info@hibrid.info
Shtrembërohet deklarata e shefit të zyrës së BE-së në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një artikulli pretendohet se shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se afrimi i Kosovës drejt BE-së nuk mund të ndodh me argumentin se Serbia “është duke vepruar keq me Kosovën”.

Ky artikull me këtë pretendim u publikua dje (29 maj) nga portali informativ në gjuhën shqipe “Ntv.al”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se Orav nuk ka thënë një deklaratë të tillë.


Deklarata e Orav e paraqitur në artikullin e publikuar nga mediumi “ntv.al”, nënkupton se ai deklaruar se institucionet e Kosovës deri më tani kanë provuar të afrojnë vendin me BE, me qasje viktimizuese, duke argumentuar se Serbia po sillet keq në raport me shtetin që ata përfaqësojnë.

Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info gjeti se ky artikull fillimisht është publikuar me datë 28 maj nga portali “AlbanianPost.com”.

Në këtë artikull thuhet se Orav gjatë një fjalimi të organizuar në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ka thënë se “autoritetet kosovare mund ta afrojnë vendin drejt Unionit, por një gjë e tillë nuk mund të ndodh me argumentin se Serbia “është duke bërë edhe më keq”. Sipas tij krahasimet me vendet fqinje nuk ndihmojnë në këtë drejtim.

Pra, nga ky artikull sqarohet se nëpërmjet kësaj deklarate, Orav ka pretenduar se Kosova ka përdorur diskurs krahasues në raport me vendet fqinje, për të qenë më afër BE-së. 


Për ta vërtetuar edhe më shumë deklaratën e ambasadorit të BE-së në Kosovë, hibrid.info ka gjetur edhe pamjet e kësaj konference. (shih videon këtu nga minuta 8:40).

Deklarata e Orevit, e përkthyer në shqip:

“Kosova paraqet një rast të veçantë. Për fat të keq, pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e saj, çka i vë politikanët kosovarë përballë një situate edhe më të ndërlikuar: të dëshmojnë se janë në gjendje t’i përmbushin detyrimet dhe ta çojnë vendin drejt anëtarësimit në BE. Prandaj, argumentet se vendet fqinje që mund të jenë në gjendje më të keqe, nuk e ndihmojnë aspak afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”.


Pra, portali “Ntv.al” ka marrë përmbajtjen nga AlbanianPost.com, por ka deformuar tekstin duke zëvendësuar frazën e përdorur nga Orav, “është duke bërë edhe më keq” me “është duke vepruar keq me Kosovën”, si dhe duke hequr pjesën ku Orav nënvizon se krahasimet me shtetet fqinje nuk janë të dobishme.


Analiza:

Artikulli i “Ntv.al” pretendoi se ambasadori i BE-së, Aivo Orav, ka thënë që afrimi i Kosovës me BE-në nuk mund të ndodhë me argumentin se Serbia “është duke vepruar keq me Kosovën”.

Por, sipas deklaratës së tij të plotë dhe pamjeve nga konferenca, Orav kritikoi përdorimin e krahasimeve nga Kosova me vendet fqinje në procesin e afrimit me BE-në, dhe jo viktimizimin e Kosovës në raport me Serbinë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others