info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm se pas fitores së Listës Serbe flamujt serbë janë rikthyer në veri
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një postimi të publikuar në Facebook nga faqja “Universal”, është pretenduar se pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetor, në pjesën veriore të Mitrovicës janë rikthyer flamujt dhe simbolet shtetërore të Serbisë.

Në këtë postim shfaqet edhe një fotografi që paraqet një pjesë të Mitrovicës së Veriut, ku shihen flamujt serbë.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë raportim në media kredibile, që do ta faktonte këtë pretendim. Gjithashtu, fotografia e paraqitur në postim është e vjetër.


Hibrid.info ka hulumtuar përmes Google me fjalët kyçe “Pas fitores në zgjedhje të Listës Serbe, rikthehen flamujt serbë në veri të Mitrovicës”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë artikull të publikuar në media kredibile me pretendim të njëjtë. (shih këtu)

Pas kërkimit përmes programit të automatizuar “InVID”, u vërtetua se fotografia e përdorur në postimin e faqes “Universal” është e vjetër. Ajo u gjet e publikuar me datë 12 janar 2024 nga media online në gjuhën serbe “Kossev.info”.


Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës

Në zgjedhjet lokale, kandidatët e Listës Serbe kanë fituar në të katër komunat veriore të Kosovës pa balotazh. Në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojeviq siguroi 60.09% të votave. Në Leposaviq Zoran Todiq fitoi me 73.28%, në Zubin Potok Millosh Peroviq mori 70.58%, ndërsa në Zveçan Dragisha Milloviq doli i pari me 84.99% të votave. (shih këtu)


Analiza

Faqja “Universal” në Facebook ka publikuar një postim ku pretendohet se pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë rikthyer flamujt serbë në veri të Mitrovicës, duke shoqëruar pretendimin me një fotografi që tregon simbole të Serbisë në këtë pjesë të qytetit.

Megjithatë, pas verifikimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim medial i besueshëm që e konfirmon këtë pretendim. Për më tepër, përmes mjetit të analizës “InVID” është vërtetuar se fotografia e përdorur është e vjetër dhe daton nga 12 janari 2024, kur ishte publikuar nga portali serb “Kossev.info”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others