Pretendimet se organizata apo individë të lidhur me lëvizjen sioniste kanë synuar krijimin e një shteti hebre në territorin shqiptar nuk janë të reja. Ato janë rikthyer në qarkullim gjatë debatit për investimin e Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec. Këto narrativa janë shoqëruar me imazhe të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale, teori konspirative dhe interpretime të dokumenteve historike
Një imazh i gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (AI), që nisi të qarkullonte në fund të majit të këtij viti, u bë shkas i debateve të mëdha në Shqipëri, imazh i cili paraqiste një gardh metalik me tela me gjemba, mbi të cilin ishte vendosur një shenjë që e deklaronte zonën si kufirin Zvërnec-Shqipëri, në gjuhën shqipe dhe angleze, me dy flamuj, njërin shqiptar dhe tjetrin izraelit.
Imazhi në fjalë u shfaq pasi ambientalistët denoncuan ndërhyrjet e para të makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro – Nartë, duke hapur rrugë, kryer rrethime dhe përgatitur terrenin për ndërtimin e një resorti luksoz të planifikuar nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili është me origjinë hebreje. Pas publikimit të idesë investuese, në rrjetet sociale qarkulloi edhe imazhi i rremë, i cili u shfrytëzua për të nxitur pretendime mbi një lidhje mes investimit dhe Izraelit.
Se ky imazh ishte gjeneruar me IA, e vërtetoi platforma për verifikim faktesh në Shqipëri, “Faktoje”.

Protesta në Tiranë
Nga 30 maji, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme kundër projektit turistik të planifikuar nga Kushner në Sazan e Zvërnec, duke kërkuar anulimin e tij për shkak të ndikimit të mundshëm në një zonë të mbrojtur, ku jetojnë flamingo, foka dhe breshka deti.
Kompania e lidhur me investimet e parapara të Kushnerit, Sazan Real Estate Development LLC, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se i respekton të gjitha proceset institucionale, por kundërshtarët ngrenë shqetësime për mungesë transparence dhe rrezik mjedisor. (këtu)
Mirëpo, ajo që nisi si shprehje pakënaqësie qytetare ndaj shkatërrimit të natyrës, u shoqërua edhe me incidente që zhvendosën fokusin nga kërkesat mjedisore.
Incidente që nxitën akuza për antisemitizëm
Në një rast gjatë protestës, më 20 qershor, një qytetare u pa duke e hequr flamurin e Shtetit të Izraelit nga muri rrethues i muzeut “Shtëpia e Gjetheve”, në afërsi të hyrjes së kullës “Forever green”, ku është vendosur ambasada e Izraelit në Tiranë.
Për këtë veprim pati reagime nga politika në Shqipëri, por edhe nga vetë Ambasada e Izraelit në Tiranë (këtu), të cilët në përgjithësi e dënuan si akt me karakter antisemit.
Ndonëse ky rast u faktua si i vërtetë, një imazh tjetër u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale që paraqiste disa persona të maskuar duke hequr flamurin izraelit nga hapësira para ambasadës.
Por, ky imazh u vërtetua se ishte gjeneruar tërësisht me IA.
Identiteti hebre i investitorit dhe narrativat konspirative
Investitori i vërtetë pas idesë miliardëshe në Sazan është Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump). Kushner është hebre praktikues dhe ka lidhje të njohura familjare, politike dhe biznesi me Izraelin. Në rrjetet sociale kjo u përdor për të ndërtuar narrativa se projekti turistik fsheh objektiva gjeopolitikë, pretendime për të cilat nuk është paraqitur asnjë provë (këtu).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga festa në Tiranë për 35-vjetorin e themelimit të PS, tha se pavarësisht se Kushner është me origjinë hebreje, kjo sipas tij nuk duhet të ketë lidhje me investimin, pasi nuk është çështje që u takon shqiptarëve.
“Cili është djalli që po tenton të hyjë në mes nesh? Që po provon t’u lërë fëmijëve tanë në kurriz, diçka që ne duhet t’i mbrojmë? Cili është djalli që po pengon një investim turistik? Ç’lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Dy investitorët kryesorë janë 2 vëllezër myslimanë nga Katari. Apo se dhëndri i Presidentit të SHBA-ve është hebre? Po pastaj? Kaq budallenj mund të bëhemi ne që të hedhim përpjetë atë që nuk hidhet dhe t’i bëjmë karshillëk dynjasë? Ne duhet t’i kemi marrëdhëniet strategjike me të gjithë”, citohet të ketë thënë Rama (këtu).
Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, i hodhi poshtë pretendimet për ndikime të huaja, duke thënë se “pas tyre nuk ka as grekë, as serbë, as izraelitë, as agjentë”.
Edhe gazetari e analisti Ben Andoni konsideron se pretendimet e tilla janë të zmadhuara dhe se protesta është më shumë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara. (këtu)
Pretendimet për “izraelizimin” e Shqipërisë – nga burojnë?
Në mediat online, kohëve të fundit po qarkullon një intervistë e Dr. Anna Cohen, një hebraike e lindur në Vlorë pas Luftës së Dytë Botërore.
Dr. Cohen, në intervistën e realizuar më 14 janar të vitit 2023, me autore Rudina Xhunga, flet për përjetimet e saj në Vlorën e pas Luftës së II Botërore, por flet edhe për historikun e hebrenjve që kanë jetuar në Shqipëri shekuj më parë.
Në një moment gjatë intervistës, Cohen thotë se “më 1492, Vlora kishte 90% hebre dhe 10 për qind shqiptarë”.
Kjo deklaratë është rikthyer në qarkullim në rrjetet sociale, duke tentuar që ta forcojnë teorinë konspirative për “izraelizimin e Shqipërisë”.
Mirela Jorgo, një avokate nga Shqipëria, e ka komentuar këtë teori përmes një postimi në Facebook, duke pretenduar se po publikon një letër për Anna Cohen të shkruar “nga një ish-shok klase i saj në Vlorë”.
“Kështu po gënjeni… Koha që vlonjatët të zgjohen nga ajo çfarë e kërcënon Vlorën dhe të gjithë Shqipërinë. Po konturohet gjithnjë e më shumë ajo që padyshim përbën aktin më tradhëtar ndaj Shqipërisë dhe interesave kombëtare: izraelizimi i Shqipërisë”, thotë zonja Jorgo në postimin e saj, ku ndërlidhet me pretendimin e zonjës Cohen për numrin e hebrenjve në Vlorë në vitin e largët, 1492 (këtu).
Duhet theksuar se Dr. Cohen, në intervistën e saj me gazetaren Xhunga, kur flet për përqindjen e hebrenjve në atë kohë në Vlorë, flet me hamendësim, pasi thotë se nuk është e sigurt për vitin, por supozon të jetë ai, pra viti 1492.
Hibrid.info ka hulumtuar për të gjetur të dhëna mbi numrin e popullsisë hebreje në Vlorë, specifikisht, dhe në Shqipëri në përgjithësi, në kohën për të cilën flet Anna Cohen.
Megjithatë, të dhënat për këtë periudhë, pak para dhe pak pas saj, janë të paqarta. Rrjedhimisht, nuk janë gjetur të dhëna që mund të konfirmojnë apo demantojnë pretendimet e zonjës Cohen e as të zonjës Jorgo (këtu dhe këtu).
Sipas medias izraelite “Haaretz”, në një shkrim të botuar më 2024 (këtu), janë përmendur disa lokacione për një “shtet izraelit” nëpër histori.
Aty përmendet propozimi ndër më të famshmit, Skema e Ugandës e vitit 1903, që ishte një propozim britanik për të ofruar rreth 13 mijë kilometra katrorë në Rrafshnaltën Mau (Kenia e sotme) si një strehë autonome hebraike. Por, propozimi ishte refuzuar përfundimisht në Kongresin e 7-të Sionist më 1905, duke insistuar që Palestina të ishte atdheu i tyre stërgjyshor.
Përmenden edhe lokacionet si Ararat në Nju-Jork, Alaska, Australia, Birobijan (Rusi), Madagaskari e Suriname. Por, që një “shtet izraelit” po planifikohej të formohej edhe në Shqipëri, nuk janë gjetur të dhëna.
Pretendimi për “invazionin e Shqipërisë” nga organizata sioniste para Luftës së Dytë Botërore
Teoritë për një shtet izraelit brenda territorit shqiptar kanë nisur të qarkullojnë rreth një shekull më parë.
Në shtator 1935 u miratuan në Gjermani Ligjet e Nurembergut, të cilat ua hoqën hebrenjve shumicën e të drejtave civile dhe shënuan një fazë të re të përndjekjes naziste.
Për rrjedhojë, Konsulli i Mbretërisë së Shqipërisë në Vjenë në atë kohë, Kol Rrota, paralajmëronte Ministrinë e Jashtme për interesimin e organizatave hebraike për emigrim në Shqipëri, të cilën ai e quante “invazion”, dhe shprehte kundërshtimin e tij personal ndaj kësaj mundësie (këtu).
Sipas të dhënave të arkivuara të Ministrisë së Jashtme shqiptare, shqetësime mbi “izraelizimin” e Shqipërisë kishte ngritur edhe konsulli shqiptar në Selanik.
Bazuar në dokumentet publike në ueb-faqen zyrtare të MPJ-së shqiptare, këtyre shqetësimeve të konsujve i ishte përgjigjur ministria në fjalë, duke kërkuar sqarime nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare e asaj kohe se në çfarë kushtesh mund të lejohet ardhja e izraelitëve në Shqipëri (këtu).
Por, ndonëse është përfolur shumë, sidomos letra e konsullit shqiptar në Vjenë, nuk është gjetur asnjë provë për një plan konkret për krijimin e një shteti hebre në territorin shqiptar.
Pak kontekst:
Pas miratimit të Ligjeve të Nurembergut në vitin 1935, të cilat ua hoqën hebrenjve shtetësinë dhe të drejtat themelore, rreth gjysma e popullsisë hebraike të Gjermanisë dhe Austrisë emigroi përpara shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Përpos në Shqipëri, ata kërkuan strehim kryesisht në:
Shtetet e Bashkuara dhe kontinentin amerikan: Shumë prej atyre që kishin mundësi financiare ose lidhje familjare u larguan drejt Shteteve të Bashkuara, megjithëse kuotat e rrepta të emigracionit e bënin këtë të vështirë. Të tjerë u vendosën në vende të Amerikës Latine, si Argjentina, Brazili dhe Bolivia.
Palestinën nën Mandatin Britanik: Mijëra u larguan drejt Lindjes së Mesme, të nxitur nga lëvizjet sioniste dhe dëshira për të ndërtuar një jetë të re në territorin që më vonë do të bëhej Izraeli.
Vendet fqinje evropiane: Shumë kërkuan fillimisht siguri në shtete të afërta si Franca, Holanda, Belgjika dhe Çekosllovakia, por një numër i madh prej tyre u kapën sërish kur Gjermania zgjeroi territorin e saj gjatë luftës.
Destinacione të tjera në botë: Duke ikur nga përndjekja, një numër i konsiderueshëm gjeti strehim të sigurt edhe në vende të largëta si Shangai në Kinë, si edhe në Afrikën e Jugut dhe Australi (të dhënat më shumë gjeni KËTU).
“Marrja e tokave shqiptare nga Izraeli”
Nëpër faqe të ndryshme online, zakonisht anonime, qarkullojnë teori konspirative për marrjen e tokave shqiptare nga Izraeli apo organizata sioniste, nëpër periudha të ndryshme kohore.
Një nga to është edhe ajo për vitin 1923. Kështu së paku ka deklaruar një avokat nga Shqipëria, Zace Islami, i cili, në një intervistë për emisionin “Kojshia Show”, thotë se Shqipëria është shitur te Izraeli.
“Edi Rama ka bërë marrëveshje me izraelitët për të shitur ishullin e Sazanit dhe tokat e Zvërnecit dhe të Darëzezës dhe të gjitha ato toka të fushës së Myzeqesë në bazë të një plani të hartuar që në 1923. Ky plan, i hartuar më 1923, është denoncuar dhe ka ardhur nga konsullata shqiptare në Vjenë më 1930, dhe unë e kam këtu, mund t’ua jap ta shikoni, t’ua jap në telefon ta shikoni që atëherë u denoncua ky projekt izraelit për të pushtuar tokat shqiptare, u bë Lufta e Dytë Botërore, andej-këtej, dhe kemi ardhur këtu ku jemi sot”, ka thënë mes tjerash avokati Islami në këtë intervistë.
Islami, në intervistë, nuk paraqet asnjë dokument që mbështet këto pretendime.
Hibrid.info ka kërkuar informacione mbi pretendimet e ngritura nga avokati Zace Islami, sidomos mbi teorinë për një plan të hartuar në vitin 1923 për t’ia shitur Izraelit “ishullin e Sazanit dhe tokat e Zvërnecit dhe të Darëzezës dhe të gjitha ato toka të fushës së Myzeqesë”.
Por, nga kërkimet dhe hulumtimet në arkiva historike, nuk është gjetur nuk është gjetur asnjë dokument që ta mbështesë këtë pretendim.
Një gazetar izraelit, Nir Hasson, përmes një shkrimi të publikuar në median “Haaretz” më 2009, kishte trajtuar një hipotezë historike “Çka nëse Shqipëria do të ishte bërë Shteti Hebre?”. Hasson në këtë shkrim merr për bazë një letër të gazetarit britaniko-sionist, Leo Elton, i cili më 1935 kishte vizituar Shqipërinë, “për të parë nëse do të ishte i mundur krijimi i një entiteti kombëtar hebre atje”, përshtypje të cilat duket se ia kishte përcjellë presidentit të parë të Universitetit Hebre, Judah Leib Magnes.
“Si një fazë të parë, Eltoni rekomandoi krijimin e një njësie kombëtare hebreje në Shqipëri, të ngjashme me atë në Palestinën e Mandatit Britanik, me bashkëpunimin e dy lëvizjeve sioniste. Më vonë, Shqipëria madje mund të kthehej në një vatër kombëtare hebreje”.
“Nuk dihet se çfarë ndodhi me këtë ide, nëse ndonjë organ zyrtar e diskutoi atë, apo nëse Magnesi mori mundimin t’i kthente përgjigje Eltonit”, shkruan gazetari izraelit (këtu).
Shkrimi i gazetarit Nir Hasson është një artikull analitik mbi një ide të diskutuar nga individë të caktuar dhe nuk përbën dëshmi se ka ekzistuar ndonjë projekt zyrtar për krijimin e një shteti hebre në Shqipëri.
Çfarë dihet nga faktet?
- Nuk është gjetur asnjë provë për një plan zyrtar të Izraelit apo të ndonjë organizate sioniste për krijimin e një shteti në territorin shqiptar
- Dokumentet e viteve 1930 tregojnë interes për emigrimin e hebrenjve drejt Shqipërisë, jo për krijimin e një shteti
- Kanë ekzistuar ide dhe diskutime individuale për Shqipërinë si vend strehimi, por jo plane të miratuara institucionalisht
- Nuk është gjetur asnjë dokument historik që të dëshmojë një projekt shtetformues në Shqipëri
- Pretendimet që lidhin investimin në Sazan me “izraelizimin” e Shqipërisë nuk mbështeten në prova
Përmbledhje
Dokumentet historike tregojnë se në vitet 1930 pati interes dhe diskutime për mundësinë e vendosjes së refugjatëve hebrenj në Shqipëri, në një kohë kur përndjekja naziste po intensifikohej në Evropë.
Megjithatë, nuk është gjetur asnjë dokument që të dëshmojë ekzistencën e një plani zyrtar për krijimin e një shteti hebre në territorin shqiptar.
Narrativat që lidhin investimin e Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec me pretendime për “izraelizimin” e Shqipërisë mbështeten kryesisht në teori konspirative, interpretime të pasakta të dokumenteve historike dhe materiale të manipuluara ose të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
Shteti i Izraelit u shpall më 14 maj 1948. Për këtë arsye, dokumentet e viteve 1930 lidhen me diskutime dhe iniciativa të organizatave apo individëve hebrenj, jo me politika të një shteti që në atë kohë ende nuk ekzistonte.
Shqipëria e ka njohur Izraelin si shtet më 19 prill 1949 (këtu). Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë (1947–1991), marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të kufizuara, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante lidhje të ngushta me shtetet arabe dhe kishte ndaluar ushtrimin e fesë në vend (shih këtu). Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit u vendosën zyrtarisht më 19 gusht 1991 (këtu)