info@hibrid.info
Shpejtësia, mashtrimet dhe mosbesimi: Si po e transformon inteligjenca artificiale gazetarinë e pavarur
shape
shape
shape

Shkrim nga “Reuters Institute”. Përkthyer dhe përshtatur nga Hibrid.info

Një sërë tekstesh nga një gazetare e pavarur (freelancer) me emrin Margaux Blanchard u publikuan në disa prej publikuesve të mëdhenj në gjuhën angleze më 2025. Por këto, përfshirë esetë për “Business Insider” dhe një shkrim për “WIRED” mbi çiftet që po martohen në lojën “Minecraft”, dolën se nuk ishin ato që shfaqeshin. Margaux Blanchard nuk ekzistonte.

Pasi një redaktor pati dyshime për një propozim të çuditshëm dhe e sfidoi Blanchardin, u bë e qartë se puna e publikuar nën këtë emër ishte kryesisht e gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). Një nga një, publikuesit që i kishin publikuar përmbajtjet, nisën t’i hiqnin.

Disa muaj pas rrëfimit të “Margaux Blanchard”, një tjetër gazetar i mundshëm i pavarur u kap duke përdorur IA për të gjeneruar deklarata dhe artikuj. Këtë herë, artikujt u publikuan në media të mëdha nën emrin “Victoria Goldiee”.

Këta janë skenarët më ekstremë. Gjithsesi, ata vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si sistemi i gazetarisë së pavarur ka funksionuar deri tash. Gjithçka mbështetet në besim: Që gazetari është ai që thotë se është, e se po e bëjnë punën vetë.

Si po ia dalin redaktorët që merren me gazetarët e pavarur në një mjedis ku secili mund të gjenerojë diçka nga inteligjenca artificiale dhe të nxjerrë artikuj me vetëm një urdhër? Nga ana tjetër, si po i ndikon vetë punonjësit e pavarur lehtësia me të cilën mund të krijohen teksti dhe imazhet?

Këtyre pyetjeve u janë përgjigjur rreth 45 gazetarë që punojnë si të pavarur dhe redaktorët përgjegjës.

Shumë gazetarë thanë se inteligjenca e gjeneruar artificiale u ka ndihmuar të jenë më të organizuar dhe efikasë. Ka ende skeptikë. Por në përgjithësi, të dhënat tregojnë se po bëhet fjalë për një industri që po përshtatet me IA.

Puna e pavarur po ndryshon, nuk po zhduket

Nuk ka pasur konsensus brenda gazetarëve dhe redaktorëve nëse porositë janë rritur apo ulur që nga popullarizimi i inteligjencës artificiale.

Disa prej gazetarëve të pavarur ia kanë vënë meritat inteligjencës artificiale uljes së porosive për artikuj, ndërsa të tjerë kanë thënë se kanë marrë më shumë pikërisht për shkak të IA. Të tjerët nuk kanë theksuar se kanë përjetuar ndryshime.

Shumë gazetarë të pavarur përdorin IA për të organizuar dhe përshpejtuar rrjedhën e punës së tyre, për të ndihmuar në hulumtim, planifikim, transkriptim e në disa raste edhe përpilimin e drafteve të artikujve. Disa janë shfaqur të entuziazmuar për mundësitë e reja që u jep inteligjenca artificiale.

“Mbërritja e vegëzave si ChatGPT e ka ulur drastikisht kohën e pritjes mes një storie dhe tjetrës. Në pozitën time, unë jam përgjegjëse për të shkruar storie përgjatë konferencës së mëngjesit të presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum, dhe të qenit në gjendje që të mirëmbajë procesin në kohë reale është e jashtëzakonshme me mbështetjen e IA”, ka thënë Jesus Garcia Rodriguez, redaktor i pavarur që shkruan për mediumin meksikan “El Mañana”.

“Për mua, ka hapur një botë të tërë të mundësive”, ka shkruar gazetarja që merret me inovacion në media, Ulrike Langer. Këtu përfshihen të shkruarit rreth inteligjencës artificiale, përdorimi i saj për të hyrë në fusha të reja si kodimi dhe angazhimi i saj në hulumtime personale e asistim të redaktimit për të përmirësuar efikasitetin dhe prodhimin.

Efikasiteti u citua nga shumë gazetarë si benefit kyç për punën e tyre.

“Shpejtësia me të cilën i përpiloj propozimet është rritur, dhe ato janë më të sakta e më tërheqëse. Kjo bën që redaktorët t’i zgjedhin më shpejt”, ka thënë Robert Amalemba, tekstshkrues i pavarur me bazë në Keni.

Në disa raste, gazetarët e pavarur që kanë përdorur IA kanë thënë se automatizimi i një pjese të punës ua ka mundësuar të fokusohen më shumë në vendimmarrje dhe mendime për pamjen e përgjithshme.

“Tani është pjesë e përditshme e rrjedhës së punës sime për hulumtim, strukturim idesh dhe drafte fillestare, duke ma mundësuar të fokusohem më shumë në analiza, gjykime redaktoriale dhe vendimmarrje. Produktiviteti është rritur, krahas pritjeve rreth shpejtësisë”, ka thënë Alvaro Liuzzi, gazetar i pavarur në Argjentinë.

Një hulumtim mbi gazetarët në Britani të Madhe, të pavarur dhe atyre të mediave, ka gjetur se më shumë gazetarë po e përdorin IA për informatat fillestare sesa për fazat tjera të procesit të prodhimit të lajmeve. Në terma individualë, gazetarët më së shumti ka gjasa ta përdorin IA në transkriptim dhe vendosje të mbishkrimeve, përkthime, rregullat drejtshkrimore, që veçse nuk janë të reja në sferën e automatizimit.

Gjithsesi, teksa ky studim u krye në periudhën gusht-nëntor 2024, dhe IA vazhdoi të zhvillohet në hapa të mëdhenj që nga ajo kohë, fotografia e përgjithshme mund të duket ndryshe sot.

Rritja e shpejtësisë ka çuar po ashtu në pritjet se puna mund të bëhet në tërësi më shpejt. Disa gazetarë kanë thënë se tashmë janë ngushtuar afatet për rikthim të teksteve.

Në disa raste, kjo ka ndikuar edhe në uljen e buxhetit për gazetarët e tillë, sipas Arif Ullah Sheikh, producent në Korporatën Televizive në Pakistan, dhe krijues përmbajtjesh i pavarur. Kjo sepse një pjesë e punës është automatizuar dhe nuk i jepet më gazetarit të pavarur dhe po ashtu ka pritje që gazetarët e pavarur mund të përdorin inteligjencën artificiale për t’i kursyer vetes kohë, ka thënë Sheikh.

“Numri i shkrimeve mbi mendimet për lidership, që më është caktuar të shkruaj në emër të brendeve dhe drejtuesve, ka rënë. Dyshimi im është se këto tani thjesht u janë dhënë vegëzave të inteligjencës artificiale”, ka thënë Chris Sutcliffe, gazetar i pavarur me fokus në teknologji, nga Britania e Madhe.

Verifikimi u bë më i rëndësishëm

Përdorimi i gjerë i inteligjencës artificiale e ka amplifikuar edhe rëndësinë e verifikimit për të kontrolluar për halucinacione dhe gabime të tjera të mundshme në prodhim. Por nevoja për të kontrolluar punën e gjeneruar nga IA për gabime të mundshme ndonjëherë mund të neutralizojë kursimet e kohës së automatizimit të asaj pune që në fillim.

Gazetarja freelance Sophie Mangado, me bazë në Kanada, ka shkruar se herë pas here e përdor inteligjencën artificiale për të kursyer kohë në kërkime. “Ana tjetër e kësaj është se më duhet të verifikoj dy herë çdo rezultat nga inteligjenca e gjeneruar artificiale dhe kjo merr kohë”, ka thënë ajo.

“I përdor vetëm për tema që i njoh në mënyrë të përsosu, por edhe në ato raste i kontrolloj dy herë”, ka shkruar Elisa Gestri, gazetare dhe fotoreportere e pavarur, e cila ka shprehur shqetësim për besueshmërinë e rezultateve të IA pasi ka vënë re disa gabime.

Për një profesion që mbështetet te saktësia dhe ku ruajtja e besimit të audiencës tashmë është sfiduese, disa gazetarë të pavarur janë shprehur të shqetësuar se mbështetja e tepërt te IA mund të çojë në shkurtime të dëmshme të punës.

“Kjo teknologji po riformëson proceset e kërkimit që kërkojnë kujdes. Disa media dhe klientë supozojnë se ‘gjithçka është më e shpejtë’ dhe shtyjnë për afate të shkurtra ose tarifa më të ulëta, pa bërë dallimin mes detyrave mekanike dhe punës së thellë intelektuale. Kjo e zhvlerëson profesionin dhe rrezikon të çojë në pasaktësi. Gjëja më e rrezikshme është tundimi për të prodhuar përmbajtje ‘të lirë’, pa raportim apo verifikim të fortë. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë”, ka shkruar Hassel Fallas, gazetare dhe redaktore e pavarur me bazë në Kosta-Rika.

Si të kapet mashtruesi

Një nga rreziqet me të cilat përballen redaktorët që porosisin materiale është mundësia e një vërshimi propozimesh të gjeneruara nga IA që mbushin email-in e tyre, duke e bërë të vështirë përzgjedhjen e shkrimeve cilësore.

Skenari më i keq i mundshëm është rënia pre e një mashtruesi që përdor IA.

Nicholas Hune-Brown, redaktor në “The Local” publikues jofitimprurës me bazë në Toronto, ishte ai që e zbuloi se Victoria Goldiee po gënjente për punën e saj.

Ai dyshoi pasi propozimi që ajo ia kishte dërguar për temë dukej paksa tepër “i ekzagjeruar”. Ajo kishte pretenduar po ashtu se veçse ka bërë pjesë të madhe të punës për artikullin që po e propozonte dhe kjo ishte ajo që Hune-Brownit iu duk e çuditshme.

Ai më pas nisi të kërkonte në internet për të dhe gjeti shumëllojshmëri artikuj të fundit që pretendohej se ishin shkruar nga ajo për publikues të ndryshëm, përfshirë “Architectural Digest” dhe “Journal of the Law Society of Scotland”. Puna e saj sugjeronte se jetonte në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar, por “The Local” ishte publikues nga Toronto.

Hune-Brown kërkoi edhe më thellë, duke rënë në kontakt me njerëz që Goldiee pretendonte se i ka intervistuar dhe ka gjetur se artikujt e saj përmbanin kuota nga ekspertë të vërtetë që nuk e mbanin mend se kanë folur me të fare, ose ekspertë që as nuk ekzistonin.

Kur e thirri në telefon Goldieen, zëri në anën tjetër e mbylli. Goldiee ndaloi së përgjigjur e-maileve të tij.

“Kjo përvojë e ka ndryshuar tërësisht mënyrën e punës sonë”, ka thënë Hune-Brown. “The Local” tani po zbaton proces më të fortë të verifikimit të fakteve, përfshirë që autorët të dorëzojnë shënime të tjera, si provë se po e shkruajnë vetë tekstin.

Ky hap shtesë verifikimi u përmend edhe nga një prej gazetarëve të pavarur që ndau përvojën e tij.

Chris Sutcliffe ka thënë se u ka ofruar redaktorëve qasje në historikun e versioneve të “Google Docs” si provë se ai po e bën vetë shkrimin. Ai beson se kjo po e ndihmon të sigurojë punë. “Thjesht ofrimi i provës për punë origjinale duket se është bërë pikë shitjeje për gazetarinë freelance”, ka thënë ai.

Rritja e skepticizmit nga redaktorët mund të krijojë pengesa shtesë për gazetarët e rinj ose ata që sapo hyjnë në profesion, pasi redaktorët mund të kërkojnë më shumë se një propozim të thjeshtë — për shembull, shkrime të mëparshme ose kontakte — para se t’u japin një angazhim.

“Nuk jam aq i shqetësuar që një artikull plotësisht mashtrues do të përfundojë në faqet tona”, ka thënë Hune-Brown, duke iu referuar procesit të verifikimit. Megjithatë, ai ka thënë se është i shqetësuar për mënyrën se si do të përmbushë detyrën e “The Local” për të punuar me zëra të rinj.

“Nuk jam i sigurt se cili është procesi më i mirë për të bërë tash, kur nuk mund të supozosh asnjë lidhje mes fjalëve të propozimit që e merr dhe personit që e ka dërguar”, ka thënë ai.

Ky shqetësim për besimin tek ekspertiza e sinjalizuar nga propozime të shkruara mirë u përmend edhe nga redaktorë të tjerë. Pengesat për të hyrë në industri tani është më e ulët, pasi IA i bën të gjithë të tingëllojnë si ekspertë.

Për momentin, Hune-Brown po punon vetëm me tekstshkrues që i njeh. “Nuk kam bërë më asnjë thirrje publike për propozime për shkrime”, ka thënë ai, “sepse nuk dua të kaloj nëpër dhjetëra e dhjetëra ppropozime të gjeneruara nga IA”.

A do të na zëvendësojë IA?

Shumë nga këta gazetarë të pavarur kanë thënë se e përdorin IA për të ndihmuar punën e tyre. Megjithatë, ka edhe një grup që e sheh si kërcënim për sigurinë e punës së tyre ose si të papajtueshme me vlerat e gazetarisë.

“Vërej shumë tekst gjenerues në portalet e lajmeve dhe kjo më bën të ndjej dy gjëra: trishtim për kolegët që po shtyhen për të qenë më të shpejtë se Twitter (e pamundur) dhe zhgënjim se kjo është bërë normë. Nuk jam fans i inteligjencës artificiale në çështjet njerëzore”, ka shkruar tekstshkruesi Emil Čančar i cili ka deklaruar se e përdor ChatGPT vetëm si motor kërkimi të avancuar. 

Justine, një ilustratore e pavarur britanike, ka thënë se merr më pak mundësi pune për shkak të IA. “Gradualisht, po shoh klientë të rregullt që publikojnë përmbajtje të gjeneruar nga IA në vend që të punësojnë një ilustratore”, ka shkruar ajo.

Ajo po ashtu po përballet gjithnjë e më shumë me klientë që i kërkojnë të përdorë imazhe të gjeneruara nga IA si referencë për ilustrime.

“Kjo e pengon procesin krijues sepse më duhet të krijoj bazuar në një stil të caktuar, ndërsa më parë kishte diskutim mes klientit dhe meje, shpesh me një tabelë pune. Disa muaj më parë, një autor më porositi të dizajnoja kopertinën e librit bazuar në një imazh me inteligjencë artificiale të cilin ai e kishte gjeneruar; ata donin që kopertina të ishte sa më afër stilit të IA. Kështu që e gjeta veten duke kaluar orë të tëra duke mësuar si të vizatoj si një IA”, ka thënë ajo.

Një e treta e ilustratorëve në Britani të Madhe dhe 58 për qind e fotografëve kanë raportuar për rënie të porosive apo anulim projektesh si pasojë e IA, sipas një raporti të publikuar në janar.

Disa prej shkrimtarëve që po ashtu iu përgjigjën pyetjes për ndikimin e IA, kanë shprehur shqetësime se ajo mund t’i zëvendësojë.

“Publikuesit po porosisin më pak artikuj, po i ulin tarifat apo po i anulojnë kontratat afatgjate për shkak të rënies së shikueshmërisë, pasi lexuesit po i drejtohen IA për informacione, në vend të publikuesve të ndryshëm. E kam ruajtur deri tash punën time, me tarifa më të ulëta, me më shumë pasiguri, kërcënime për rënie të tjera dhe shumë më shumë punë për çdo angazhim”, ka thënë gazetarja e pavarur me bazë në SHBA, Sarah Scoles.

“Në rastin tim, ka qenë e vështirë të përshtatem; ndjej sikur është tradhti ndaj intelektit tim. Duke e përdorur (IA) po ndihmoj normalizimin e diçkaje që mund të më lërë më vonë pa punë”, ka thënë tekstshkruesja e pavarur me bazë në Meksikë, Adriana Cruz Toledo.

Raporti i “Institutit Reuters” për përdorimin e IA te gazetarët britanikë ka gjetur se shumë më shumë gazetarë po e shohin IA si kërcënim të madh për gazetarinë sesa si shans të madh. Gjithsesi, 45 për qind e respondentëve kanë thënë se e kanë parë IA si një mundësi deri në njëfarë mase.

Megjithëse nuk kishte konsensus të përgjithshëm mbi ndikimin e inteligjencës artificiale të gjeneruar në numrin e porosive për freelancerët që u përgjigjën, dhe shumë prej tyre vlerësuan ndikimin e teknologjisë në efikasitetin e tyre, një numër prej tyre theksuan gjithashtu rëndësinë e ndërhyrjes njerëzore.

Kjo u përmend veçanërisht në lidhje me verifikimin, gjykimin editorial dhe etikën.

Redaktori i pavarur argjentinas Eric Facundo Fernández ka thënë: “Është e papranueshme që tekstshkruesit njerëzorë të mos jenë pas punës që e prodhon IA, qoftë si mbikëqyrës të versionit final të artikullit, apo çkado që realizohet”.

“Në vend që ta zëvendësojë rolin tim, IA gjeneruese e ka përforcuar vlerën e përgjegjësisë editoriale njerëzore”, ka thënë Liuzzi.

Share With Others

Leave a Reply