Shkroi: Fatbardh Dema
“Aksident fatal: Vetura del nga rruga, vdesin 4 të rinj”, mban titullin një artikull i publikuar të enjten (31 tetor) nga portali informativ “kosova-sot.info”.
Publikimi i artikullit me një fotografi ilustruese është bërë edhe në faqen e portalit në Facebook me emrin “Kosova Sot”.
Problemi me artikullin?
Vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në hyrje të artikullit ku tregohet se rasti ka ndodhur në Itali. “Një aksident i rëndë rrugor ua ka marrë jetën 4 të rinjve mesnatën mes të mërkurës dhe së enjtes në Nuoro të Italisë, transmeton gazeta ‘Kosova Sot Online’”, është fjalia hyrëse e artikullit.
Për ta vërtetuar se bëhet fjalë për lajm nga Italia, e dëshmojnë edhe publikimet në mediat ndërkombëtare. Për më shumë disa prej tyre kanë treguar edhe emrat e viktimave, e që nuk tingëllojnë të jenë emra shqip (shih këtu, këtu dhe këtu)
Të dhënat e publikuara, si në mediat ndërkombëtare, ashtu edhe në atë që po trajtohet në gjuhën shqipe, janë të njëjta si për vendin e ngjarjes, por edhe për moshën e viktimave dhe detajet tjera nga aksidenti.
Pse trajtohet artikulli?
Mediumi që ka publikuar tekstin është i regjistruar në Kosovë, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe ka shumicën e lexuesve shqipfolës (këtu), andaj edhe mos qartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja, mund të bëjë që audienca ta lexojë lajmin si ngjarje të ndodhur në hapësirat shqipfolëse.
Analiza:
Portali “Kosova Sot” ka publikuar një artikull me titullin “Aksident fatal: Vetura del nga rruga, vdesin 4 të rinj”.
Megjithatë, titulli nuk e tregon vendin e ngjarjes. Për shkak se mediumi i ka shumicën e lexuesve shqipfolës mund të ndodhë që audienca ta lexojë lajmin si ngjarje të ndodhur në hapësirat shqipfolëse.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait’.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.