info@hibrid.info
Pretendime të pabaza për përjashtimin e tifozëve nga Kosova për biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 12 maj 2025, tabloidi serb Kurir ka publikuar një artikull të titulluar me tone senzacionaliste: “Shqiptarët, për shkak të Serbisë, shiten banorët e të ashtuquajturës Kosovë! Në Prishtinë të zemëruar: Kjo është tronditje, skandal dhe tradhti!”.

Artikulli pretendon se Federata Shqiptare e Futbollit ka përjashtuar qëllimisht qytetarët e Kosovës nga mundësia për të blerë bileta për ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, midis Shqipërisë dhe Serbisë që do të luhet më 7 qershor në Tiranë.

Sipas Kurir, ky veprim është interpretuar në Prishtinë si skandal dhe akt tradhtie ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke pretenduar se Tirana po i “sakrifikon” qytetarët e Kosovës për të shmangur tensione me Serbinë. Artikulli si referencë ofron deklarata të tifozëve për RTK, si dhe vetë mekanizmi i shpërndarjes së biletave, paraqitet si provë e këtij përjashtimi të qëllimshëm.

Çka po pretendohet?

Më 12 maj 2025, disa media serbe, përfshirë Kurir, Novosti dhe Informer, publikuan artikuj me pretendimin se “shqiptarët për hir të Serbisë i tradhtuan banorët e Kosovës”. Artikujt raportojnë për një vendim të Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit qytetarët me pasaportë të Kosovës nuk do të kenë të drejtë të blejnë bileta për ndeshjen e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kjo masë, sipas tyre, ka shkaktuar “zemërim, skandal dhe ndjenjë tradhtie” në mesin e tifozëve shqiptarë në Kosovë, duke iu referuar deklaratave të tifozëve për RTK.

Në artikuj përmendet edhe një aplikacion që do të përdoret për përzgjedhjen e tifozëve që do të kenë të drejtë të blejnë bileta, me kufizim maksimal prej katër biletash për person.

Ky pretendim u përhap duke u publikua nga portali informativ në gjuhën shqipe lecanton.ch në Zvicër.

Çka dihet deri më tani?

Artikujt e publikuar nga mediat serbe pretendojnë se reagimet e tifozëve nga Kosova, të cilët kanë shprehur zemërim dhe pakënaqësi përmes deklaratave të dhëna për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), përbëjnë burimin e tyre. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar apo raportim të drejtpërdrejtë nga RTK që vërteton përjashtimin e qytetarëve me pasaportë të Kosovës nga mundësia për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi të planifikuar për 7 qershor 2025. Një shqyrtim i burimeve të disponueshme nuk ka identifikuar ndonjë lajm apo deklaratë të RTK-së mbi këtë çështje.

Megjithatë, sipas informacioneve publike, FSHF ka prezantuar një sistem të ri të shitjes së biletave përmes një aplikacioni online, i cili do të aktivizohet më 15 maj. Ky sistem parasheh që çdo person mund të aplikojë për bileta dhe më pas përzgjedhja e blerësve do të bëhet në mënyrë të rastësishme (me short). Personat e përzgjedhur do të kenë të drejtë të blejnë deri në katër bileta, të cilat duhet të paguhen brenda periudhës 30 maj – 2 qershor.

Aplikimi kërkon verifikim me një dokument zyrtar identifikimi, por nuk është bërë ndonjë njoftim i qartë apo zyrtar që përjashton qytetarët me pasaportë të Kosovës nga kjo procedurë. Megjithatë, për shkak të mënyrës së kontrollit të të dhënave personale dhe mungesës së detajeve transparente nga FSHF, dyshimet për përjashtim të heshtur ndaj një kategorie të caktuar mbeten të pranishme në diskursin publik dhe mediatik.


Analiza:

Mediat serbe pretendojnë se qytetarët me pasaportë të Kosovës janë përjashtuar nga blerja e biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi, duke cituar reagime të tifozëve për RTK, ndonëse mungon një konfirmim zyrtar nga ky medium.

Biletat do të shiten përmes një aplikacioni online me identifikim zyrtar, dhe përzgjedhja e blerësve do të bëhet në mënyrë të rastësishme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëson si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others