Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë Të fundit | Foda s’ka deklaruar se publikimi i formacionit të Turqisë nga gazetarët ndi… Të fundit | “Information Laundering”: Si transformohet dezinformimi në “fakt” në epokën… Të fundit | Ramush Haradinaj nuk deklaroi se diaspora e do Kosovën më pak Të fundit | Raportohet pasaktë për vdekjen e Khameneit, i atribuohet një llogarie gjoja… Të fundit | Pretendim i rremë se presidenti kroat Millanoviq ka lavdëruar Kurtin Të fundit | Bajrami nuk ka thënë “më mirë të ishim nën qeverisjen e Vuçiqit”
[ ARTIKULLI ]

Hoxhaj flet për mundësi, jo për anëtarësim të konfirmuar në NATO

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh që mban mbishkrimin “LAJM I MADH NGA SHBA, ‘’KOSOVA NË NATO””.

Përmbajtja është publikuar në Facebook në njërën nga faqet e televizionit “ATV”, që ka emrin “ATV Videos” dhe ka mbishkrimin “Enver Hoxhaj jep një lajm të madh nga Amerika: Kosova në NATO!”.

Postimi përmban edhe vegëzën e video-materialit, ku flet Enver Hoxhaj, deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, që po ashtu ka mbishkrimin “Enver Hoxhaj jep një lajm të madh nga Amerika: Kosova në NATO!”.

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Hibrid.info gjeti se mbishkrimet në imazh dhe postim nuk paraqesin saktësisht deklaratën e Hoxhajt në video.

Deklarata e Hoxhajt në këtë mbishkrimin e imazhit është paraqitur si pohim faktik apo si fakt i kryer. Kjo përforcohet edhe më shumë me përmbajtjet e komenteve në këtë postim, ku në shumë nga to është diskutuar saktësia e pohimit, “Kosova në NATO”, që në mbishkrim i është dhënë epiteti “lajm i madh”.

Hibrid.info kontrolloi se çka tha Hoxhaj në video-material?

Video-materiali i transkriptuar

“Hoxhaj: Ka edhe më tutje edhe vëmendje edhe mbështetje dhe interes amerikan për Kosovën edhe, u pa edhe në takimet që kishim, dhe mendoj që kjo administratë sikur se administratat tjera mund të jetë një mundësi e madhe, që Kosova ta shfrytëzojë këtë ndryshim të madh gjeopolitik, këtë shanse, dhe me presidentin Trump, nëse kemi një qartësi tonë të brendshme se si të shtyhet anëtarësimi në NATO, mund të bëhet realitet në tri deri në katër-pesë vitet e ardhshme.”

“Pyetja: Po thoni, anëtarësimi mund të bëhet realitet?

“Hoxhaj: Mendoj që nëse ka një temë evropiane, në të cilën edhe më tutje ka një interes amerikan, ku Amerika edhe më tutje do të mbetet e angazhuar është çështja e sigurisë. Në jetojmë në një kohë të madhe të pasigurisë dhe për shkak të paqartësisë së madhe botërore, për shkak të faktit që Ballkani është një lloj shahu gjeopolitik mes perëndimit, Rusisë, Kinës…Serbia bën përpjekje që të bëhet platformë, jo vetëm e interesave të saj hegjemonike, por edhe vetë ndikimit rus dhe kinez, amerikanët edhe më tutje e shohin të rëndësishme zgjerimin e NATO-s, anëtarësimin e shteteve të mbetura në NATO dhe kjo do të ndryshonte natyrisht raportin e Kosovës me aleancën veri-atlantike, do të fuqizonte raportin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjetra të perëndimit, por do të mund ta rirreshtonte edhe vetë Serbinë, që të shkëputet prej lidhjeve të saja historike, tradicionale me Rusinë dhe me Kinën dhe të jetë një vend i cili mund të jetë më afër Amerikës. Kështu e sheh Washingtoni, por mbi të gjitha interesat tona janë që në këtë ndryshim të madh gjeopolitik, në këtë ndryshim të madh tektonik, kur Evropa po bën përpjekje që të zgjerohet drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi, mendoj që është kohë ideale që Qeveria e Kosovës, institucionet në Kosovë dhe ne si parti politike opozitare ta kemi vetëm një temë dhe kjo temë është anëtarësimi i Kosovës në NATO.”

Pas kontrollimit, u konfirmua se Hoxhaj në këtë video-material ka folur për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në NATO në vitet e ardhshme. Ai këtë mundësi e lidhë me interesin e vazhdueshëm amerikan për sigurinë në Evropë, kontekstin e pasigurt gjeopolitik dhe nevojën për qartësi të brendshme politike në Kosovë.

Ndryshe nga siç paraqitet deklarata e tij në mbishkrimet e përmbajtjes së “ATV Videos”, Hoxhaj nuk e ka paraqitur anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë si diçka të kryer.

Hibrid.info ka hulumtuar në llogarinë e Hoxhajt në Facebook. Postimet e tij nga 2-5 shkurt, konfirmojnë që ai ka qëndruar në SHBA në këtë periudhë (shih këtu). Në një postim të bërë me 4 shkurt, ai ka përmendur se në fjalën e tij në Capitol Hill ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në NATO (shih këtu).

Ndërsa nga postimet tjera të Hoxhajt, nuk janë hasur informata të tilla që do të vërtetonin se ai në SHBA ka marrë konfirmime për progresin e Kosovës në raport me anëtarësimin në NATO.

Analiza:

Një imazh ka mbishkrimin që ka formulimin “KOSOVA NË NATO”, të paraqitur si pohim faktik dhe të cilësuar si “Lajm i Madh”.

Nga mbishkrimi i imazhit sqarohet se postimi ka një vegëz të bashkangjitur, ndërsa nga mbishkrimi i këtij postimi, sqarohet se kemi të bëjmë me deklaratë të deputetit të zgjedhur, Enver Hoxhajt.

Megjithatë, nga përmbajtja e videos, është kuptuar se Hoxhaj nuk e ka paraqitur anëtarësimin e Kosovës në NATO si fakt të kryer, por ka folur për mundësitë e mira që vendi të anëtarësohet në këtë organizatë, në tre, katër apo pesë vitet e ardhshme, duke u bazuar në rrethanat politike aktuale të cilat ai i ka përmendur.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e trajtuar si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere