info@hibrid.info
Titull keqinformues, nuk ka konfirmim se Konjufca i ka siguruar votat për formimin e qeverisë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull i titulluar “LAJMI I FUNDIT: Konfirmohet, Konjufca e bën Qeverinë”.

Ky artikull është publikuar të enjten (6 nëntor) nga mediumi “Podujevasot.net”.

Çka nuk shkon me titullin?

Titulli është i formuluar në mënyrë që krijon përshtypjen se Glauk Konjufca tashmë i ka siguruar votat për formimin e qeverisë kur të dalë para Kuvendit, edhe pse vetë përmbajtja e artikullit nuk e thotë një gjë të tillë dhe nuk ofron fakte se i mandatuari për kryeministër i ka të konfirmuara votat e mjaftueshme në Kuvend.

Ky artikull është shpërdarë edhe në faqen në Facebook të këtij mediumi dhe nga një faqe tjetër me emrin “Gazeta Prishtina” (shih këtu dhe këtu). Në bazë të komenteve në këto postime në Facebook, qëndrimet për saktësinë e lajmit janë të ndryshme, por pothuajse shumica e komentuesve janë fokusuar tek mundësia e formimit të qeverisë.

Deri në momentin e trajtimit, publikimi në Facebook i ka marrë afër 300 reagime dhe mbi 90 komente.


Pas kontrollit të tekstit, hibrid.info ka gjetur në kreun e artikullit se lajmi është i bazuar në deklarata të Albulena Haxhiut, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) (shih këtu).

Kjo tregon se për dallim nga titulli, në përmbajtje sqarohet se kemi të bëjmë me deklarata.


Hibrid.info kontrolloi edhe deklaratat ku ajo ka përmendur Konjufcën.

Deklaratat e cituara dhe të përfolura të Haxhiut në artikull:

“Konjufca është person unifikues, i dytë më i votuari në vend, dhe propozimi ynë ka ardhur për të shmangur një krizë të re politike”.

Haxhiu u shpreh optimiste se votat mund të sigurohen, “nëse deputetët do të ishin të lirë nga presionet e kryetarëve të partive”.

Pra në këto deklarata ajo nuk ka konfirmuar se i mandatuari për kryeministër i ka të sigurta votat për ta bërë qeverinë. Ajo ka shprehur ambicie politike dhe pritshmëri për këtë proces politik.


Konjufca si mandatar për formimin e qeverisë

Më 4 nëntor, presidentja Vjosa Osmani e madantoi Glauk Konjufcën nga LVV, për formimin e Qeverisë së Kosovës (shih këtu). Kjo pasi që, i mandatuari i parë Albin Kurti, kryetar i LVV-së, nuk arriti të marrë shumicën e votave të nevojshme për formimin e qeverisë.

Në votimin e 26 tetorit në Kuvend, Kurti mori 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime (shih këtu).

E partitë që nuk e mbështetën Kurtin në tentimin e parë, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin as Konjufcën. Ai i ka 15 ditë kohë për të paraqitur përbërjen e re qeveritare para Kuvendit – deri më 19 nëntor. (shih këtu)

Për ta formuar Qeverinë, duhen të paktën 61 vota pro.

Analiza:

Titulli “LAJMI I FUNDIT: Konfirmohet, Konjufca e bën Qeverinë” nuk është i saktë.

Ky titull krijon përshtypjen se Glauk Konjufca tashmë ka siguruar votat për formimin e qeverisë, edhe pse zyrtarisht deri më tani bëhet fjalë vetëm për dhënie mandati. Teksti është bazuar në deklaratat e Albulena Haxhiut, zyrtare e LVV-së, e cila është shprehur optimiste se votat mund të sigurohen, “nëse deputetët do të ishin të lirë nga presionet e kryetarëve të partive.”

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others