Vitet e fundit, Facebook Marketplace është bërë një nga mënyrat më të zakonshme për të blerë dhe shitur produkte online. Por, përveç lehtësisë që ofron, kjo platformë është shndërruar edhe në një hapësirë ku ndodhin shpesh mashtrime.
Sipas analizave të fundit nga kompania e sigurisë kibernetike Guard.io, mashtrimet në Marketplace nuk janë më raste të izoluara, por një fenomen në rritje që po shfaqet në shumë vende të botës.
Pse kjo platformë është e rrezikshme?
Një nga arsyet kryesore lidhet me mënyrën se si funksionon Marketplace. Ndryshe nga platformat klasike të shitjes online, ajo nuk ofron një sistem të integruar pagesash apo mbrojtje për blerësit.
Transaksionet zakonisht bëhen drejtpërdrejt mes përdoruesve, pa ndërmjetësim. Kjo do të thotë se gjithçka bazohet në besim dhe pikërisht këtë e shfrytëzojnë mashtruesit.
Ata mund të krijojnë lehtësisht profile të rreme, të publikojnë produkte që duken reale dhe të zhduken sapo të marrin paratë.
Si funksionojnë mashtrimet në praktikë?
Према Guard.io, shumica e mashtrimeve ndjekin një model të ngjashëm:
- Vendosen produkte me çmime shumë më të ulëta se tregu
- Krijohet ndjenjë urgjence (“shitet urgjent”)
- Blerësi nxitet të bëjë pagesë paraprake
- Komunikimi kalon jashtë platformës, në aplikacione si WhatsApp, dhe pas pagesës, shitësi zhduket dhe produkti nuk dorëzohet kurrë.
Pse po rritet ky fenomen?
Rritja e mashtrimeve lidhet me disa faktorë, siç janë përdorimi i madh i rrjeteve sociale për tregti, lehtësia e hapjes së llogarive të rreme e përdorimi i teknologjive të reja që i bëjnë mashtruesit më bindës.
Këto e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes një oferte reale dhe një mashtrimi.
Çfarë do të thotë kjo për përdoruesit në Kosovë?
Edhe pse këto janë analiza globale, mënyra si funksionon Marketplace është e njëjtë kudo. Kjo do të thotë se edhe përdoruesit në Kosovë mund të përballen me të njëjtat rreziqe.
Duke qenë se platforma përdoret shpesh për shitblerje të produkteve të përditshme, mundësia për t’u përballur me mashtrime është reale.
Si të jeni më të sigurt?
Për të shmangur mashtrimet:
- Mos bëni pagesa paraprake pa e parë produktin
- Kini kujdes nga ofertat që duken “shumë të mira për të qenë të vërteta”
- Mos e zhvendosni komunikimin jashtë platformës pa arsye
- Kontrolloni profilin e shitësit dhe aktivitetin e tij