Të fundit | Nuk ka të dhëna se Gjermania ka 'shtrënguar' procedurat e azilit për të kon… Të fundit | Ende nuk ka konfirmim se Kurti do të udhëtojë në SHBA për Asamblenë e OKB-s… Të fundit | Gashi s'ka thënë se do ta votonte Listën Serbe para Vetëvendosjes Të fundit | Gotovina s’ka thënë se “Thaçi nuk është në gjyq, por UÇK-ja është në gjyq”,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht 2026 Të fundit | Pretendim konspirativ se nëse dënohen krerët e UÇK-së, do të shkaktohet dhu… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se Trump i ka bërë ftesë Thaçit për vizitë në SHBA më… Të fundit | Rishikimi i javës: Deklarata të sajuara që u atribuohen figurave politike,… Të fundit | Titulli nuk sqaron se largimi nga përfitimet vlen për ata që nuk plotësojnë…
[ ARTIKULLI ]

Imazhi i Pedro Sánchez me Kuran është i edituar dhe ligji i pretenduar nuk ekziston

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Disa faqe në Facebook në gjuhën shqipe kanë publikuar një imazh të Pedro Sánchez, në të cilin ai paraqitet duke mbajtur librin e shenjtë të Islamit, Kuranin. Ky imazh është shpërndarë me pretendimin se: “Kushdo që fyen profetin Muhamed (s.a.w.) ose nuk respekton Kuranin e Shenjtë dënohet me 5 vjet burg. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka miratuar një rregull të ri dhe të ashpër për respektimin e feve në shtetin spanjoll”. (këtu, këtu, këtu, këtu, këtu)

Pas verifikimit të këtij postimi është konstatuar se imazhi është i edituar, ndërsa pretendimi i paraqitur në përmbajtje nuk është i vërtetë.

Çfarë dihet për këtë pretendim

Në disa versione të këtij imazhi të kryeministrit spanjoll i është shtuar edhe një mbishkrim në gjuhën angleze: “Spain New Rule Pedro Sánchez Insults Prophet Muhammad صلى الله OR Disrespects The Holy Quran In Spain Could Face Up To 5 Years Jail”. Në përkthim në shqip, ky mbishkrim pretendon se: “Rregull i ri në Spanjë: Pedro Sánchez – kush fyen Profetin Muhamed ose nuk respekton Kuranin e Shenjtë në Spanjë mund të përballet me deri në 5 vjet burg.”

Përmes kërkimit të kundërt të imazhit (reverse image search) është gjetur fotografia origjinale e kryeministrit spanjoll, e cila tregon se versioni që qarkullon në rrjetet sociale është manipuluar për të krijuar përshtypjen se ai mban në duar librin e shenjtë islam. Kjo tregon se fotografia e shpërndarë në Facebook është e modifikuar dhe nuk paraqet një situatë reale.

Po ashtu, pretendimi se në Spanjë është miratuar një ligj i ri që dënon me 5 vjet burg fyerjen e Profetit Muhamed ose mosrespektimin e Kuranit nuk është gjetur në asnjë burim kredibil informativ, në raportime mediatike ndërkombëtare apo në dokumente zyrtare të institucioneve spanjolle.

Çfarë thotë ligji në Spanjë

Në legjislacionin spanjoll ekziston një dispozitë në Kodin Penal të Spanjës që lidhet me ofendimin e ndjenjave fetare. Sipas nenit 525 të këtij kodi, dënohet me gjobë personi që publikisht tall ose ofendon besimet, ritualet apo ndjenjat e një grupi fetar. Kjo dispozitë nuk parashikon dënim prej pesë vitesh burg dhe nuk është e kufizuar vetëm për Islamin, por zbatohet për të gjitha fetë dhe besimet. (këtu)

Në disa raste të veçanta, si për shembull aktet e profanimit në vende kulti ose ndërprerja e ceremonive fetare, Kodi Penal parashikon dënime që mund të përfshijnë gjobë. Detajet për dënimin me gjobë theksohen në nënkreun 4 të këtij kodi. (këtu, këtu)

Megjithatë, këto dispozita nuk kanë lidhje me pretendimin e përhapur në rrjetet sociale për një ligj të ri që dënon specifikisht fyerjen e Profetit Muhamed ose mosrespektimin e Kuranit.

Madje, në vitet e fundit ka pasur debat publik në Spanjë për mundësinë e reformimit ose heqjes së dispozitës për “ofendimin e ndjenjave fetare”, me argumentin se ajo mund të kufizojë lirinë e shprehjes. (këtu)


Analiza:

Në rrjetet sociale është shpërndarë një imazh i Pedro Sánchez me Kuran në dorë, duke pretenduar se në Spanjë është miratuar një rregull i ri sipas të cilit kushdo që fyen Profetin Muhamed ose nuk respekton Kuranin dënohet me deri në 5 vjet burg.

Verifikimi tregon se imazhi është i manipuluar dhe pretendimi është i pavërtetë; një ligj i tillë nuk ekziston në Spanjë, ndërsa Kodi Penal i Spanjës parashikon vetëm gjoba për ofendimin e ndjenjave fetare, jo 5 vjet burg.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere