[email protected]
Pretendimi se “The Simpsons” kanë parashikuar luftën në Ukrainë, është i pavërtetë
shape
shape
shape

Iluzionisti nga Shqipëria, Nadir Mura, i cili ka qenë edhe autor i emisionit “Enigma” në Top Channel, ka publikuar sot (31 mars) në llogarinë e tij zyrtare një video nga seriali i animuar amerikan “The Simpsons”.

Në këtë postim, ai ka ngritur pyetjen se “Mundet që, filmi i animuar Simpson ka parashukuar ngjarjet që po ndodhin sot?”, duke shtuar se kjo është një përmbledhje e disa imazheve të vitit 1997. Profili i Nadir Murës, ka mbi 46 mijë ndjekës dhe, si rezultat i këtij fakti, edhe postimi në fjalë, aktualisht ka grumbulluar 342 reagime, 32 komente dhe 62 shpërndarje, që lë të nënkuptohet se ka mundur t’i keqinformojë lexuesit.


Vegëza e postimit nga Nadir Mura në profilin e tij zyrtar në Facebook:

https://www.facebook.com/watch/?v=367232895290001


Në këtë video shihen karakteret nga familja e serisë së filmave të animuar “The Simpson” me uniforma lufte dhe duke valëvitur flamurin ukrainas, si dhe personalitete të tjera si Putini dhe shpërthimi i një bombe bërthamore me datën 5 maj 2022.

Pas hulumtimit dhe verifikimit përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë informacion rreth këtij pretendimi të rremë, i bërë fillimisht nga kontrolluesit e fakteve nga Spanja “Maldita.es“, i cili vërteton se kjo video është e montuar dhe elementet e përdorura si “flamuri ukrainas” dhe “datat” e shfaqura në të, nuk janë pjesë e serisë origjinale. Pra, ato janë të montuara.


Konkretisht karakteri, uniforma e të cilit mbanë flamurin ukrainas, është Abraham Simpson, veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe gjyshi i familjes në këtë serial të animuar. Imazhi është marrë nga episodi i 11-të i sezonit 30, i transmetuar në janar 2019, dhe armës i është shtuar flamuri dhe data 2022, të cilat nuk shfaqen në serialin origjinal.

Kontroll i fakteve nga Maldita.es

Flamuri ukrainas, i valëvitur nga protagonisti i serialit, Homer Simpson, në imazhin autentik është në fakt një flamur amerikan, siç mund të shihet në episodin e tetë të sezonit 17-të, të transmetuar në dhjetor të vitit 2005.

Kontroll i fakteve nga Maldita.es

Sa i përket presidentit rus Vladimir Putin, paraqitja e tij origjinale ishte në kapitullin special “Votat e Homerit”, me rastin e zgjedhjeve të vitit 2016 në SHBA. Bluza e kuqe që ka veshur Putin është ndryshuar duke u shfaqur me shkronjat СССР, që është akronimi i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).

Ndërsa në episodin origjinal shihet që Putin ka të veshur bluzën e kuqe me mbishkrimin “RED SOX”.

Kontroll i fakteve nga Maldita.es

Imazhi i bombës bërthamore është një element grafik i videolojës “The Simpsons: Tapped Out”, i cili nuk e ka të shkuar datën 05/05/2022, siç paraqitet në këtë video të montuar.

Kontroll i fakteve nga Maldita.es

Analiza:

Iluzionisti nga Shqipëria Nadir Mura, me apo pa vetëdije ka publikuar një video në profilin e tij zyrtar në Facebook me pjesë të shkëputura nga episodet e serialit të animuar “The Simpsons”, me pretendimin se ato janë nga viti 1997 dhe parashikojnë luftën në Ukrainë.

Mirëpo, pas verifikimit të fakteve u vërtetua se këto imazhe në fakt janë nga seriale “The Simpsons”, por në to është bërë ndërhyrje duke ndryshuar detaje që pretendojnë t’i paraqesin ato si reale.

Bazuar në këto fakte, ky pretendim rezulton të jetë i pavërtetë dhe Mura përmes postimit duket se ka synuar të shpërndajë një teori konspirative, vlerësim ky që bëhet në bazë të metodologjisë së hibrid.info.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others