Portali i dyshimtë me emrin “Skenderaj Press” ka publikuar një artikull, me anë të cilit pretendohet se ka filluar kompensimi i pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), për diferencën e pagës, bazuar në rregulloren për rritjen e pagave të pjesëtarëve të FSK-së, sipas gradave të tyre.
Portali në fjalë këtë pretendim e bën me anë të titullit, ndërsa në përmbajtje tregohet se pjesëtarët e FSK-së po e kërkojnë kompensimin e këtyre pagave.
Hibrid.info ka verifikuar dhe ka vërtetuar se ekziston një vendim gjyqësor në favor të pjesëtarëve të FSK-së, por kompensimi i tyre nuk ka filluar.
Vegëzat artikullit të publikuar nga “skenderajpress”:
Artikulli i publikuar më 26 janar ka titullin “Fillojnë të kompenzohen ushtarët e FSK-së për pjesën e rrogës të mospaguar nga Minstria e Mbrotjës”.
Pjesë nga përmbajtja e artikullit:
“Ka filluar të kerkohet kompensimi I pagave me rritje nga ana e pjastareve të FSK-së e cila ishte paraparë sipas Vendimt për rritjen e pagës që e kishtë marr ish kryeministri Ramush Haradinaj në muajin dhjetor të vitit 2018”.
Pas hulumtimit nga hibrid.info, është mësuar se në shkurt të vitit 2020, kishte hyrë në fuqi, nga qeveria e Ramush Haradinaj, rregullorja për rritjen e pagave për pjesëtarët e FSK-së, sipas gradave të tyre (shih këtu).
Por, hulumtimi i mëtutjeshëm i hibrid.info, ka gjetur se vendimi i kësaj rregulloreje nuk kishte nisur zbatuari me gjithë plotfuqinë e saj (shih këtu), deri më 28 korrik kur edhe ishte shfuqizuar nga kryeministri i tanishëm, Albin Kurti (shih këtu).
Me anë të makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar në disa media në gjuhën shqipe, më 27 janar të këtij viti, në të cilat është treguar se një aktgjykim ku Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur në favor të një pjesëtari të FSK-së, i cili kishte kërkuar kompensimin e kësaj page, përmes rrugëve ligjore. Po ashtu është treguar se 300 pjesëtarë të FSK-së pritet ta padisin Ministrinë e Mbrojtjes, për shkak të kësaj çështjeje (shih këtu dhe këtu).
Vendimi i Gjykatës Themelore të Pejës, i publikuar në këto artikuj:
“DETYROHET e paditura Ministria e Mbrojtjes – Forca e Sigurisë së Kosovës, që paditësit në emër të kompensimit shtesë për ngritje profesionale me gradën rreshter, për periudhën nga data 01.02.2020 deri me datën 28.07.2021, t’ia paguaj diferencën në shumën prej 2,583.00 € si dhe shpërblimin jubilar për 10 vite të përvojës së punës, shumën prej 112.20 €, në shumën e përgjithshme prej 2,695.20 €”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Analiza:
Pretendohet se ka nisur kompensimi i pjesëtarëve të FSK-së, për pagat me rritje, të cilat nuk i kishin marrë gjatë përiudhës nga shkurti i 2020 deri në korrik të 2021, siç parashihte rregullorja e miratuar nga qeveria Haradinaj.
Hibrid.info ka vërtetuar se në fakt, pjesëtarët e FSK-së, bazuar në një vendim gjyqësor që u jep të drejtë atyre në kërkesat e tyre, kanë nisur të ndjekin rrugët ligjore për kërkimin e këtij kompensimi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.