[email protected]
Rritje e llogarive në TikTok duke publikuar keqinformata për institucionet e sigurisë në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Hibrid.info gjatë monitorimit ditor të përmbajtjeve online në median sociale TikTok, ka hasur në një llogari me emrin “mtrks25”, e cila publikon video e imazhe që kanë të bëjnë kryesisht me ushtri.

Një numër i konsideruar i tyre janë të pavërteta. Në disa nga këto përmbajtje të rreme janë keqpërdorur emrat e institucioneve të sigurisë në Kosovë, si Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës.

Hibrid.info që nga nëntori i vitit 2023 ka verifikuar përmbajtjet që publikon kjo llogari. Deri më sot (31 tetor), hibrid.info ka verifikuar gjithsej 21 përmbajtje të kësaj llogarie, të cilat bazuar në metodologjinë e punës janë vlerësuar si lajme të rreme dhe dezinformata.

Kjo llogari, deri në shkrimin e këtij artikulli numëron mbi gjysmë milioni pëlqime e mbi 13 mijë ndjekës.

Në muajin nëntor 2023 u verifikuan dy përmbajtje të publikuara nga kjo llogari, me pretendime si “Turqia i ka dhuruar Kosovës tanke dhe raketa” e se “Kosova ka pranuar armatim ushtarak si donacion”.

Në dhjetor, u verifikuan gjithsej tetë përmbajtje keqinformuese me pretendime si “Kosovës do t’i dhurohen dronë ushtarakë”, “Kosovës do t’i dhurohen pajisje ushtarake”, “SHBA-të i kanë dhuruar Kosovës një helikopter”, “Kosovës do t’i dhurohen donacione ushtarake”, “Kosovës do t’i dhurohen dronë dhe helikopter”, “Turqia do t’i dhurojë raketa Kosovës”, “manovra në kufirin Kosovë-Serbi” dhe “donacion të pajisjeve ushtarake nga Turqia”.

Gjatë janarit të këtij viti, hibrid.info ka verifikuar tri përmbajtje keqinformuese që rezultuan të jenë të rreme. Në njërën video u pretendua se pamjet shfaqin ushtrime të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, por që në fakt pamjet paraqesin stërvitjet ushtarake të forcave të Azerbajxhanit.

Në përmbajtjen tjetër, u pretendua se video paraqet stërvitjen e forcave ushtarake në Kosovë, në kufirin me Serbinë, por që në fakt pamjet tregojnë ushtarët ukrainas.

Ndërsa në një përmbajtje tjetër të publikuar në janar, u pretendua rrejshëm se Turqia do t’i dërgojë 10 mijë trupa ushtarake shtesë në Kosovë.

Në muajin shkurt u verifikua një përmbajtje keqinformuese përmes së cilës u pretendua se “ka filluar testimi i mjeteve të rënda ushtarake në Kosovë”. Ndërsa në mars u verifikuan tri përmbajtje keqinformuese që pretendonin se “FSK tashmë është furnizuar me pajisje të rënda ushtarake”, “pamjet paraqesin një automjet ushtarak të rrokullisur afër kufirit me Serbinë” dhe “për gjuajtje me armë në kufi të Kosovës”.

Gjatë prillit u trajtuan dy përmbajtje keqinformuese, në njërën nga to u pretendua rrejshëm se “ushtria shqiptare u nis për Kosovë” e tjetra se pamjet paraqesin ushtrinë serbe në kufi me Kosovës.

Pas kësaj serie, kjo faqe ka pasur rënie të publikimeve gjatë muajve maj, qershor dhe korrik. Ndërkohë në gusht hibrid.info ka vërejtur se llogaria u është kthyer publikimeve të përmbajtjeve të ngjashme.

Në gusht, përmes një videoje, kjo llogari ka pretenduar rrejshëm se ushtria turke po dërgon dron e helikopter në Kosovë.

Ndërsa edhe në muajin shtator, hibrid.info ka trajtuar një përmbajtje keqinformuese, përmes së cilës pretendohet se njësia speciale, në bashkëpunim me forcat turke, ka arrestuar disa persona të komunitetit serb dhe ka konfiskuar armatim të rëndë në veri.


Gjatë kësaj jave, hibrid.info ka hasur edhe në një llogari tjetër në TikTok, me emrin “fskkrenariajone”.

Kjo llogari ka nisur të publikojë përmbajtje që kanë të bëjnë me ushtri, e përmbajtja e parë është publikuar ditë më parë.

Hibrid.info ka trajtuar një përmbajtje keqinformuese të publikuar nga kjo llogari, e cila rezultoi të jetë e rreme, përmes së cilës u pretendua rrejshëm se Turqia do t’i japë aeroplanë luftarak Kosovës.


Në raportin monitorues për periudhën korrik 2023 – qershor 2024 të publikuar nga hibrid.info, rezultoi se prej gjithsej 818 artikujve keqinformues të monitoruar nga “hibrid.info” për këtë periudhë, 129 prej tyre ose 16% kanë përfolur institucione dhe organizata të ndryshme të Kosovës ose edhe të huaja që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë.

Prej këtij numri të përmbajtjeve keqinformuese (129) në të cilat janë përfolur institucionet, Forca e Sigurisë së Kosovës është përfolur më së shumti prej 33% të artikujve keqinformes për armatosjen, blerjen e pajisjeve të reja për FSK-në, fonde për FSK-në dhe tema të tjera në ndërlidhje me këtë institucion të sigurisë. (shih raportin)

Share With Others

Translate »