info@hibrid.info
Informacion çorientues, s’ka konfirmim për takim mes LVV-së dhe PDK-së
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar, “VV dhe PDK nisin bisedimet, konfirmohet takimi ndërmjet dy partive”.

Kjo përmbajtje është publikuar të martën (21 tetor) në mediumin “gazetaimazhi.com”.

Ajo është shpërndarë edhe në faqen në Facebook të këtij mediumi, me anë të një fotografie ku shihen liderët e dy partive respektive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Çka nuk shkon me titullin dhe foton?

Në titull nuk specifikohet konteksti i ngjarjes, dhe kur i bashkohet edhe fotoja, lë të kuptohet se takimi është realizuar mes krerëve të partive në fjalë. Mirëpo, në këtë rast lidhet me një takim të mundshëm të kandidatëve për kryetar komune nga këto dy subjekte politike në Fushë-Kosovë, ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 9 nëntor.

Në këtë raund do të përballen Valon Prebreza nga LVV dhe Besnik Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Në bazë të përmbajtjes së komenteve në postimin në Facebook, mund të vlerësohet se audienca mund ta lexojë informacionin e paraqitur në titull, dhe të ilustruar me një fotografi të Kurtit dhe Krasniqit, si një takim të nivelit qendror midis dy partive.


Në kreun e këtij lajmi sqarohet konteksti i ngjarjes, kur thuhet se, “Garë e ‘’nxehtë’’ pritet të jetë në Fushë-Kosovë deri më 9 nëntor atëherë kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm për katër vjet”.

Artikulli përfshin deklaratën e kandidatit të LVV-së, Valon Prebreza, i cili doli i pari në raundin e parë të zgjedhjeve në këtë komunë, duke njoftuar se në ditët e ardhshme do të zhvillojë një takim me kandidatin e PDK-së, Rrahim Tërnava.

Deklarata e Prebrezës nga artikulli:

‘’Unë i kam ftuar të gjithë kandidatët që kanë garu për një takim me kandidaten e AAK-së veçse jemi dakorduar për të vazhduar së bashku pres edhe bashkëpunim nga ana e kandidatëve të tjerë, gara është e hapur dhe është mundësi e mirë sepse votuesi i Fushë-Kosovës është pacaktuar dhe opozita ka marrë shumicën e votave, me kandidaten e PDK-së kemi pasur komunikim, por në ditët në vazhdim pres një komunikim tamam zyrtar, sot ose nesër pres me u taku me kandidatin e PDK-së”.

Artikulli gjithashtu përfshin deklaratën e Rrahim Tërnavës, kandidat i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, i cili shprehet se do të ketë takime edhe me Prebrezën e VV-së, edhe me Osmanin e LDK-së.

Deklarata e Tërnavës nga artikulli:

‘’Po po vetëm jemi duke e pritur qendrën me e marr një vendim, edhe po kemi me zhvillu takim edhe me Valonin edhe me Besnikut, vetëm duhet me prit një vendim nga qendra”.

Në bazë të këtyre deklarimeve, kuptohet se bëhet fjalë për një takim të mundshëm në të ardhmen në mes zyrtarëve të këtyre partive në nivelin lokal, në Fushë-Kosovë.

Ku qëndron çorientimi?

Më 11 tetor, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, si drejtues i subjektit që doli i pari nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, u mandatua për formimin e Qeverisë së Kosovës, nga presidentja Vjosa Osmani (shih këtu).

Sipas Kushtetutës së Kosovës, kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (81 vota).

Duke qenë se jemi ende brenda afateve kushtetuese për formimin e qeverisë dhe procesi zgjedhor në Fushë-Kosovë është në zhvillim, çdo përgjithësim për takime të mundshme mes subjekteve politike në çfarëdo niveli në vend, mund të çojë në çorientim të lexuesve. Sidomos në rastin aktual, kur nuk përcaktohet në titull se kemi të bëjmë me zhvillime në nivelin lokal.

Analiza:

Titulli “VV dhe PDK nisin bisedimet, konfirmohet takimi ndërmjet dy partive” është përgjithësues dhe mund të çojë në keqkuptim lexuesit.

Ai nuk specifikon kontekstin lokal të ngjarjes, që lidhet me raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Fushë-Kosovë, dhe përfshin vetëm kandidatët lokalë, jo bisedime të nivelit qendror. Për më tepër, fotografia e postimit në Facebook shfaq liderët e VV-së dhe PDK-së, Albin Kurti dhe Memli Krasniqi, gjë që mund të shtojë përshtypjen e një takimi në nivel qendror.

Në kushtet kur jemi ende brenda afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë, çdo përgjithësim ose mos-specifikim mund të çojë në keqkuptim te lexuesit mbi situatën politike.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait” dhe “Dezinfomatë”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others