info@hibrid.info
Përzgjedhja e fotografisë si (framing) propagandë kornizuese
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj / Hyrije Mehmeti

Pjesëtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), në mëngjesin e së martës (29 korrik), në bashkërendim me KFOR-in, janë përfshirë në operacionin e kërkimit të trupit të një 33-vjeçari në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin Potokut.

Lidhur me këtë, në po të njëjtën ditë, në ora 9:15, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka publikuar në faqen e tij në Facebook një postim lidhur me angazhimin e njësive speciale të zhytjes dhe kërkim-shpëtimit të FSK-së në operacionin për gjetjen e trupit të një mërgimtari në liqenin e Ujmanit.

Në postimin e Maqedoncit shkruan: “Njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin Potokut.

Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”.

Këtë postim ministri në detyrë e ka shoqëruar me gjashtë fotografi. Mirëpo, në të njëjtin postim ka ndërhyrë katër herë gjatë ditës.

Editimet e postimit të Maqedoncit

Sipas historisë së ndërhyrjes së postimit, në këtë të parin shfaqen vetëm tri fotografitë e para të postuara, por jo edhe tri të tjera.

Ndërhyrja e parë në postim është bërë pas 8 minutave, përkatësisht në ora 9:23, ku specifikohet se postimit i është shtuar edhe një fotografi.

Ndërhyrja e dytë është bërë në ora 9:26, ku tregohet se është fshirë një fotografi nga postimi dhe është shtuar një fotografi në postim.

Ndërhyrja e tretë është bërë në ora 9:58, ku sipas historisë së ndërhyrjes specifikohet se janë fshirë dy fotografi nga postimi dhe janë shtuar dy fotografi në postim.

Kurse, ndërhyrja e katërt thuhet se është bërë në ora 18:46. Ky version i fundit ka një ndryshim shumë të vogël gjuhësor. Ndryshimi është nga “ti lehtësohet…” në “t’i lehtësohet…”.

KFOR-i në postimin e Maqedoncit

Krahas kësaj, Maqedonci fjalinë e nis me: “njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot në mëngjes janë angazhuar…” – pra, ai e nis menjëherë me përshkrimin e aksionit dhe rolit të FSK-së, pa hyrje paraprake apo koment personal.

Përmendja e KFOR-it ndodhet në paragrafin e dytë të postimit të ministrit Ejup Maqedonci. Ky paragraf fillon me: “Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile…” dhe brenda tij ndodhet pjesa ku thuhet: “…dhe bashkërendim me KFOR…”.

Në postimin e publikuar nga ministri në detyrë, fotografitë e bashkëngjitura fokusohen kryesisht te pjesëtarët e FSK-së dhe pajisjet e tyre. KFOR-i nuk shihet në asnjë nga fotografitë.

Postimi i Lëvizjes Vetëvendosje

Në postimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE (LVV), të martën, në ora 9:56, është përdorur një fotografi ku shihen automjetet e FSK-së, duke e përforcuar vizualisht mesazhin e pranishëm në titull:
“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”.

Ja disa pika kryesore nga postimi:

  • Titulli i postimit është “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit“, çka i jep ngjarjes një domethënie politike dhe simbolike, përtej aspektit humanitar.
  • Termi “zbarkon” në mbishkrimin e fotografisë “FSK zbarkon në veri të vendit” është një zgjedhje gjuhësore e ngarkuar me konotacione ushtarake, simbolike dhe politike.
  • Teksti citon drejtpërdrejt deklaratat e Maqedoncit nga postimi i tij në orën 09:15, duke përfshirë edhe pjesën për bashkërendimin me KFOR-in, por nuk ka fotografi ku shihen.
  • Edhe në këtë postim, theksi vendoset në angazhimin e FSK-së në Zubin Potok, një komunë me shumicë serbe.

Fotografia ilustruese e përdorur në postimin e LVV-së, ashtu si edhe fotografia e parë në postimin e ministrit Ejup Maqedonci, janë të huazuara nga mediumi informativ Kallxo.com dhe janë publikuar më herët në faqen zyrtare të Kallxo në Facebook.

Elemente të (framing) propagandës kornizuese

Përdorimi i fotografive ku shihen vetëm pjesëtarët e FSK-së dhe pajisjet e tyre, si dhe përdorimi i mbishkrimit “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, kanë lënë hapësirë të interpretimit duke u vlerësuar si formë e propagandës.

Përdorimi i fotografive që fokusohen ekskluzivisht në pjesëtarët dhe pajisjet e FSK-së, si dhe titulli i postimit “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, krijojnë një kornizim simbolik që nxit interpretime të thelluara mbi praninë ushtarake në një zonë të ndjeshme. Kjo strategji vizuale dhe gjuhësore mund të konsiderohet si një formë e propagandës përmes ‘frame-building’, ku përzgjedhja selektive e pamjeve dhe e gjuhës synon të formësojë perceptimin publik për fuqizimin e sovranitetit shtetëror.

Përdorimi i një fotografie të njëjtë nga aktorë të ndryshëm (ministria dhe partia) për qëllime të ndryshme – njëri për informim institucional dhe tjetri për artikulim politik – nënvizon mënyrën se si pamjet mediatike mund të riciklohen për narracione të ndryshme.

Robert Entman shpjegon se “framing” përfshin përzgjedhjen e disa aspekteve të realitetit dhe përforcimin e tyre për të nxitur një interpretim të veçantë, që mund të shërbejë për qëllime politike ose propagandistike.

Ky formulim lidh përdorimin e pamjeve dhe titujve të përzgjedhur me konceptin e “framing” si mjet i njohur propagandistik, i cili përmes selektimit dhe theksimit të elementeve të caktuara ndikon në mënyrën si perceptohet një ngjarje apo akt institucional.

Po ashtu, përdorimi i termit “zbarkon” në mbishkrimin “FSK zbarkon në veri të vendit” përfaqëson një zgjedhje gjuhësore me ngarkesë ushtarake, simbolike dhe politike. Ky është një shembull tipik i asaj që në komunikimin politik njihet si “intensifikim gjuhësor” – përdorimi i fjalëve të fuqishme për të theksuar ndikimin emocional dhe për të ndikuar në perceptimin publik të ngjarjes.

Share With Others