Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një postimi të publikuar të shtunën (31 maj), pretendohet se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka deklaruar se energjia do të shtrenjtohet 30% përsëri nga muaji tetor.
Ky pretendim u postua në Facebook nga faqja “Kosova e Re”, e cila numëron mbi 48 mijë ndjekës.
Çka gjeti hibrid.info?
Pas verifikimit të kryer nga Hibrid.info, rezultoi se ky pretendim është i pavërtetë. Në fakt, imazhi i përdorur në postim është manipuluar.
Pas hulumtimit të kryer online, u gjet se imazhi autentik është publikuar më 11 prill në faqen e portalit “Sinjali.com” në Facebook me mbishkrimin: “ZRRE: Energjia shtrenjtohet për 16%”. (shih fotografinë më poshtë)

Ndërkohë, faqja “Kosova e Re” ka përdorur të njëjtin imazh, por ka ndërhyrë në tekstin e tij duke zëvendësuar shifrën “16%” me “+30% prap nga data 1 tetor 2025”. (shih fotografinë më poshtë)

Çka tha ZRRE-ja me 11 prill?
Zyra e Rregullatori të Energjisë kishte bërë njoftim zyrtar për media pas mbledhjes së mbajtur më 11 prill. Përmes këtij njoftimi u tregua zyrtarisht se çmimi i energjisë elektrike është rritur për rreth 16 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. (shih këtu)

Analiza:
Një postim i rremë në Facebook nga faqja “Kosova e Re” pretendon se ZRRE do ta rrisë çmimin e energjisë për 30% nga tetori 2025. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info u vërtetua se pretendim u është i rremë dhe se imazhi është manipuluar.
Imazhi origjinal u publikua nga “Sinjali.com” që fliste për një rritje prej 16% të çmimit të energjisë, të konfirmuar nga ZRRE më 11 prill.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë” dhe “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.