info@hibrid.info
Titulli nuk përputhet me përmbajtjen
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një video-material me titullin “Zjarr i ri në politikën kosovare – gushti ose shtatori vendosin fatin e qeverisë”.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (8 maj) në kanalin e mediumit “NTV Televizion” në Youtube.

Çka nuk shkon me titullin?

Hibrid.info gjeti në përmbajtje, se kemi të bëjmë me një mendim personal mbi kohën e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe situatës aktuale politike të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, gjë e cila mund të bëjë titullin çorientues në këtë rast.


Në video raportohet se Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës ende nuk ka ftuar partitë për konsultime për zgjedhjet lokale, megjithëse afati ligjor ka nisur. Lajmi i referohet Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili shpreh mendimin e tij kjo vonesë lidhet me krizën politike dhe bllokimin e Kuvendit.

Duke parë situatën aktuale, ku Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar dhe legjislacionin në fuqi, që parasheh se zgjedhjet lokale mund të mbahen prej mesit të muajit gusht dhe më së largu deri në nëntor, Cakolli flet për gjasat që zgjedhjet lokale dhe ato të jashtëzakonshme parlamentare të mbahen njëkohësisht, për të shmangur lodhjen apo mungesën e pjesëmarrjes së qytetarëve.

Videoja e transkriptuar

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk i ka ftuar ende partitë politike për konsultime në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, përkundër nisjes së afatit ligjor për një gjë të tillë.

Njohësit e proceseve zgjedhore “vonesën” e ndërlidhin me krizën politike dhe ngërçin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Njohësi i proceseve zgjedhore, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, thotë, se në bazë të legjislacionit në fuqi, zgjedhjet lokale mund të mbahen prej mesit të muajit gusht dhe më së largu deri në nëntor.

Praktika deri tani tregon se zgjedhjet janë mbajtur herë në shtator dhe herë në tetor, me balotazhin që ka qenë në muajin nëntor. Unë besoj se ndër arsyet që presidentja ende nuk ka thirrur takimin konsultativ, ndonëse e njëjta ka ende hapësirë për të bërë një gjë të tillë, lidhet me situatën politike sa i përket konstituimit të Kuvendit. Është një lloj sekreti publik që partitë politike duan që, nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ato të mbahen në të njëjtën ditë me ato lokale. Kështu evitohet rreziku i mospjesëmarrjes së qytetarëve për shkak të lodhjes apo mbase empatisë që mund të lindë për shkak të situatës së krijuar politike.

Kjo situatë, sipas tij, është dëshmi që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, mirëpo sipas tij, asnjë projeksion nuk paraqet rezultat të ndryshëm nga ai aktuali”.


Pra, që do të thotë se në titull, informacioni paraqitet si fakt i konfirmuar dhe nuk sqarohet burimi prej nga vjen, ndërsa në përmbajtje, kuptohet se kemi të bëjmë me qëndrim individual të një pjesëtari nga një OJQ.

Hibrid.info ka gjetur se ky deklarim është marrë nga një artikull i publikuar në agjencinë e lajmeve, “KosovaPress”, me titullin “Caktimi i datës së zgjedhjeve lokale, presidentja ende nuk i ka ftuar partitë” (shih këtu).

Caktimi i datës së zgjedhjeve lokale, bëhet sipas ligjit përkatës, gjë e cila përputhet me afatet e deklaruara nga Cakolli, duke marrë parasysh edhe datën e zgjedhjeve lokale (këtu) të fundit (shih këtu).

Neni 4

Data dhe shpallja e zgjedhjeve

4.1 Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale.

4.2 Zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale mbahen ditën e diele për çdo katër (4) vite. Zgjedhjet nuk

mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se

tridhjetë (30) ditë pas përfundimit të mandatit.

4.3 Sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi i Kryetarit për të

caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër (4) muaj dhe jo më herët se gjashtë (6) muaj, para

datës së zgjedhjeve.

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka përfunduar konstituimin (shih këtu), për shkak të mos votimit të kryetarit të Kuvendit. Ndërsa Kushtetuta e Kosovës parasheh shpërndarjen dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme në këto raste: Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]

1. Kuvendi shpërndahet në këto raste:

(1) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit

nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria;

(2) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve,

shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës;

 – 30 –

(3) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së

zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.

2. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të

suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

Çka do të thotë se në situatën aktuale nuk ka konfirmim për formimin e qeverisë së ardhshme apo caktim të ndonjë date për zgjedhje të mundshme.


Analiza

Pretendimi i paraqitur në titullin e videos “Zjarr i ri në politikën kosovare – gushti ose shtatori vendosin fatin e qeverisë” është i pasaktë, pasi sugjeron si fakt të konfirmuar një zhvillim që në realitet mbetet spekulim individual.

Nga përmbajtja e videos kuptohet se ky është një qëndrim personal i shprehur nga një ekspert i proceseve zgjedhore, Eugen Cakolli, dhe jo një informacion zyrtar apo vendim i marrë nga institucionet përkatëse.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others