info@hibrid.info
Pretendim i pavërtetë se Gjermania po dhuron tanke për FSK-në
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 27 maj, në rrjetin TikTok, llogaria me emrin “forca.kosovefsk” ka publikuar një video ku shfaqen pamje të një tanku në lëvizje në zona të ndryshme.

Në video është vendosur mbishkrimi “Tanks German for Kosove-FSK”, duke pretenduar se ky mjet ushtarak gjerman është duke ardhur në Kosovë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Megjithatë, pas verifikimit të fakteve nga platforma Hibrid.info, është konstatuar se pretendimi është i pavërtetë. Tanku i paraqitur në video është një model turk dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë dërgesë apo angazhim për FSK-në.

Çka gjeti hibrid.info?

Pas analizës së sekuencave të videos së publikuar dhe të pretendimit të ngritur, Hibrid.info arriti të identifikojë burimin origjinal të videos. Gjatë verifikimit të fakteve u konstatua se tanku i paraqitur është një model turk, konkretisht Aselsan, prodhuar nga kompania e mbrojtjes turke, FSSN .

Videoja është publikuar për herë të parë para dy vjetësh në kanalin zyrtar në YouTube të revistës së  Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë. Ajo përmban pamje prezantuese të prodhimit dhe karakteristikave teknike të një modeli tanku turk, në kuadër të modernizimit të pajisjeve ushtarake të ushtrisë turke. (këtu)

Ky fakt konfirmon se videoja nuk ka asnjë lidhje me ndonjë dërgesë të tankeve për FSK-në, ndërsa pretendimi i publikuar në TikTok rezulton të jetë i pavërtetë dhe dezinformues.


Analiza:

Llogaria në TikTok “forca.kosovefsk” ka publikuar një video duke pretenduar se një tanke gjerman është duke ardhur në Kosovë për FSK-në.

Verifikimi nga Hibrid.info ka treguar se videoja është marrë nga një material i publikuar dy vite më parë nga Industria e Mbrojtjes së Turqisë dhe paraqet një tank turk, pa asnjë lidhje me FSK-në.

Bazuar në metodologjinë e punës për verifikimin e fakteve, Hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others