[email protected]
Media serbe, pa fakte lidh veprimet gjyqësore të Kosovës me “spastrimin etnik” ndaj serbëve
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

E përditshmja në gjuhën serbe “Politika.rs” ka publikuar në faqen e saj online një artikull dje (10 qershor) përmes të cilit pretendon se “Kurti heq kujdesin shëndetësor për ta përmbyllur spastrimin etnik”.

Artikulli i referohet aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Kosovës ndaj dy të pandehurave të cilat kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore në aneksin e objektit të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Politika”:

https://www.politika.rs/sr/clanak/618559/Kurti-ukida-zdravstvo-da-bi-zaokruzio-etnicko-ciscenje (https://archive.is/31e8i)

Artikulli flet për aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Kosovës për dy të pandehura të cilat thotë se kanë ushtruar veprimtari të jashtëligjshme mjekësore në aneksin e objektit të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë në kuadër të një OJQ-je serbe, e cila u bastis më 31 janar dhe u vendos për mbylljen e aktivitetit të saj.

Pretendimi i “Politika” i referohet përfaqësueses ligjore të të pandehurave, Jovana Filipoviq, e cila pretendon se kryeministri Albin Kurti “nuk ndjek më serbët vetëm për krime të pretenduara lufte ose për pjesëmarrje në tubime paqësore kundër veprimeve dhe vendimeve të tij brutale dhe të njëanshme, por është i gatshëm të përballet me çdo serb për çdo arsye të sajuar, veçanërisht nëse bëhet fjalë për mjekë, të cilët, së bashku me punonjësit e arsimit, janë shtylla e qëndrueshmërisë dhe mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

Çka dihet për rastin e OJQ-së serbe që funksiononte prej vitesh ngjitur me Policinë?

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi më 1 shkurt se më 31 janar 2024 u realizua një bastisje në aneksin e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë, pas marrjes së informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme se aty po operonte një OJQ me emrin “Centar za Mir i Toleranciju Pristina – CMTP” në mënyrë të kundërligjshme.  

Se po funksiononte në mënyrë të jashtëligjshme, e tha edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla më 31 janar tha se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.

Sveçla ka bërë të ditur se pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je. (këtu)

Edhe Prokuroria njoftoi se nga bastisja ishte konstatuar se në objektin në fjalë janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve. (lexojeni këtu njoftimin e plotë të PTh-së së Prishtinës)

Ndërkaq, rreth 4 muaj më vonë, gjegjësisht më 3 qershor, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë ndaj N.P. dhe E.I., për shkak të veprave penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”. (këtu)


Analiza

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, u vërtetua se e përditshmja në gjuhën serbe “politika.rs”, ka publikuar përmbajtje të paverifikueshme informative në artikullin me titull “Kurti heq kujdesin shëndetësor për të përmbyllur spastrimin etnik”.

Këto pretendime paraqiten pa fakte si pjesë të një plani të kryeministrit Albin Kurti për të përmbyllur spastrimin etnik të serbëve në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës së hibrid.info, këto pretendime bien në kategorinë “Teori konspirative”.


Teoritë konspirative

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »