Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një video-material ku shihet një aeroplan duke lëshuar pako nga lart.
Përmbajtja me pretendimin se bëhet fjalë për ndihma humanitare që Kina po vazhdon të dërgojë në Gaza, u publikua dje (25 maj) në Facebook nga një faqe me emrin “Atalanta -Shqip”.
Cila është e vërteta?
Për tre muaj me radhë, Izraeli ka ndaluar hyrjen e çdo ndihme humanitare në Gaza, dhe nuk ka prova që Kina e ka thyer këtë bllokadë duke ofruar ndihmë.

Deri në momentin e trajtimit, kjo përmbajtje ka marrë mbi 3 mijë shikime.
Hibrid.info ka gjetur se kjo video fillimisht është publikuar (16 maj) në TikTok nga një llogari me emrin “globalpaulx”, e më pas e njëjta është publikuar nga faqja “Atalanta -Shqip”.
Në informatat e gjetura nga hibrid.info tregohet se Izraeli nga 2 marsi, kishte bllokuar çdo ndihmë humanitare që të hynte në Gaza për tre muaj, duke vënë miliona njerëz në rrezik vdekjeje nga uria (shih këtu).
Hibrid.info me anë të programit të automatizuar të kërkimit, “InVID”, ka verifikuar aeroplanin që shfaqet në fillim të përmbajtjes.
Aeroplani është i tipit Boeing C-17 Globemaster III, i prodhuar dhe dizajnuar së pari për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) (shih këtu). Gjatë kërkimit është gjetur se ky lloj i aeroplanit është përdorur në të kaluarën nga ShBA-ja, për të dërguar ndihma humanitare në Gaza (shih këtu). Sipas informatave tjera, Kina nuk posedon aeroplanë të tillë.
Para kësaj bllokade, hera e fundit kur Kina ka dërguar ndihma në Gaza ishte në shkurt të këtij viti. Ndihma të cilat u sollën atje nëpërmjet kamionëve (shih këtu dhe këtu). Ndërsa pas bllokadës, më 19 maj 2025, për herë të parë, u lejuan të hyjnë në territor ndihmat humanitare me anë të kamionëve (shih këtu). Çka do të thotë se gjatë kësaj periudhe nuk ka janë shpërndarë ndihma humanitare nga Kina nëpërmjet aeroplanëve për Gazan.
Për të konfirmuar edhe më shumë vërtetësinë e këtij pretendimi, hibrid.info ka hulumtuar nëpërmjet motorit të kërkimit “Google”. Rezultatet kanë gjetur disa artikuj nga kontrollues të ndryshëm të fakteve të cilët kanë trajtuar pretendimin dhe e kanë vlerësuar si pretendim të rremë (shih këtu, këtu dhe këtu).
Një pretendim i ngjashëm është trajtuar edhe më herët nga hibrid.info (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se Kina po dërgon ndihma humanitare në Gaza përmes ajrit nuk qëndron.
Nuk ka asnjë provë që Kina ka thyer bllokadën izraelite; aeroplani që shfaqet në video është amerikan dhe ndihmat e fundit kineze janë dërguar përmes kamionëve para vendosjes së bllokadës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.