Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi, ku shfaqen së bashku Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, dhe Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së).
Ky imazh me pretendimin se presidenti amerikan ka deklaruar se Kosova do të duhet t’i japë një përqindje të lartë ShBA-së nga mineralet e Trepçës, në këmbim për ndihmën që iu dha Kosovës në vitin 1999 nga ShBA-ja dhe aleatët e saj është publikuar dje nga një llogari në Facebook me emrin “Lajme Nga Bota”.
Por, cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se nuk ka asnjë provë të dokumentuar se Donald Trump ka bërë një deklaratë të tillë.

Përmbajtja deri në momentin e trajtimit ka marrë mbi 20 komente. Në bazë të asaj se çka shkruhet në komente, mund të vlerësohet se audienca ka gjasa ta perceptojë pretendimin si të vërtetë.
Së pari hibrid.info ka hulumtuar për fotografinë me anë të cilës është paraqitur pretendimi. Gjetjet e hibrid.info tregojnë se kjo fotografi është shkrepur gjatë takimit të presidentes Osmani me presidentin Trump, para se ai të niste mandatin e presidentit pas rizgjedhjes në këtë post, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit “Notre Dame”, në dhjetor të vitit 2024 (shih këtu).
Për këto takime janë gjetur njoftime vetëm nga Presidenca e Kosovës, pa u dhënë sqarime rreth asaj se për çka është biseduar (shih këtu dhe këtu).
Donald Trump pasi u rizgjodh në detyrën e presidentit, në zgjedhjet e 6 nëntorit 2024, filloi mandatin nga 20 janari i vitit 2025 (shih këtu). Që nga fillimi i detyrës, Vjosa Osmani ishte e vetmja zyrtare që pati rastin ta takonte përsëri presidentin amerikan. Hibrid.info gjeti njoftimin në ueb-faqen e presidencës, ku u tregua se Vjosa Osmani u takua me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, gjatë ceremonisë mortore të Papë Françeskut, më 26 prill, 2025 (shih këtu).
Edhe për këtë takim nuk u njoftua nga presidenca amerikane, ndërsa në njoftimin e Presidencës së Kosovës njoftohet se Osmani ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i qëndrueshëm dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Ajo ka shprehur se është gjithmonë kënaqësi të takosh Presidentin Donald Trump dhe të përçosh dashurinë dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për Amerikën. Tutje ajo ka shtuar se si institucione të Kosovës janë të përkushtuar ta bëjnë aleancën me ShBA-në, më të fortë se kurrë.
Çka do të thotë se sipas njoftimeve nga këto takime, nuk mund të konfirmohet se Trump ka deklaruar publikisht atë çka pretendohet, nga përmbajtja e trajtuar.
Hibrid.info, po ashtu ka hulumtuar me anë të motorit të kërkimit “Google”, për deklarata të mundshme të Trump për Kosovën në raste tjera. Pas kërkimit në këtë makinë kërkimi, me fjalët kyçe “donald trump kosova”, hibrid.info ka vërejtur se që nga fillimi i mandatit të dytë, Trump nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike të drejtpërdrejtë, për Kosovën (shih këtu).
Në mandatin e parë të Donald Trump, ShBA-ja kishte ndërmjetësuar negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kulmuan me nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin ekonomik mes dy vendeve, më 4 shtator 2020, të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të ShBA-së, Donald Trump.
Përveç zotimeve të vendeve në raport me njëra tjetrën, marrëveshja parashihte edhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit me ShBA-në për zhvillimin ekonomik dhe energjinë, por në asnjë pikë të saj, nuk është përmendur ndonjëherë Trepça. (shih këtu)
Një kërkesë të ngjashme, Trump ka bërë ndaj Ukrainës, nga të cilët ka kërkuar mineralet në këmbim të ndihmave për Ukrainën, shtet ky tash e katër vite ka territorin e pushtuar nga Rusia (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se Donald Trump ka deklaruar që Kosova duhet t’i japë SHBA-së një përqindje të lartë nga mineralet e Trepçës nuk qëndron.
Hibrid.info ka gjetur se nuk ekziston asnjë deklaratë publike, dokument zyrtar apo burim i besueshëm që e mbështet këtë pohim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.