Artikull i publikuar nga nbcuacademy.com
Teksa debatet mbi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) nëpër redaksi kanë nisur, shumë gazetarë veçse kanë filluar ta përdorin IA-në në punën e tyre. IA aktualisht mund t’u ndihmojë gazetarëve të automatizojnë detyra që marrin kohë, si transkriptimi manual i audioincizimeve apo videove.
Alex Golden, drejtor për produkte dhe strategji të lajmeve në “NBCU News Group”, i ka shpjeguar rregullat bazë për mënyrën se si gazetarët mund ta përdorin inteligjencën artificiale si “teknologji ndihmëse”. “NBCU News Group” është divizioni përgjegjës për operimet mediatike të brendeve të “NBCUniversal”, një prej kompanive udhëheqëse në botën e medias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurrë mos e përdorni IA-në në vend të saktësisë dhe autenticitetit
Redaksitë kurrë s’duhet të pranojnë përmbajtjen e krijuar nga IA si raportim origjinal. Golden ka deklaruar se kjo “nuk do të ishte më mirë sesa të këqijtë që bëjnë imazhe deepfake për qëllime të këqija”.
IA duhet të ketë mbikëqyrje njerëzore
Goldeni thotë se IA mund të përdoret më shumë për të përmirësuar rrjedhën e punës sesa për të zëvendësuar punë të tëra. Ajo duhet të monitorohet nga njerëzit për të siguruar përdorimin e duhur. Disa nga detyrat e gazetarëve që mund t’i jepen inteligjencës artificiale janë përmbledhja e teksteve të gjata, gjenerimi i konkluzioneve të takimeve apo edhe përmirësimi i fotografive. Po ashtu, IA mund ta përshpejtojë procesin e verifikimit të përmbajtjeve dhe të ndihmojë në detektimin nëse një përmbajtje është krijuar artificialisht apo është modifikuar. Por gazetarët duhet t’i rishikojnë këto gjetje dhe t’i verifikojnë vetë. “Ne duhet të përdorim zjarrin për të luftuar zjarrin. Përdorimi i IA-së është mënyra më e mirë për të evidentuar përdorimin e IA-së nga të këqinjtë”, ka thënë Goldeni.
Mos lejoni që IA t’i kryejë të gjitha punët
Gazetarët nuk duhet ta lejojnë IA-në që t’i kryejnë të gjitha punët e tyre dhe të rrezikojnë për zëvendësimin e vetes. Por ai ka inkurajuar gazetarët të mos i frikësohen inteligjencës artificiale. Ai ka thënë se ata duhet të eksperimentojnë për të parë se si ajo mund t’u ndihmojë në raportim. “Ne ende besojmë se gazetaria bëhet nga gazetarët në fund të ditës. Duhet të ruajmë standardet më të larta redaktoriale dhe praktikat më të mira. Këto nuk duhet të largohen. IA nuk mund të përdoret si rrugë e shkurtër”, ka thënë ai.