Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Pretendimi i pabazuar se një “top zjarri” u lëshua nga Kosova drejt Serbisë

FESTIM RIZANAJ

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Pretendimi se “topi i zjarrit” u lëshua nga Kosova drejt Serbisë nuk faktohet dhe është mohuar nga Policia e Kosovës.

Një pretendim i publikuar fillimisht nga portali serb Informer më 23 gusht 2026 thotë se një pajisje ndezëse, e cilësuar si “vatrena lopta” (top zjarri), është lëshuar nga territori i Kosovës drejt Serbisë, në drejtim të zonës së Bërnjakut, me qëllim shkaktimin e zjarreve.

Informer e paraqiti ngjarjen në mënyrë kategorike, duke e cilësuar në titull si “sulm terrorist nga territori i Kosovës”.

Çka dihet rreth këtij pretendimi?

Pretendimi u publikua për herë të parë nga Informer, duke cituar pamje dhe burime jozyrtare, dhe më vonë u mor nga Blic, Alo, Srbija Danas, Republika, dhe të tjerë. Disa media e kanë etiketuar tashmë ngjarjen në titujt e tyre si një sulm të mundshëm ose edhe një “sulm terrorist”, raporton Kossev.

Sipas këtij raportimi, pajisja është gjetur në fshatin Bërnjak dhe, për shkak se nuk shkaktoi zjarr, Informer pretendoi se qëllimi i saj “me sa duket” kishte qenë ndezja e zjarrit. Portali publikoi gjithashtu një video për të cilën pretendon se tregon “topin e zjarrit” duke ardhur në drejtim të territorit të Serbisë. Ndërkohë, sipas burimeve jozyrtare të cituara nga Informer, për rastin janë njoftuar Policia e Novi Pazarit dhe prokurorja kujdestare, Sanja Mrljesh, e cila dyshohet se ka urdhëruar këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Pretendimi u përforcua më tej nga deklaratat e Bozhidar Spasiq, ish-pjesëtar i shërbimeve të inteligjencës serbe, i cili e përshkroi pajisjen si një mjet ndezës dhe e cilësoi rastin si “sulm të drejtpërdrejtë”. Spasiq pretendoi gjithashtu se pas ngjarjes mund të qëndronin “ekstremistë shqiptarë” nga Kosova.

Megjithatë, këto janë vlerësime dhe supozime të tij, dhe nuk paraqiten si rezultat i një ekspertize forenzike apo hetimi zyrtar.

Ndërkaq, më 24 gusht 2026, Policia e Kosovës reagoi ndaj këtyre raportimeve duke i mohuar pretendimet se pajisja ishte lëshuar nga territori i Kosovës drejt Serbisë. Sipas reagimit të Policisë së Kosovës, asnjë institucion i Kosovës nuk ka përdorur një armë të tillë dhe njësitë e Policisë së Kosovës nuk kanë evidentuar ndonjë rast ku një pajisje e tillë të jetë hedhur apo lëshuar nga territori i Kosovës në drejtim të Serbisë.

Policia e Kosovës tha se reagimi bëhet “në funksion të informimit të saktë dhe parandalimit të përhapjes së dezinformatave”, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet që qarkulluan në disa media serbe se zjarri në zonën e Bërnjakut ishte shkaktuar nga Kosova. Sipas Policisë së Kosovës, nuk ka pasur njoftim nga njësitë e saj për ndonjë mjet të tillë që të jetë hedhur nga territori i Kosovës në territorin e Serbisë.

Në informacionin publik, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare të veçantë as nga Ministria e Brendshme e Serbisë ose nga zyra e prokurorit kompetent që do të konfirmonte se objekti është qëlluar me të vërtetë nga territori i Kosovës, me çfarë mjetesh është qëlluar, kush e ka qëlluar ose me çfarë motivi.

Si rrjedhojë, pretendimi se “nga Kosova është lëshuar një pajisje ndezëse drejt Serbisë me qëllim shkaktimin e zjarreve dhe se bëhet fjalë për një sulm terrorist” mbetet i pakonfirmuar dhe i pambështetur me prova të mjaftueshme.


Analiza:

Informer pretendoi se një “top zjarri” ishte lëshuar nga territori i Kosovës drejt Bërnjakut me qëllim shkaktimin e zjarrit, duke e cilësuar ngjarjen si “sulm terrorist”.

Megjithatë, nuk janë paraqitur prova që dëshmojnë origjinën e pajisjes, autorësinë apo lidhjen e saj me Kosovën.

Policia e Kosovës i mohoi këto pretendime, duke deklaruar se nuk ka pasur përdorim apo lëshim të një pajisjeje të tillë nga territori i Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëso si “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere