Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video nga koncerti i mbajtur në Zagreb nga këngëtari kroat Marko Perkoviç, i njohur si Thompson, ku në sfond dëgjohet publiku duke kënduar këngën “Mora fjalë” të interpretuar nga Shkurte Fejza.
Kjo përmbajtje është publikuar dje (7 korrik) në Facebook, nga një llogari me emrin “Rifadije Veliu Nimanaj”.
Por, cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se pamjet janë modifikuar, duke u ndërhyrë në audio për të krijuar përshtypjen e rreme se në koncert po këndohej kënga “Mora fjalë”.

Deri në momentin e trajtimit, kjo përmbajtje ka marrë mbi 500 mijë shikime, mbi 13 mijë pëlqime, afër 400 komente dhe mbi 1 mijë shpërndarje.
Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka gjetur se videoja me të njëjtën audio ëshë shpërndarë në TikTok (shih këtu).
Në njërin nga postimet në TikTok, në bazë të një komenti, është gjetur videoja origjinale (shih këtu). Edhe pse nuk është përcaktuar me saktësi burimi i audios ku dëgjohet publiku duke kënduar “Mora fjalë”, është vërtetuar se kjo audio është shtuar mbi videon autentike, me synimin për të shtrembëruar përmbajtjen reale.
Analiza:
Pretendimi se publiku në koncertin e Thompson-it në Zagreb këndoi këngën “Mora fjalë” nuk qëndron.
Audioja ku dëgjohet kënga është manipuluar dhe nuk përputhet me pamjet autentike të koncertit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim” dhe “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.