info@hibrid.info
Sondazhe të rreme për Prishtinën dhe Prizrenin
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Janë gjetur të publikuara tre postime që pretendojnë të paraqesin rezultate sondazhesh për komunat e Prishtinës dhe Prizrenit, ku shfaqet mbështetja për kandidatët për kryetar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Dy përmbajtje kanë në fokus rezultatet e mundshme për Prishtinën, ndërsa njëri postim ka paraqitur rezultatet për Prizrenin.

Çka nuk shkon me këto përmbajtje?

Postimet përmbajnë paraqitje grafike dhe rezultate të shkruara, por nuk ofrojnë asnjë informacion mbi komponentët thelbësorë për garantimin e besueshmërisë së sondazheve.

Prishtinë:

Faqja “Dardania News” ka publikuar të dielën, më 9 nëntor, një fotografi ku shihen portretet e kandidatëve për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama dhe Hajrulla Çeku, të cilët garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Fotografia shoqërohet me vegëzën e një artikulli të publikuar më 6 nëntor, me titull dhe mbishkrim të njëjtë: “Lajmi fundit: Rezultate befasuese në sondazhin e fundit për Prishtinën”.

Në tekst shpjegohet se bëhet fjalë për një anketë online, e zhvilluar nga 20 tetori deri më 1 nëntor, me metodologjinë “një IP – një votë”. Rezultatet tregojnë se kandidati i LDK-së, Përparim Rama, prin me 57.33% të votave, ndërsa Hajrulla Çeku ka 42.67%.

Sipas këtyre rezultateve, Rama do të fitonte nëse zgjedhjet do të mbaheshin në ditën e publikimit të artikullit. Megjithatë, postimi përmban një link për votim online: https://yt.vu/Xqewz, që tregon se votimi është ende i hapur.

Postimit i mungon informacion mbi metodologjinë e plotë, përzgjedhjen e mostrës dhe institucionin që e ka realizuar sondazhin. Metodologjia “një IP – një votë” nuk është standard shkencor dhe nuk garanton përfaqësim të saktë të popullsisë.


Një tjetër publikim i së shtunës (8 nëntor) nga faqja “Gazeta Shtatë”, në mbishkrim ka paraqitur vetëm rezultatet e mundshme të dy kandidatëve në Prishtinë “Perparim Rama 61.3% – Hajrullah Çeku 38.7%”, sipas një sondazhi të pretenduar.

Kjo përmbajtje nuk përmban informacione të mjaftueshme për ta bërë sondazhin kredibil, si metodologjia e përdorur, mostra e përzgjedhur, periudha e realizimit dhe institucioni që ka bërë matjet.

Prizren:

Një publikim tjetër i së shtunës (8 nëntor) nga faqja “Prizren News”, ka paraqitur në formë grafike  rezultatet e mundshme të dy kandidatëve që garojnë për kryetar në Prizren. Sondazhi i pretenduar e nxjerr fitues Shaqir Totajn kundrejt Artan Abrashit

Edhe kësaj përmbajtje i mungojnë informacionet e mjaftueshme për ta bërë sondazhin kredibil, si metodologjia e përdorur, mostra e përzgjedhur, periudha e realizimit dhe institucioni që ka bërë matjet.

Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

  • Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
  • Kush u intervistua?
  • Si u zhvillua sondazhi? 
  • Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
  • Kur u krye sondazhi? 
  • Sa persona u intervistuan? 
  • A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
  • A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 

Prej 13 shtatorit deri më 12 tetor, në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, janë identifikuar 28 pretendime të rreme që paraqesin matje të opinionit publik në formë sondazhesh ose exit-pollesh. Nga këto, 26 u prezantuan si sondazhe, ndërsa dy u publikuan në ditën e zgjedhjeve me pretendimin se bëhej fjalë për exit-polle (shih këtu).

Përveç exit‑poll-eve të publikuara në ditën e zgjedhjeve të raundit të parë, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë sondazh të besueshëm të opinionit publik që do të tregonte mbështetjen për kandidatët për kryetar të komunave në Kosovë gjatë dhe pas periudhës së përmendur më lart (shih këtu).

Analiza:

Tre postime u identifikuan që pretendojnë të paraqesin rezultate sondazhesh për komunat e Prishtinës dhe Prizrenit, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Këto përmbajtje nuk mund të konsiderohen të besueshme.

Publikimeve iu mungojnë informacionet thelbësore (metodologjia, mostra, periudha, institucioni i matjeve), të cilat bëjnë që këto “sondazhe” të jenë të papërshtatshme për matje serioze të opinionit publik.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i kategorizon këto përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others