Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen video-materiale të cilat shfaqin Emmanuel Macron, presidentin e Francës ulur me Keir Starmer, kryeministrin britanik dhe Friedrich Merz, kancelarin gjerman Friedrich Merz në një tren që udhëtonte nga Polonia në Ukrainë.
Videot që shfaq Macronin duke e tërhequr shpejt një objekt të bardhë nga tavolina me dorën e djathtë, pastaj duke e zhvendosur në dorën e majtë dhe poshtë tavolinës, është publikuar nga një faqe në Facebook, me emrin “The Reis”, me pretendimin se bëhet fjalë për qese kokaine, të cilën presidenti francez shihet teksa e fsheh.
Faqja “The Reis” ka publikuar dy video më 11 maj,me këtë pretendim. Videoja e parë kap momentin nga afër dhe është e shkurtër në kohë zgjatje, në krahasim me videon e dytë, e cila ka kuadër më të gjerë të pamjes.
Por, hibrid.info ka gjetur se pretendimi nuk qëndron.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes programit të automatizuar të kërkimit, “InVID” dhe ka gjetur se videoja është publikuar në pothuajse të gjitha mediat sociale (Facebook, “X”, Instagram, Telegram, Reddit etj) nga publikues të ndryshëm, me këtë pretendim (shih këtu).
Që do të thotë se pretendimi fillimisht nuk është publikuar në gjuhën shqipe.
Duke hulumtuar me anë të motorit të kërkimit “Google”, hibrid.info hasi në një artikull të publikuar në mediumin me bazë në Indi, “Bussiness-Standard”, ku tregohej se në bazë të mediave franceze si Libération dhe agjencitë e lajmeve AFP dhe Associated Press, objekti për të cilën u pretendua se ishte kokainë e fshehur nga presidenti Macron, në fakt ishte thjesht një shami e mbështjellë në formë topi dhe e vendosur mbi tavolinë (shih këtu).
Hibrid.info kërkoi në mediat franceze të përmendura dhe gjeti një artikull të trajtimit të këtij pretendimi, nga “liberation.fr”, ku hedhej poshtë pretendimi (shih këtu).
Artikulli i titulluar “Jo, Emmanuel Macron nuk e fshehu kokainën e marrë me Friedrich Merz dhe Keir Starmer në tren për në Kiev.” përdor fotografi dhe video me cilësi të lartë, si ato të bëra nga agjencitë e lajmeve AFP ose AP, për të vërtetuar se qesja misterioze me pluhur të bardhë është në të vërtetë një shami e mbështjellë në formë topi që ndodhej mbi tavolinë përpara se Keir Starmer dhe kamerat të mbërrinin në kabinë, ku ndodheshin tashmë Macron dhe Merz.
Gjithashtu, në llogarinë zyrtare të presidencës franceze në “X”, është gjetur një postim i djeshëm (11 maj), ku sqarohet situata dhe mohohet pretendimi në fjalë (shih këtu).

Analiza
Pretendimi sipas të cilit presidenti francez Emmanuel Macron shihet duke fshehur një qese kokaine gjatë një udhëtimi me tren drejt Ukrainës nuk qëndron.
Pamjet tregojnë se objekti në fjalë ishte një shami e bardhë e mbështjellë në formë topi, dhe jo substancë narkotike.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si ”Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.