info@hibrid.info
Premtim i parealizuar i LVV-së për shujta falas për nxënësit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

Ky ishte premtim nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, 2021.

Çka ndodhi me premtimin?

LVV fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e vitit 2021 për të formuar qeverinë e vetme, por gjatë katër viteve të qeverisjes nuk e përmbushi premtimin e dhënë për shujta falas për nxënësit.

Analiza:

Në video-materialin e publikuar më 2 shkurt, 2021, në faqen e kryeministrit Albin Kurti, në Facebook, të hasur nga hibrid.info, nga minuta 25:00, mund ta shihni se Kurti thotë, “do të kujdesem që për fëmijët tuaj të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar dhe 160 çerdhe në të gjithë vendin dhe të kemi shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”. (shih këtu).

Shih fotografinë më poshtë:


Premtimi ishte përfshirë edhe në programin qeverisës 2021 – 2025 (shih këtu).

Hibrid.info ka hulumtuar në burimet e informacionit të institucioneve si Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), për të gjetur nëse është publikuar ndonjë vendim që lidhet me premtimin për shujta falas në shkolla, por rezultatet e kërkimit nuk kanë shfaqur diçka të tillë (shih këtu, këtu dhe këtu).

Hibrid.info gjithashtu ka kërkuar përmes makinave të kërkimit për të gjetur artikuj që informojnë për këtë çështje.

Gjatë kërkimit është hasur një video-material i publikuar në faqen e mediumit “kallxo.com”, më 22 shtator të vitit 2023, me titull, “Pse nuk po zbatohet premtimi i LVV-së për shujtat në shkolla?”, ku Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit flet për këtë çështje.

Deklarata e Nagavcit e transkriptuar nga kjo video:

“Në buxhetin e komunave që nga viti i parë i qeverisjes, në planifikimin e vitit të parë të qeverisjes, ne kemi ndarë buxhetin edhe për ofrimin e shujtave, sepse është një çështje që ofrohet nga komunat. Ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, fatkeqësisht komunat me disa përjashtime si komuna e Podujevës dhe disa raste që janë tepër të vogla në krahasim me shumicën, e kanë shfrytëzuar buxhetin për qëllimin për të cilin i është alokuar. Po flas për vitin e parë, në kohën të cilën ne i kemi pasur disa nga raportet. E kam përmendur edhe çështjen e pedagogëve dhe psikologëve, për ata që mund të mos e dijnë, në kuadër të qeverisë planifikohet komisioni i granteve (të shëndetësisë dhe arsimit), ku janë të përfshirë përfaqësuesit e komunave, të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit  dhe të Shëndetësisë, që përcaktohen në bazë të parametrave”.

“Jemi duke shikuar jo vetëm për këtë çështje por edhe për rastet kur ka përdorim të mjeteve apo buxhetit të planifikuar për qëllime të tjera, që të mos bëhet buxheti në atë linjë. Ne kemi marrë të gjitha të dhënat, i kemi diskutuar bashkë me kryeministrin, ministrin e Financave dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal kemi marrë pjesë në një takim me kryetarët e komunave, ku i kemi njoftuar, që buxheti i cili nuk shpenzohet për qëllimin e alokuar, nuk do të ndahet tutje”.


Sipas deklaratave të Nagavcit, kuptohet se qeveria ka ndarë buxhet për komunat për financimin e shujtave në shkolla gjatë vitit të parë të qeverisjes, por komunat nuk i kanë shfrytëzuar mjetet për realizimin e këtij qëllimi. Për këtë arsye, Nagavci theksoi se qeveria u ka bërë të ditur kryetarëve të komunave se, nëse ato nuk e përdorin financimin për qëllimet e alokuara, ndarja e mëtejshme e këtyre mjeteve për komunat nuk do të vazhdojë.

Hibrid.info ka gjetur edhe një artikull të publikuar më 12 dhjetor, 2024, nga mediumi online “albanianpost.com”, ku raportohet se premtimi për shujta falas për nxënësit në tërë vendin nuk është përmbushur.

Në këtë artikull disa nga komunat pretendojnë se qeveria nuk ka ndarë mjete për realizimin e këtij zotimi.

Ndërsa në materialin e fundit të hasur nga hibrid.info, që është një video e publikuar më 22 dhjetor në kanalin zyrtar të televizionit “ATV” në Youtube, me titullin, “As në vitin e 4 të qeverisës Kurti, s’ka shujta për nxënësit në shkolla”, raportohet se mjetet për shujta falas për komunat, të ndara vetëm në vitin e parë të mandatit qeverisës, nuk janë shfrytëzuar nga komunat (ashtu siç pretendoi edhe Nagavci).

Madje në video jepet edhe një deklarim i drejtorit të Arsimit nga Komuna e Gjilanit, i cili shprehet se nga 2025 është planifikuar që kjo komunë ta realizojë projektin për shujta falas dhe raportohet se i njëjti është deklaruar se kjo komunë nuk pret buxhet nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve të shujtave (shih këtu).

Hibrid.info ka gjetur se, sipas raportit të Institutit GAP, “Letërnjoftimi i Komunave” tregohet se, përveç komunës së Podujevës, edhe komuna e Shtimes ka përfunduar premtimin për shujta falas gjatë këtij mandati.

Zotimin për shujta falas në të kaluarën e ka nisur së zbatuari komuna e Prizrenit dhe e kanë realizuar komunat e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Kamenicës.


Përfundimi:

Premtimi për shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën nuk është realizuar.

Në bazë të informacioneve të gjetura nga hibrid.info, është konstatuar se qeveria ka ndarë mjete financiare në vitin e parë të mandatit për komunat për mbulimin e shpenzimeve të këtij zotimi, por i njëjti nuk është përmbushur nga komunat.

Gjatë viteve të tjera të mandatit, qeveria nuk ka ndarë mjete financiare për komunat për realizimin e këtij qëllimi.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, mos realizimin e këtij zotimi, hibrid.info e vlerëson si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katërvjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).

Share With Others