info@hibrid.info
Rishikimi i javës: teori konspirative nga mediat ruse dhe serbe, përmbajtje të paverifikuara lidhur me konstituimin e qeverisë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Gjatë javës së kaluar, nga monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale është konstatuar se kanë dominuar dezinformatat, teoritë konspirative dhe përmbajtjet e paverifikuara.

Gjatë javës së kaluar janë publikuar disa përmbajtje të paverifikuara në media online.  Më 21 prill, “IndeksOnline.net” publikoi një artikull ku pretendohej se mes të arrestuarve në aksionin në Kaçanik kishte një ish-polic dhe një ish-ushtar të FSK-së. Artikulli u shpërnda edhe nga “Shekulli.info” dhe “GazetaPapirus.com”. Policia e Kosovës mohoi këto pretendime. Ndërkohë, më 23 prill, “arbresh.info” raportoi gabimisht se Glauk Konjufca ishte propozuar nga Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, ndërsa më 25 prill, u propozua zyrtarisht Albulena Haxhiu.

Dezinformatat e javës së kaluar u publikuan nga rrjeti rus “Pravda” dhe një llogari në Facebook. Më 22 prill, faqja “albania.news-pravda.com” shpërndau pretendimin e rremë se komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka prejardhje çeçene. Ndërsa më 23 prill, llogaria “Lule Gjeli” në Facebook publikoi një postim ku në mënyrë të pavërtetë i atribuonte laboratorin e drogës të zbuluar në Prizren një deputeti të LDK-së, duke aluduar në Hykmete Bajramin.

Gjatë javës, teori konspirative janë publikuar nga media serbe dhe rrjete ruse. Më 22 prill, “Novosti.rs” pretendoi se shpërthimi në kanalin Ibër–Lepenc ishte pjesë e një plani të Albin Kurtit për të shkaktuar dhunë ndaj serbëve, duke e lidhur ngjarjen me trazirat e vitit 2004 dhe rastin e Reçakut, pretendime që nuk mbështeten në fakte. Ndërkohë, në ueb-faqen ruse “BelVPO” dhe në “Pravda” u publikua teoria se vizita e një delegacioni bjellorus në Kosovë ishte pjesë e një operacioni për destabilizim të Serbisë, pretendim i pabazë dhe i shpërndarë nga rrjete dezinformuese.

Gabimi është publikuar në disa portale online në gjuhën shqipe. Më 19 prill, “gazeta10.com”, “alb-spirit.com” dhe “noa.al” raportuan gabimisht se ishte konstituuar Kuvendi i Kosovës. Në realitet, atë ditë u miratua vetëm raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve, ndërsa seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, gjë që nuk ndodhi.

Lajmi i rremë është publikuar në TikTok nga llogaria “Tetova1973” më 15 prill. Pretendohej se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kishte deklaruar: “Kam 10 milionë kosovarë në Turqi, po i shkoj ndërmend dikujt të bëj manovra, le ta di që do të përballet me 60 milionë ushtarë turq”. Pas verifikimit, një deklaratë e tillë nuk është gjetur në asnjë burim të besueshëm.

Manipulim i fakteve/Dezinformatë u publikua, në platformën “X”, llogaria “vukfenix” publikoi një video dhe një pretendim se banda emigrantësh arabë dhe karteli narkotik shqiptar janë përleshur në Antwerp të Belgjikës, duke lënë 4 të plagosur dhe 8 të arrestuar. Pas verifikimit nga Hibrid.info dhe mediave belge, u konstatua se nuk ka asnjë konfirmim nga burime zyrtare që ndonjë nga personat e përfshirë në përleshje është shqiptar.

Gabim

Janë publikuar disa artikuj, me anë të cilëve pretendohet se të shtunën (19 prill) u konstituua Kuvendi i Kosovës. Përmbajtjet me këtë pretendim janë publikuar nga portalet online në gjuhën shqipe, si “gazeta10.com”, “alb-spirit.com” dhe “noa.al”. Hibrid.info ka gjetur se të shtunën u miratua raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve, me vota unanime nga deputetët, por seanca konstituive konsiderohet e përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, gjë e cila nuk ndodhi atë ditë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

“Detaje të reja nga aksioni në Kaçanik/ Një ish-polic dhe një ish-ushtar ndër të arrestuarit”, mban titullin artikulli i publikuar, (21 prill) nga portali informativ “IndeksOnline.net”. Ky medium online pretendon se sipas burimeve, ndër shtatë persona të arrestuar ndodhen edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). I njëjti artikull është publikuar më pas edhe nga dy portale tjera si “Shekulli.info” dhe “GazetaPapirus.com”, të cilat kanë cituar portalin “IndeksOnline.net”. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media sqaroi se nuk ka policë të arrestuar në mesin e personave të dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor, Muhamet Lika. (këtu)

Publikohet një artikull, i titulluar, “Konjufca, emri i radhës i propozuar nga Vetëvendosje për Kryeparlamentar”. Përmbajtja në të cilën shihet imazhi i Glauk Konjufcës, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nga legjislatura, është publikuar (23 prill) nga mediumi online, “arbresh.info”. Por, më 25 prill në vazhdimin e seancës konstituive, Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes disa postimeve në media sociale, pretendohet se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se “Kam 10 milionë kosovarë në Turqi po i shkoj ndërmend dikujt të bëj manovra le ta di që do të përballet me 60 milionë ushtarë turq”. Ky postim është publikuar më 15 prill në TikTok nga llogaria “Tetova1973” dhe në Facebook nga faqja “Shqiptaret jane Ilire”. Pas hulumtimit të kryer online, një deklaratë e tillë nuk është gjetur e publikuar në asnjë burim kredibil. (këtu)

Dezinformatë

Publikohet një artikull përmes së cilit njoftohet se Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka vizituar Turqinë dhe pretendohet se ky i fundit është me prejardhje çeçene. Kjo përmbajtje është publikuar (22 prill) në faqen “albania.news-pravda.com”, e rrjetit rus “Pravda”. Pretendimi për prejardhjen çeçene të Jasharit nuk mbështetet në asnjë fakt të verifikueshëm. (këtu)

Më 23 prill, një llogari në Facebook me emrin Lule Gjeli ka publikuar një përmbajtje që lidhet me laboratorin e drogës të zbuluar po atë ditë në Prizren. Postimi mban mbishkrimin: “Klan Kosova: Laboratorët e drogës janë të një deputeti të LDK-së”, ndërsa në imazhin ilustrues shfaqet deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami. Përmes këtij postimi, pretendohet se laboratori i drogës i përket një deputeti të këtij subjekti politik, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për Hykmete Bajramin. Pas verifikimit të përmbajtjes nga hibrid.info, është konstatuar se Klan Kosova nuk ka pretenduar se laboratori i drogës i përket një deputeti të LDK-së, konkretisht Hykmete Bajramit. (këtu)

Teori konspirative

Në artikullin e Novosti.rs thuhet se shpërthimi në kanalin Ibër–Lepenc ishte pjesë e një plani të Albin Kurtit për të shkaktuar dhunë kundër serbëve në Kosovë. Artikulli lidh pretendimin konspiracionist për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc me dy ngjarje të tjera historike, duke përmendur trazirat e vitit 2004, kur vdekja e tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër shkaktoi trazira masive, dhe duke rikthyer në kujtesë rastin e Raçakut në vitin 1999, si një “skenar të sajuar” nga William Walker për të fajësuar Serbinë dhe justifikuar bombardimin e NATO-s. Faktet tregojnë se masakra e Reçakut nuk është e inskenuar, ndërsa trazirat e marsit 2004 nuk kanë pasur qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova. (këtu)

Publikohen përmbajtje që pretendojnë se vizita e një delegacioni bjellorus në Kosovë lidhet me përgatitjen për një ndërhyrje në Serbi me qëllim të ndryshimit antikushtetues të pushtetit përmes protestave të organizuara dhe të koordinuara, ku Kosova do të shërbejë si qendër operacionale e një fushate informative-psikologjike, me përfshirje të inteligjencave të huaja dhe rrezik të veprimeve të dhunshme në veri të Kosovës. Artikulli me këtë pretendim, i publikuar në gjuhën ruse me titullin “Misteri i zbuluar i Ballkanit”, është shpërndarë në ueb-faqen e BelVPO, një kanal në median sociale, “Telegram”, e më pas është shpërndarë edhe në një uebfaqe të rrjetit rus. “Pravda”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi është i pabazë dhe i publikuar nga rrjete të dezinformimit. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Publikohet një përmbajtje me pretendimin se, “Në Antwerp të Belgjikës, banda të emigrantëve arabë u përplasën me banda të kartelit narkotik shqiptar pranë stacionit Koningin Astridplein, duke lënë 4 të plagosur dhe 8 të arrestuar”. Pretendimi është publikuar më 24 prill nga llogaria “vukfenix” në platformën “X”, përmes një videoje ku shihen disa persona duke u përleshur. Hibrid.info ka gjetur se nga publikimet e mediave në Belgjikë, të cilat iu janë raportuar burimeve zyrtare, nuk konfirmohet se ndonjë nga personat e përfshirë në përleshje, është shqiptar. (këtu)

Share With Others