info@hibrid.info
Pretendohet njëanshëm dhe para kohe se LVV-ja gënjeu për rrugën Prizren-Tetovë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull i titulluar “VV-ja gënjeu keq për rrugën Prizren-Tetovë”.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (13 maj) nga mediumi online “Nacionale.com”.

Çka nuk shkon me përmbajtjen?

Hibrid.info ka vërejtur se përfundimi i paraqitur në titull është mbështetur në një burim të vetëm.


I njëjti artikull është publikuar edhe në mediumin tjetër online “Demokracia.com” (shih këtu).

Që në fillim të artikullit tregohet se ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë, nuk ka të ngjarë të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme, sipas Nazim Taipit, nënkryetarit të Aleancës për Shqiptarët (ASh), subjekt politik i cili u largua nga koalicioni VLEN, duke e braktisur edhe qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski në Maqedoninë e Veriut (shih këtu).

Taipi deklaratën e ka bërë në një intervistë në emisionin Daily Click në TV 21, vegëzën e së cilës mediumi e ka përfshirë në tekst (shih këtu).

Në artikull përmendet një deklarate e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski, i cili kishte deklaruar se pret që ky projekt të realizohet jo më pak se 4 deri në 5 vjet (shih këtu).

Por, në një video të hasur në Youtube të publikuar (janar, 2025) në kanalin e mediumit “Tv Prizreni”, tregohet se nga pala maqedonase nuk ka nisur ende ndërtimi i rrugës (shih këtu).

Ndërsa në deklarimet e përfshira në tekst të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përveç detajeve të projektit, nuk vërehet se ata kanë përmendur afat të caktuar për realizimin e tij (shih këtu dhe këtu).

Kërkimet e hibrid.info kanë gjetur se punimet në këtë rrugë nga ana e Qeverisë së Kosovës, kanë nisur nga gushti i vitit të kaluar (shih këtu).

Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur po ashtu se ndërtimi i rrugës Prizren-Tetovë, parashihej në programin zgjedhor (2025-2029) të LVV-së, me anë të cilit ky subjekt garoi në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit (shih këtu).

Megjithatë, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe qeveria nuk është votuar. Pavarësisht se LVV ka dalë si subjekti i parë në zgjedhje, pjesëmarrja e saj në qeveri ende nuk është konfirmuar, që nënkupton se vazhdimi dhe përfundimi i këtij projekti, mund të mos varet nga ky subjekt politik.

Të gjitha këto gjetje tregojnë se nuk dihet nëse rruga Prizren-Tetovë do të përfundohet brenda katër viteve të ardhshme, por është herët të konstatohet se LVV ka mashtruar në lidhje me përfundimin e saj.


Analiza

Pretendimi se LVV ka gënjyer për rrugën Prizren-Tetovë, nuk qëndron.

Ky pretendim bazohet vetëm në një burim, që është deklarimi i një zyrtari të ASh-së, i cili është shprehur se rruga nuk do të përfundojë në katër vitet e ardhshme. Hibrid.info ka konstatuar se ende nuk është e qartë nëse rruga do të përfundojë apo jo brenda periudhës së përmendur.

Andaj bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Raportim i njëanshëm”.

Arsyetimi

Vlerësim si “Raportim i njëanshëm” merr ajo përmbajtje informative e cila vërehet qartë se bën favorizim të fakteve, qëndrime dhe përfundime që përputhen me një narrativë të veçantë, shpesh duke mos respektuar rregullin e kontaktit me palën tjetër kur bëhet fjalë për pretendime që janë të dëmshme për reputacionin e dikujt ose të portretizuar nga akterë të caktuar me një qasje negative. Një nga format e raportimit të njëanshëm është paraqitja selektive e fakteve, ku theksohen fakte që mbështesin një tezë të caktuar, ndërsa faktet që nuk e konfirmojnë atë janë lënë pas dore.

Share With Others