGA AMERIKA”, mban mbishkrimin një imazh i publikuar në formë postimi në TikTok.

Kjo përmbajtje u publikua dje (31 tetor) nga llogaria “kosovo.forces” në TikTok.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se lajmi është i vjetër (2021), i cili paraqitet rrejshëm si aktual.


Në pjesën e epërme në imazhin e publikuar në TikTok shfaqet logoja e portalit “indeksonline.net”. Hibrid.info pas hulumtimit të kryer ka arritur të gjejë përmbajtjen e njëjtë të publikuar në këtë portal, i cili shfaq datën e publikimit 26 qershor 2021. (këtu)


Pak kontekst

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, në qershor të vitit 2021 kishte kërkuar rreth 11.0 milionë euro për blerjen e katër dronëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (shih videon këtu)

“Është nevojë që të kemi dronët Puma të cilët planifikojmë t’i blejmë nga SHBA-ja.  Janë 11.9 milion euro dhe kjo shumë paraqet vlerën” kishte thënë ai. (shih këtu artikullin e publikuar nga Reporteri.net)


Në janar të vitit 2022, mediumi online nga Britania e Madhe “Shephardmedia.com”, ka publikuar një artikull me pretendim se Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të pajiset me 40 fluturake të vëzhgimit dhe filmimit nga SHBA-ja. Artikull ky që atëkohë ishte trajtuar nga hibrid.info (këtu).

Por, këtë pretendim të ngritur nga ky medium e kishte hedhur poshtë atëkohë shefi për Komunikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, i cili më 25 janar në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova ka thënë se nuk janë 40 fluturake që janë blerë nga SHBA-ja, por janë 4 të tilla. (këtu)


Analiza:

Me datë 31 tetor u publikuar një përmbajtje në TikTok me mbishkrimin “11.9 milionë euro për ushtrinë e Kosovë DRONËT NGA AMERIKA”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se kjo përmbajtje është e vjetër, e publikuar në vitin 2021 dhe e njëjta është paraqitur rrejshëm si aktuale.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »