info@hibrid.info
Publikohen në TikTok përmbajtje mashtruese në emër të Postës së Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet dy postimeve në TikTok, një llogari ka pretenduar se po ofron për shitje produkte të padorëzuara apo të humbura që nuk janë tërhequr nga klientët e Postës së Kosovës.

Llogaria “posta.e.kosoves” ka bërë dy publikime me këtë pretendim më 6 nëntor.  Aty pretendohet se njerëzit mund të marrin “tri produkte surprizë për vetëm 8 euro”. Madje sipas pretendimit, në këto “pako surprizë” mund të ketë pajisje teknologjike, produkte kozmetike, veshmbathje, telefona, artikuj shtëpiakë e produkte të tjera.

E vërteta?

Kjo nuk është faqe zyrtare e Postës së Kosovës në median sociale, TikTok. Pas verifikimit të fotografive del se ato nuk janë të Postës së Kosovës, por të marra në internet dhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Po ashtu, Posta e Kosovës ka reaguar duke lajmëruar se nuk shet dërgesa të padorëzuara te klientët dhe ka apeluar për kujdes nga llogari të tilla.

Çka thuhet në publikime?

Llogaria në fjalë ka bërë dy publikime me disa fotografi. Në postimin e parë janë dy fotografi në të cilat shihen pako me produkte dhe me një logo me mbishkrimin “Posta e Kosovës”. Në këtë postim theksohet se çdo pako që pretendohet se po shitet për 8 euro i ka tre artikuj të ndryshëm. Aty janë dhënë edhe çmimet e transportit, ndërsa është pretenduar se sasia është shumë e kufizuar dhe produktet mbarojnë shpejt.

Për këtë postim, hibrid.info i ka verifikuar fotografitë nëpërmjet platformës për kontrollin e përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale “Hivemoderation”. Vlerësimi i saj ka treguar se bëhet fjalë për përmbajtje “99.1 për qind” të gjeneruar nga AI.

Për më shumë, logoja e pretenduar që paraqet Postën e Kosovës në këtë postim, është marrë nga logoja e Postës së Shqipërisë (shih këtu).


Edhe në postimin e dytë, kjo llogari ka publikuar fotografi të pakove që ngjajnë në dërgesa postare. Aty është thënë se bëhet fjalë për “njoftim zyrtar nga Posta” e se “oferta është e vlefshme për një periudhë 10-ditore”.

Në këtë rast, hibrid.info ka verifikuar nëpërmjet programit të automatizuar “InVID” dhe ka gjetur se bëhet fjalë për fotografi që kanë qarkulluar më herët në internet. (shih këtu dhe këtu)


Dy publikimet deri në momentin e trajtimit nga hibrid.info kanë marrë mbi 100 mijë shikimet bashkë. Përmbajtjet kanë marrë më shumë se 550 pëlqime e 11 komente në të cilat vërehet se lexuesit e kanë marrë të mirëqenë përmbajtjen duke pyetur “si mund të bëhet porosia?”


Më 7 nëntor, për llogarinë ka reaguar edhe faqja zyrtare e Postës së Kosovës në Facebook. Ajo ka njoftuar se faqja që paraqitet në emër të saj në TikTok është mashtrim.

“Posta e Kosovës Sh.A. njofton se të gjitha dërgesat postare trajtohen vetëm sipas procedurave zyrtare. Posta e Kosovës NUK shet dërgesat e padorëzuara te klientëve. Ju bëjmë thirrje të verifikoni gjithmonë burimin e lajmeve dhe të keni kujdes nga faqet e paidentifikuara që mund të keqpërdorin emrin e Postës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.


Analiza:

Në TikTok është shfaqur një llogari mashtruese që pretendon se po shet “pako surprizë” me produkte të padorëzuara të Postës së Kosovës.

Verifikimet tregojnë se imazhet janë të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe nuk janë të Postës së Kosovës.

Posta e Kosovës ka reaguar, duke njoftuar se nuk shet dërgesa të padorëzuara dhe ka bërë thirrje për kujdes ndaj faqeve të rreme.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson publikimet nga kjo llogari si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others