Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi ku shihet Faton Peci, ministri i Bujqësisë, me mbishkrimin “Tërhiqet Prokuroria, ministri Faton Peci i pastër si loti”.
Kjo përmbajtje është publikuar dje (27 maj) në Facebook nga një faqe me emrin “Gazeta Plisi”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Prokuroria Speciale njoftoi se ka përfunduar intervistimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, lidhur mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore.
Mbishkrimi në këtë përmbajtje lë të nënkuptojë se Prokuroria është tërhequr nga hetimet për ministrin Peci dhe se ai është liruar nga dyshimet.
Por, hibrid.info ka gjetur se nga ky institucion kanë deklaruar se ende janë në fazën e hetimit për këtë çështje, duke zhvilluar bastisje dhe kontrolle në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
Çka do të thotë se ende nuk ka një rezultat përfundimtar të konfirmuar nga hetimet e zhvilluara.

Deri në momentin e trajtimit, ky postim ka marrë mbi 1 mijë pëlqime dhe mbi 200 komente.
Në media dje është raportuar se Prokuroria ka intervistuar ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Pecin, lidhur me hetimet mbi dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore. Këto media kanë raportuar se Peci u intervistua në cilësinë e të pandehurit (shih këtu, këtu dhe këtu).
Por, hibrid.info ka gjetur artikuj nga media tjera, të cilat në bazë të deklarimit të Arbnora Lutës, zëdhënëses së Prokurorisë, konfirmohet se Peci u intervistua për disa orë në cilësinë e të dyshuarit për këtë rast. Ai, pas intervistimit nga Njësia e Veçantë Hetimore, u lirua në procedurë të rregullt (shih këtu dhe këtu).
Për të sqaruar më tej se në cilin stad të procedurës ndodhet ministri Peci, Hibrid.info është mbështetur në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas Nenin 19 të Kodit të Proceurës Penale në Kosovë për përkufizimet, i dyshuar konsiderohet personi për të cilin policia ose prokurori i shtetit dyshojnë se ka kryer vepër penale, por ndaj të cilit nuk është filluar hetim ndërsa i pandehur konsiderohet personi kundër të cilit zbatohet procedura penale (shih këtu).
I njëjti kod përcakton se i akuzuar është personi kundër të cilit është paraqitur aktakuza dhe është caktuar shqyrtimi gjyqësor.
Neni 6 i Kodit të cituar, tregon se procedura penale fillon me fillimin e hetimeve
Ndërsa sipas nenit 9 paragrafi 4 të këtij Kodi, nëse prokurori i shtetit vlerëson se gjatë hetuesisë janë mbledhur prova të mjaftueshme për të vazhduar në shqyrtim gjyqësor, prokurori i shtetit harton aktakuzën dhe paraqet faktet mbi të cilat ai e bazon aktakuzën dhe siguron provat për këto fakte.
Hibrid.info ka gjetur një video të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube të mediumit “koha.net”, ku shfaqet Admir Shala, prokurori i Prokurorisë Speciale, i cili iu drejtua mediave dhe tregoi për bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencinë e Veterinarisë, si dhe në lokacionin e kompanisë përfituese si pjesë e hetimeve për dyshimet e dhënies në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore (shih këtu).
Deklarata e plotë e transkriptuar e prokurorit Shala
“Siç e dini, Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu, me autorizimin tonë, policia, së bashku me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme dhe drejt zbardhjes zbardhjes të rastit konkret. Për çështjet më në detaje, nuk mund të lëshohemi për momentin, për shkak se jemi në fazën e hetimit dhe ju lutem që të na kurseni sepse jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve. Bastisjet po zhvillohen në katër lokacione, janë në vijim e sipër dhe për çdo veprim tjetër aq sa na lejohet, do të ju njoftojmë përmes zëdhënëses së Prokurorisë Speciale”.
Bazuar në deklaratat zyrtare dhe kornizën ligjore, është e qartë se rasti ku ministri Faton Peci është i dyshuar apo i pandehur, është ende në fazën e hetimeve dhe se nuk ka konfirmim për mbylljen e rastit apo zhvillim të mëtutjeshëm si rezultat i hetimeve të zhvilluara.
Analiza
Pretendimi se Prokuroria është tërhequr nga rasti i hetimit lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore dhe se ministri Faton Peci, i intervistuar në këtë hetim është i pastër nga këto dyshime, nuk qëndron.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se rasti është ende në fazën e hetimeve dhe se grumbullimi i informacioneve po vazhdon.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.