Shkroi: Sefer Zogaj
Është pretenduar se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut Veton Elshani është përgëzuar gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “luftimin e terrorizmit serb në veri të Kosovës”.
Pretendimi është bërë nga llogaria në Facebook “Lule Gjeli” nëpërmjet një postimi të publikuar të enjten më 24 tetor.
E vërteta?
Pas verifikimit nga hibrid.info, rezulton se gjatë vizitës të Elshanit në SHBA nuk është përmendur “luftimi i terrorizmit në veri”.
Llogaria në Facebook “Lule Gjeli” pretendon se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani është pritur në Shtëpinë e Bardhë dhe se atje është falënderuar për “luftimin e terrorizmit serb në veri”.
Deri në trajtimin e këtij postimi, ky postim ka marrë 76 pëlqime, 12 komente dhe 22 shpërndarje.
Postimi u shpërnda edhe nga faqja në Facebook “Diaspora me Albinin”, e cila ka marrë rreth 1 mijë e 900 like, 205 komente e 89 shpërndarje.
Cila është e vërteta?
Kërkimet e hibrid.info kanë gjetur se në disa publikime në faqen e Policisë së Kosovës në Facebook, tregohet se Drejtoria e Përgjithshme e Kosovës (në mesin e tyre edhe Veton Elshani) ka marrë pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë 2024 në Boston, Massachusetts (25 tetor) dhe ka qëndruar në New York (25 tetor), ku zyrtarët kosovarë kanë zhvilluar takime me zyrtarë të institucioneve të sigurisë (shih këtu dhe këtu).
Në përshkrimet nga këto vizita, në të dy publikimet është treguar se në konferencën në Boston, nga Policia e Kosovës është prezantuar rasti i sulmit në Banjskës, që u vlerësua shumë lart, si njëri nga rastet më të suksesshme të menaxhuara nga ky institucion, sipas asaj që thuhet në këto publikime.
Në komunikatë përmendet mënyra sesi Policia e ka menaxhuar sulmin e 24 shtatorit në Banjska, por në asnjë rast nuk specifikon Veton Elshanin siç pretendohet që “është falënderuar për luftimin e terrorizmit serb”.
Derisa Qeveria e Kosovës e kishte cilësuar si terrorist, sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit (shih këtu), rezultatet nga kërkimet e hibrid.info në motorin e kërkimit online, “Google”, tregojnë se SHBA-ja në reagimet publike e ka dënuar ngjarjen, duke kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë, por nuk e ka vlerësuar sulmin si terrorist (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani, gjatë vizitës në SHBA, është falënderuar për luftimin e terrorizimit serb ne veri, është i pasaktë.
Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për pjesëmarrje në një konferencë ku është prezantuar menaxhimi i rastit të sulmit në Banjskë nga Policia e Kosovës, ngjarje e cila nuk cilësohet si sulm terrorist nga SHBA-ja.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Ky artikull është përgatitur si pjesë e projektit ‘Kundër Dezinformimit përmes Inovacionit dhe Mësimit Eksperimental’, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Artikulli është verifikuar nga ekipi i Hibrid.info dhe ekspertët e angazhuar për të siguruar përputhjen me metodologjinë tonë për verifikimin e fakteve. Ky artikull përmban verifikime të mirëfillta, por nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Hibrid.info apo të Ambasadës së SHBA-së.