Shkroi: Fatbardh Dema
“Komandanti i KFOR-it takon Osmanin/ Detaje Tragjike, ja vendimi” është titulli i përdorur në një video të publikuar në “YouTube” nga kanali “NTV Televizion” të enjten (14 nëntor).
Publikimi ka përdorur një imazh si ballinë të videos. Në të shihen presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, dhe mbishkrimi “VENDIMI TRAGJIK”.
Çka nuk shkon me titullin?
Pas verifikimit të komunikatave zyrtare nga institucionet, del se nuk është marrë asnjë vendim. Për më shumë ky pretendim në titull nuk përputhet as me përmbajtjen e materialit.
Çfarë tha KFOR-i?
Në njoftimin e publikuar nga KFOR-i të mërkurën në mbrëmje, u njoftua se komandanti i KFOR-it dhe presidentja e Kosovës kanë diskutuar për situatën aktuale dhe për bashkëpunimit mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës. Aty nuk është përmendur ndonjë vendim i marrë.
“Ata shkëmbyen pikëpamjet për situatën aktuale dhe për bashkëpunimin në mes të KFOR-it dhe të institucioneve në Kosovë. Gjeneralmajori Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për një Kosovë paqësore dhe stabile përmes zbatimit të mandatit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të mirë të KFOR-it me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal. Komandanti i KFOR-it vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë të KFOR-it me Bashkimin Evropian në terren, duke përfshirë mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në faqen e tij në Facebook.
Çfarë tha Presidenca?
Presidenca e Kosovës ka publikuar të enjten një komunikatë për takimin e Osmanit me Barduanin. Aty thuhet se Osmani ka shprehur mirënjohje për KFOR-in për shtimin e numrit të trupave. Sipas njoftimit, të dy kanë pohuar angazhimin e përbashkët për ruajtjen e mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit. Në këtë linjë, Presidentja Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë. Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023. Ndër të tjera, në këtë takim, Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatën e publikuar në uebfaqen e Presidencës.
Përmbajtja e publikimit
As vetë përmbajtja e artikullit të publikuar nga “NTV Televizion” në YouTube nuk përkon me titullin. Aty nuk përmendet asnjë vendim.
“Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Enrico Barduani, të mërkurën ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Sipas një komunikate për media e lëshuar nga KFOR-i gjatë takimit komandanti italian ka nënvizuar “rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt” në dobi të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon. “Ata shkëmbyen mendime për situatën aktuale dhe për bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë. Gjeneralmajor Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për një Kosovë paqësore dhe stabile”, thuhet në komunikatë. Gjatë takimit, siç potencohet në komunikatë, Barduani, ka potencuar edhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë. “Ku përfshihet mbështetja për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në komunikatë. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përmbajtje, e cila është shfaqur edhe si përshkrim i videos.
Hibrid.info, bazuar në përmbajtjen e videos, ka gjetur se ajo është e njëjtë me atë që paraqitet në artikullin e publikuar nga “albanianpost.com” të mërkurën. E ky portal ka përdorur titullin “Komandanti i KFOR-it takon Osmanin, flet për rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit” për përmbajtjen e njëjtë.
Hibrid.info ka kërkuar në motorin online të kërkimit me fjalët kyçe “Komandanti i KFOR-it dhe Osmani – vendim për Kosovën”. Nga ky kërkim nuk kanë dalë rezultate që tregojnë se është marrë ndonjë vendim në takimin e komandanti të KFOR-it dhe presidentes së Kosovës.
Analiza:
Kanali “NTV Televizion” në YouTube ka publikuar një video me titull “Komandanti i KFOR-it takon Osmanin/ Detaje Tragjike, ja vendimi” dhe me kopertinë me mbishkrimin “VENDIMI TRAGJIK”.
Hibrid.info ka verifikuar përmbajtjen në material dhe njoftimet zyrtare të institucioneve. As përmbajtja e artikullit e as njoftimet zyrtare të KFOR-it dhe Presidencës së Kosovës nuk tregojnë se është marrë ndonjë vendim në takim.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë titull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.