Shkroi: Etrit Rexhepi
Një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan “Paketa juaj është vendosur në pritje për shkak të informacionit jo të plotë të adresës”.
Për të siguruar që kjo paketë të dorëzohet pa problem, është publikuar një vegëz për klikim, ku mund të përditësohet informacioni i adresës.
Çka nuk shkon me këtë SMS?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se numri që ka dërguar këtë mesazh në telefon, ka prefiksin +44, që i takon shtetit të Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe ka për qëllim marrjen dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.
Fillimisht, hibrid.info ka hulumtuar për prefiksin e numrit që ka dërguar SMS dhe ka gjetur se se i takon shtetit të Mbretërisë së Bashkuar (shih këtu).
Tutje, hibrid.info ka hulumtuar, duke verifikuar edhe vegëzën e bashkangjitur në mesazh. Vegëza në fjalë, pas verifikimit në kompjuter, tregon se pas klikimit nuk u gjet asnjë faqe interneti (shih këtu).
Ndërsa, e njëjta vegëz, pas klikimit në telefon, shfaq një faqe si imitim të ueb-faqes së Postës së Kosovës, ku shfaqen të njëjta informata të cilat tregohen në përmbajtjen e SMS-it.
Pas klikimit në butonin “Vazhdojnë”, hapet një dritare ku paraqitet mundësia e paraqitjes së të dhënave tuaja.
Se kjo ueb-faqe është imitim i asaj të Postës së Kosovës, e tregon domaini i paraqitur në këtë faqe, që dallon nga domaini i ueb-faqes së këtij institucioni “https://postakosoves.com/” .
Gjithashtu, hibrid.info ka verifikuar edhe kredibilitetin e këtij domaini, me anë të platformës për kontrollin e ligjshmërisë së ueb-faqeve. Të dhënat tregojnë se ky domain është hapur në gjashtë muajt e fundit dhe ka besueshmëri shumë të ulët (shih këtu).
Analiza:
Një SMS i dërguar nga email adresa nga një numër telefoni me prefiks të Mbretërisë së Bashkuar, u ka ardhur disa qytetarëve në telefona, me thirrjen që të klikohet në një vegëz në mënyrë që ta ndërrojnë adresën e shtëpisë, për të pranuar një pako.
Hibrid.info pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, ka gjetur se vegëza e paraqitur në SMS është imitim i ueb-faqes së Postës së Kosovës, është e dyshimtë dhe nuk është e besueshme.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë SMS si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.